Gjiknuri inspekton drejtorinë e targave dhe patentave në Shkodër

Shqipëria

Gjiknuri inspekton drejtorinë e targave dhe patentave në Shkodër

Më: 9 dhjetor 2017 Në ora: 17:30
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri inspektoi sot zyrat e Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor në Shkodër.

Pasi u njoh me mjediset e punës dhe sportelet e shërbimit për qytetarët, ministri u ndal tek reforma e pritshme në këtë sektor problematik. 

“Jo më kot jemi këtu tek Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit në Shkodër, pasi duam të japim mesazhin që ky është një element shumë i rëndësishëm i qeverisë shqiptare në fushën e transportit, përtej përmirësimit të infrastrukturës dhe rritjes së sigurisë rrugore ku sicc e dini u hoqën qindra e qindra tabela të vendosura në mënyrë të paligjshme në akset rrugore. Një element tjetër i rëndësishëm është sjellja e drejtuesve të automjeteve”, u shpreh Gjiknuri. 

Sipas tij, është shumë i rëndësishëm një filtër sa më i mirë për marrjen e patentave që ai që e merr këtë dokument të ketë të gjitha njohuritë që përcakton ligji. 

“Reforma do të përqëndrohet tek integriteti i këtij shërbimi, për të luftuar korrupsionin masiv për të cilin fatkeqësisht ky institucion e ka patur reputacionin. Nga ana tjetër, krahas lehtësimit të shërbimeve përmes sistemeve online do të përmirësohet puna për integritetin e procesimit të ccdo kërkese në këtë shërbim. E gjithë kjo strukturë do ti nënshtrohet një reforme të thellë e cila do të synojë elementët e sigurisë rrugore. Qeveria do të investojë nga ana materiale, pra investimi nuk do të mungojë por mbi të gjitha sjellja e drejtuesve të automjeteve varet shumë nga integriteti i shërbimit të kësaj drejtorie”, nënvizoi Gjiknuri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat