“Sensibilizimi kundër dhunës”, Bregu: Pse deputetët nuk pranuan të vendosnin fjongon portokalli

Shqipëria

“Sensibilizimi kundër dhunës”, Bregu: Pse deputetët nuk pranuan të vendosnin fjongon portokalli

Më: 9 dhjetor 2017 Në ora: 22:32
Majlinda Bregu

Ndërgjegjësimi kundër dhunës ndaj grave dhe fëmijëve duhet të fillojë në familje, shkolla, dhe në çdo ambient tjetër.

Në këtë mënyrë do të krijohet një kulturë e përgjithshme sociale, që kultivon individë të përgjegjshëm dhe që e dënojnë dhunën. Këtë mesazh ka përcjellë ish-deputetja demokrate Majlinda Bregu në emisionin “Kjo javë” me Nisida Tufën në “News24”.

Teksa është ndalur tek situatat në të cilat ka tendenca për të zbutur debatet në rastet kur diskutohet dhuna në familje, Bregu sjell në vëmendje një rast, kur deputetët nuk kanë pranuar të vendosin në xhaketë fjongon portokalli, si sensibilizim kundër dhunës ndaj grave. Sipas ish-deputetes, një gjest i tillë i është dukur shumë femëror.

“Sot shtrirja e fenomenit është kudo. Ajo çfarë raportohet në shifrat e dhunës, është vetëm maja e ajsbergut. Shumë gra, edhe fëmijë, nuk raportojnë situatat e dhunës, pasi e kanë të pamundur. Një pjesë e dhunës raportohet. Kryesisht raportojnë ato gra që kanë përfunduar në dhunim fizik, pra kur kërcënimi për jetën është bërë madhor. Pjesa tjetër për dhunën psikologjike, apo ngacmimi seksual në vendin e punës, nuk raportohet. As dhuna verbale që është prezentë në shoqërinë shqiptare. Dhe janë raste të tilla që hasen çdo ditë.

Dhe për sa kohë në fakt që ne do ta kemi të vështirë të pranojmë se dhuna nuk është punë apo çështje grave, është krim, dhe si i tillë duhet dënuar si gjithë krimet e tjera. Për sa kohë që mendohet se kur flitet për dhunë ndaj grave të ketë gjithmonë nga një barsoletë nga pas, në një histori, ndonjë nga ato pyetjet, të cilat bëhen si për ta ulur rëndësinë e situatës, kur thuhet “po pse vetëm gratë dhunohen, ka edhe burra që dhunohen”.

Për sa kohë të ketë nga këto tendencat për të mos vënë një fjongo portokalli, sepse kjo portokallia… sepse po t’u thuash burrave vër një kravatë portokalli, nëse ua bën dhuratë, do ta kishin vënë e sigurt. Ju kanë çuar një fjongo kundër dhunës dhe e kanë refuzuar, sepse iu është dukur një akt shumë femëror. Pra është e pamundur në rast se nuk ka një ndërgjegjësim social.

Padyshim që duhet të fillojë edukimi dhe ndërgjegjësimi në familje. Por është e pamundur nëse shkolla nuk dënon format e para të bulizmit mes fëmijëve. Kudo ku ka elemente të dhunës duhet të reagojmë. Është e vështirë ta luftosh fenomenin kur personi është adult”, shprehet ish-deputetja Majlinda Bregu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat