3 pistat e hetimit për vrasjen mafioze të vëllait të ish deputetit Ndoka

Shqipëria

3 pistat e hetimit për vrasjen mafioze të vëllait të ish deputetit Ndoka

Më: 10 dhjetor 2017 Në ora: 08:40
Aleksandër Ndoka

Vrasja mafioze e Aleksandër Ndokës, ka mbledhur gjatë ditës së djeshme ekspertët më të mirë të hetimit të krimit.

Teksa është zhvilluar një analizë e gjatë mes drejtuesve të policisë së Lezhës dhe specialistëve të mbëritur nga Tirana, tashmë policia dhe prokuroria e këtij qyteti është fokusuar në tre pista kryesore.

 “Shqiptarja.com” mëson se pista e parë lidhet me konfliktin që i biri i viktimës Samuel Ndoka ka pasur në 25 qershor 2017 në Shëngjin të Lezhës, ku ka qëlluar me armë në drejtim të shtetasin Florian Dushku, edhe ky një qytetar lezhjan.

Plagosja e Dushkut

Ngjarja pati si shkak motivacionin politik, pasi sipas policisë i plagosuri Dushku, punonte për llogari të forcës politike LSI ndërsa Samuel Ndoka për llogari të forcës politike Partia Socialiste. Në atë kohë ngjarja mori përmasa të mëdha, pasi dhe pas dhunimit të Dushkut në Shëngjin mbëriti presidenti i sapozgjedhur në atë periudhë Ilir Meta, i cili tha se bandat e armatosura po cënonin procesin e zgjedhjeve. Jo më larg se tre javë më parë, policia arrestoi pas 5 muajsh dy autorët e këtij krimi Samuel dhe Donjan Ndoka, të cilët momentalisht ndodhen në burg.

Ky konflikt i armatosur sipas policisë së Lezhës, mund të jetë bërë shkak që pala tjetër të veprojë me të njëjtën mënyrë, duke ekzekutuar në shenjë hakmarje, shtetasin Aleksandër Ndoka, i cili është dhe babai i Samuelit. Ndërkohë pas kësaj plagosje, sërisht në tetor të 2017 Florjan Dushku është qëlluar me armë për ta vrarë, por për fat mbeti vetëm i plagosur. Ka shumë dyshime se sërisht këtë plagosje e kanë kryer Samuel dhe Danjan Ndoka, të cilët tashmë janë arrestuar. Pritet që në ditët në vijim policia të hedhë dritë me tepër mbi këtë pistë, pasi do të verifikojë pozicionin e shumë personave të këtij fisi.

Pista e biznesit

Një tjetër pistë ku është përqëndruar prokuroria dhe policia e Lezhës është ajo e konflikteve të mundshme në fushën e biznesit. Viktima administronte një biznes të quajtur “Apokalips”, ku në të ushtrohej veprimtaria në hoteleri, Bar-Kafe dhe Restorant. Policia në këtë pjesë është e paqartë pasi dhe vetë familjarët e viktimës nuk kanë pranuar të bashkëpunojnë. Ndërkohë që janë lënë detyra operacionale për mbledhjen e informacionit operativ, lidhur me personat që viktima kishte probleme, për sa i përket tregtisë që ai bënte në qytetin e Lezhës dhe Shëngjinin.

Krimet e të kaluarës

Megjithëse në formularin e vetëdeklarimit dorëzuar në KQZ Aleksandër Ndoka, kishte pohuar se nuk ishte dënuar asnjëherë nga drejtësia shqiptare, por policinë lokale ai njihet si person që ka kryer aktivitet kriminal. Gjatë emigracionit në itali, viktima dyshohet të jetë marrë me aktivitet të paligjshëm, duke shitur drogë dhe shfrytëzuar prostituta. Policia ka dyshime se nëpërmjet këtij aktiviteti të paligjshëm, besohet se kanë lindur probleme të cilat mund të jenë rishfaqur sërisht, duke sjellë dhe agravimin e situatës deri në eleminimin fizik të Aleksandër Ndojës në derë të shtëpisë.

Tetë të shoqëruar

Tetë persona janë shoqëruar nga policia e Lezhës në lidhje me vrasjen e Aleksandër Ndokës. Lajmin e bëjnë të ditur burime policore, të cilat shtojnë se hetimet mbi ngjarjen po drejtohen nga shefi i Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, Niko Brahimaj. Policia deklaron se është krehur e gjithë zona, për të bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e provave të tjera materiale, si dhe po administrohen të gjitha pamjet filmike të kamerave të sigurisë, të vendosur nga objekte dhe biznese private. “Policia po analizon dhe përpunon me kujdes të gjitha provat materiale të administruara në vendngjarje, si dhe në ambiente të tjera që lidhen me të, nëpërmjet laboratorit shkencor dhe të gjitha potencialeve policore”-thuhet në një njoftim për shtyp.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat