Arben Ndoka flet për vëllain e vrarë: Ligësitë e errësirës të prenë rrugëtimin

Shqipëria

Arben Ndoka flet për vëllain e vrarë: Ligësitë e errësirës të prenë rrugëtimin

Më: 10 dhjetor 2017 Në ora: 09:24
Arben Ndoka

Ish-deputeti socialist Arben Ndoka ka folur për herë të parë publikisht pas vrasjes së vëllait të tij Aleksandër Ndoka.

Në një postim në Facebook, Ndoka tregon shkurtimisht si nisi punë vëllai i tij që në moshën 16-vjeçare, duke arritur me punë të ndershme në postin që mbante së fundmi para se të ndahej nga jeta, atë të këshilltarit bashkiak në Lezhë.

Rruga e tij u pre nga ligësitë e errësirës, thotë ish-deputeti Ndoka, duke shtuar se shumë persona vajtojnë largimin e tij të parakohshëm nga jeta.

“Vëllai im i ndjerë, ka kaluar një jetë me sfida e vuatje që në moshë të mitur. 16 vjeç nisi punën tek ferma e Torovicës, pastaj tek Fabrika e tullave, një punë e rëndë për moshën, por falë kurajos dhe forcës së tij nuk ndalej para asgjëje. Më vonë punoi në ndërmarrjen frutore dhe ushqimore. Ishin punë të thjeshta, por ai kurrë nuk përtoi. Ndërkohe ndiqte dhe studimet. Kishte ambicie për të qenë sa më i realizuar në karrierë, duke punuar për 17 vite në Policinë Ndërtimore ( INUK), pastaj u bë anëtar i Këshillit Bashkiak, duke qenë jo vetëm aktiv politikisht, por njëkohësisht i ndjeshëm ndaj problemeve të çdokujt që i paraqitej në zyrë apo ambiente të tjera. Ishte njëri i dashur për të gjithë, i suksesshëm në karrierë dhe biznes, e aq shumë energji jepte për njerëzit ditë dhe natë.

Gjatë gjithë rrugëtimit të jetës së tij më ka bërë krenar sepse linte kudo respekt dhe kishte vlerat që i kanë hije një burri. Punoi me djersë dhe krijoi gjithçka me mund dhe sakrificë. Ky rrugëtim u pre shumë shpejt nga ligësitë që mbulohen nga errësira e natës. La pas shumë njerëz qe vajtojnë për të, sidomos familja e tij. 

Qofsh i parajsës Vëllai im i dashur”, shkruan Arben Ndoka në Facebook

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat