Vetëm në 1 javë, 309 shqiptarë nuk janë lejuar të udhëtojnë për në BE

Shqipëria

Vetëm në 1 javë, 309 shqiptarë nuk janë lejuar të udhëtojnë për në BE

Më: 10 dhjetor 2017 Në ora: 13:59
Rinas

Policia Kufitare në të gjithë vendin ka intensifikuar punën, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë në pikat e kalimit të kontrollit kufitar si dhe në kufirin jeshil e detar.

Në këtë kuadër gjatë javës nga shërbimet e Policisë Kufitare që patrullojnë në kufirin jeshil janë kapur dhe proceduar penalisht 23 persona, të cilët tentonin të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme, pasi kishin probleme me afatet e qëndrimit në hapësirën Shengen.

Po gjatë kësaj jave, në të gjitha pikat e kalimit të kontrollit Kufitar, nga shërbimet e Policisë kufitare janë kapur 9 persona në kërkim, për llogari të Drejtorive Vendore të Policisë persona të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Drejtoritë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin janë proceduar penalisht 7 shtetas për falsifikim të dokumenteve, si dhe një shtetas italian për mos deklarim të vlerave monetare në kufi.

Gjatë patrullimeve në kufirin jeshil janë kapur dhe prapësuar në mënyrë vullnetare 21 shtetas, klandestinë, të ardhur nga vendet e treta, nëpërmjet kufirit jeshil me shtetin grek, me qëllim kalimin për në një nga vendet e BE-së.

Gjatë patrullimit në kufirin detar gjatë kësaj jave janë proceduar penalisht dy shtetas që kanë lëvizur nga vendbazimet me mjetet lundruese gomone pa njoftuar më parë për lëvizjen.

Në drejtim të parandalimit dhe goditjes së trafiqeve të paligjshme dhe të lëndëve narkotike, gjatë kësaj jave janë goditur 2 raste të tentativës për trafik të lëndëve narkotike, si dhe 1 rast për trafik të mjeteve motorike.

Në zbatim të masave të marra për parandalimin e tentativës për të kaluar kufirin me qëllim azilkërkimin, në të gjitha pikat e kalimit kufitar, si rezultat i kontrollit me rigorozitet të dokumentacionit për të udhëtuar në vendet e BE-së, janë prapësuar 309 shtetas që nuk justifikonin arsyen e lëvizjes për në vendet e BE-së.

Po në drejtim të parandalimit të trafiqeve të paligjshme që mund të kryhen nëpërmjet kufirit jeshil, Policia Kufitare, po kryen patrullime të përbashkëta me policitë homologe kufitare, të Greqisë, Maqedonisë, Malit të Zi e Kosovës, duke koordinuar veprimet.

Patrullime të përbashkëta në hapsirën detare po kryhen me GdF si dhe bashkëpunohet me Greqinë e Malin e Zi.

Po në drejtim të parandalimit dhe goditjes së trafikut të lëndëve narkotike, Policia Kufitare bashkëpunon me homologët dhe shkëmben në kohë reale informacione që janë të vlefshme për të parandaluar dhe goditur këtë veprimtari kriminale.

Policia Kufitare do intensifikojë kontrollet në pikat e kalimit, në kufirin jeshil e detar, si dhe do forcojë akoma më tej bashkëpunimin me homologët me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale kudo ku do shfaqet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat