Amerikanët kanë në dorë 3 dosje për Llallën, bie ‘kështjella’ që do sigurojë kapjen e ‘Peshqve të mëdhenj’

Shqipëria

Amerikanët kanë në dorë 3 dosje për Llallën, bie ‘kështjella’ që do sigurojë kapjen e ‘Peshqve të mëdhenj’

Më: 11 dhjetor 2017 Në ora: 09:23
Lu dhe Llalla

Tre dosje voluminoze janë përgatitur nga hetues të SHBA-BE, në bashkëpunim me njerëzit e Vetingut në Shqipëri dhe zyrtarët e besuar të Perëndimit në institucionet me natyrë sekrete në vend, për kryeprokurorin pa mandat, Adriatik Llalla.

Ky personazh, i shpallur publikisht non grata nga amerikanët, po përdoret nga dy sulltanët e tij, Sali Berisha dhe Ilir Meta, për të pushtuar Prokurorinë e Përgjithshme, me qëllim për të mbajtur në skutat e errëta dosjet e krimit dhe korrupsionit, të cilat mund të hapen nga momenti në moment nga një kryeprokuror tjetër që nuk është nën komandën e tyre.

Kundër këtij puçi në drejtësi janë pozicionuar prerë Brukseli dhe Uashingtoni, të cilët përmes përfaqësive diplomatike në Tiranë, kanë kërkuar largimin e Adriatik Llallës nga zyra pas datës 7 dhjetor, si kështjella e fundit që mbron kokat e korrupsionit dhe krimit në Shqipëri.

Në pamundësi për të dalë vetë publikisht, Ilir Meta ka nxjerrë ‘dy zonjat e tij’, Petrit Vasilin dhe Monika Kryemadhin, të cilët akuzuan Donald Lu dhe Romana Vlahutin se po sillen si pushtues në Shqipëri.

Reagimi ekstremist i dy hijeve të Ilir Metës fsheh një tmerr të madh. Në lojë tashmë ka hyrë burgu. Ka nisur një luftë për jetë a vdekje se kush do të hyjë në burg në fillim të vitit 2018. Futja në burg e kokave të para të korrupsionit në Shqipëri garanton edhe çeljen e negociatave.

Rënia e Adriatik Llallës, mburojës së fundit të Ilir Metës dhe Sali Berishës, është e pashmangshme dhe çështje ditësh. Njerëzit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në Tiranë, prej shatë javësh, kanë mbledhur prova rreth veprimtarisë së Adriatik Llallës.

Provat janë mbledhur për llogari të zbatimit të ligjit të Vetingut. Nuk është rastësi që Llalla u përfshi në grupin e parë të prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilët po i nënshtrohen të parët kontrollit.

Dosja e parë mbi të gjitha pasuritë e tij dhe mënyrën e krijimit të pasurive ka përfunduar. Një dosje tjetër po përgatitet për të gjitha lidhjet e tij me politikën dhe botën e krimit në Shqipëri. Për këtë, po bashkëpunojnë disa institucione brenda vendit. Dosja e tretë po hartohet për aftësisë profesionale të Adriatik Llallës.

Më saktë, për rolin e tij për të gjitha dosjet VIP që janë mbyllur, janë bllokuar apo që kanë përfunduar në gjykatë. Për shkak të mungesës së shkollimit dhe karrierës në sajë të lidhjeve politike, kryeprokurori pa mandat rrezikohet më shumë nga vlerësimi i aftësive profesionale.

Nëse nuk do të ketë ndonjë dorëheqje të papritur, në ditët e para të janarit, Adriatik Llalla pritet të merret në pyetje në zyrat e Vetingut. Pyetjet do të konsistojnë në elementet problematike që do të përmbajnë tre dosjet.

Në rast sa do të tregohet bashkëpunues, atij do t’i lehtësohen pozitat. Ish-prokurori i Shteteve të Bashkuara për Arizonën John S. Leonardo, ish-zëvendësprokurori i Përgjithshëm në Gjykatën e Apelit të Brukselit dhe gjashtë gjyqtarë të tjerë me autoritet në Evropë do të kenë mundësi që t’i drejtojnë pyetje Adriatik Llallës, ndërsa ky i fundit ka të drejtë të mos përgjigjet.

Nëse komisioni i parë i Vetingut do të marrë një vendim negativ, fati i Adriatik Llallës, nëse duhet të përjashtohet apo jo nga sistemi i drejtësisë, do të merret nga komisioni fundor, që duhet Kolegji i Apelimit, në të cilin bën pjesë Ina Rama, makthi më i madh i Ilir Metës dhe Sali Berishës./Pamfleti

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat