BSH i kërkon bankave private: Ulni koston e transfertave për emigrantët

Shqipëria

BSH i kërkon bankave private: Ulni koston e transfertave për emigrantët

Më: 11 dhjetor 2017 Në ora: 15:00
Ilustrim

Banka e Shqipërisë u ka kërkuar bankave private të ulin kostot që emigrantët paguajnë kur dërgojnë para në Shqipëri.

“Kosto e transfertave nga kanalet financiare në shqipëri janë 9.4 për qind e shumës, ndërsa në rajon ato janë 7.2 për qind. Duke vlerësuar përfitimet që rrjedhin nga depërtimi formal i remitancave në ekonomi, Banka e Shqipërisë sugjeron një vëmendje më të shtuar për reduktimin e kostove të transfertave, dhe përmirësimin ose dizenjimin nga e para të produkteve dhe shërbimeve për këtë segment të popullatës”, thotë guvernatori i BSH-së, Gent Sejko.

Vitin e kaluar emigrantët dërguan 616 milionë euro në Shqipëri. Por për shkak të kostove të larta të transfertave nga kanalet zyrtare, shumica e këtyre parave dërgohet kesh.

“Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që sa më shumë të rritet përdorimi i kanaleve financiare, aq më shumë rritet depërtimi i financave në ekonomi. Për më tepër, rritja e përdorimit të kanaleve financiare ndihmon në rritjen e përfshirjes financiare të popullatës, duke rritur mundësitë për kursime dhe investime sa më produktive”, tha Sejko.

Banka e Shqipërisë dhe ministria e diasporës synojnë jo vetëm të ulin koston e transfertave, por edhe të krijojnë më shumë mundësi investimi për emigrantët

“Shqipëria pavarësisht nivelit të lartë të remitancave nuk i ka përdorur si duhet. Ky memorandum synon të koordinojë institucionet shtetërore me bankat private, për orientimin e dërgesave në investime më fitimprurëse”, u shpreh ministri Majko.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat