Ngjarje e rëndë në Divjakë, pronari i lokalit vret me armë gjahu klientin

Shqipëria

Ngjarje e rëndë në Divjakë, pronari i lokalit vret me armë gjahu klientin

Më: 12 dhjetor 2017 Në ora: 08:15
Divjakë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në Divjakë, një person ka mbetur i vdekur për shkak të një konflikti për motive të dobëta.

Policia sqaron se në një lokal, pronari i biznesit i ka qëlluar me armë gjahu një klienti, për shkak të përplasjeve të momentit.

Policia ka arrestuar të dyshuarin Petrit Toromëni, 42 vjeçar, ndërsa viktima është shtetasi me inicialet A.LL. Fatkeqësisht 42 vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë, duke ndërruar jetë rrugës për në spital.

Njoftimi i policise 

Në datën 11.12.2017, rreth orës 23:40 në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Divjakë ka ardhur një telefonatë se në fshatin Goriçaj ka ndodhur një vrasje.

Mënjëherë është nisur drejt vendit të ngjarjes grupi hetimor i cili ka konstatuar se:

Në fshatin Goriçaj, Divjakë, në një lokal është qëlluar me armë gjahu shtetasi A.Ll, 42 vjeç, banues në Goriçaj, Divjakë, i cili ndërroi jetë rrugës për në spital.

Në kohë rekord policia e Divjakës zbardh ngjarjen dhe arreston në flagrancë autorin e dyshuar.

Nga hetimet paraprake rezultoi se autori i dyshuar i kësaj ngjarje është shtetasi Petrit Toromëni, 42 vjeç, banues në fshatin Goriçaj, Divjakë, pronari i lokalit ku ka ndodhur vrasja.

Dyshohet se vrasja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit për motive të dobëta.

Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat