Sot përfundon afati për garën e kryeprokurorit, këto janë kandidatët e deritanishëm

Shqipëria

Sot përfundon afati për garën e kryeprokurorit, këto janë kandidatët e deritanishëm

Më: 12 dhjetor 2017 Në ora: 08:17
Prokuroria

Zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm, tashmë është kthyer tema kryesore e tryezës politike.

Partia Demokratike po qëndron e tërhequr në këtë debat, duke mos u qasur me emra konkretë, megjithëse PD ka disa kandidatura, që pritet t’i drejtohen kuvendit me kërkesën zyrtare për kandidim. Nga ana tjetër Partia Socialiste nuk po shpreh zyrtarisht asnjë mbështetje për kandidaturat që janë paraqitur për postin e kryeprokurorit të përkohshëm. Veç emrave që kanë dalë publikisht si Ferdinad Elezi e Henrik Ligori, sot janë shtuar edhe emrat e prokurores Arta Marku e prokurorëve Besnik Muçi e Xhemal Saliasi.

Arta Marku

Arta Marku, ka ushtruar funksionin e saj të prokurores pranë prokurorisë së Shkodrës. Ajo ka mbaruar studimet e magjistraturës dhe se ka mbajtur dhe postin e drejtueses së njësisë Task-Forcë, pranë prokurorisë së Shkodrës. Marku është nëna e dy fëmijëve dhe është e martuar me një oficer të Policisë Gjyqësore, që ushtron detyrën e tij në prokurorinë e Lezhës. Prokurorja Marku është dhe një figurë e papërfolur nga politika dhe duket si figure që mund të marrë konsensusin nga të dyja forcat politike. Deri më tani ajo është e vetmja femër kandidate për postin e kryeprokurorit. Kujtojmë se Ina Rama e zgjedhur nga Partia Demokratike ka qenë kryeprokurorja e parë dhe e vetme femër në historinë e shtetit shqiptar.

Ferdinand Elezi

Kandidatura e dytë që plotëson kriteret për të qënë kryeprokuror është Ferdinand Elezi. Ky i fundit momentalisht ushtron detyrën e tij, si drejtues i Prokurorisë së Apelit Durrës. Elezi në shumë vite me radhë ka qënë drejtues prokurorie në Kavajë, Durrës, Korçë dhe Fier. Elezi, vjen si prokuror nga rradhët e policisë, ku vite më parë ka ushtruar detyrën si shef komisariati në shumë rrethe.

Henrik Ligori

Një tjetër kandidaturë shumë e përfolur kohët e fundit është dhe Henrik Ligori. Ligori njihet si bashkëshorti i Shegushe Ligorit, ish-deputetes së PS për qarkun e Elbasanit. Ligori ka mbajtur për shumë vite postin e zv/kryeprokurorit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe zv/drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës. Për shkak të lidhjeve dhe mbështetjeve të segmenteve të caktuara nga Partia Socialiste, Ligori synon të jetë kryeprokurori i përkohshëm Shqiptar.

Besnik Muçi

Megjithëse zyrtarisht nuk e ka pranuar se ai ka kandiduar për të qënë kryeprokuror i përkohshëm, Besnik Muçi sërisht nuk e ka quajtur të mbyllur këtë kapitull, duke u shprehur se mund të kandidojë. Muçi, aktualisht është pjesë e prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ai përmbush kriteret ligjore dhe se karriera e tij fillin në prokurorinë e Tiranës. Pikërisht në këtë prokurori ai ka hetuar dosje si mbikalimin e “Zogut të zi”. Pas përplasjeve me kryeprokurorin e kohës Theodhori Sollaku, Muçi ka vendosur të japë dorëheqjen nga prokuroria dhe më pas të fillojë punë pranë Policisë së Shtetit. Pas largimit të Sollaku, Muçi rikthehet sërisht prokuror pas një vendimi të marrë nga Ina Rama, e cila e caktoi tek Prokuroria e Krimeve të Rënda. Muçi në këtë garë njihet më tepër si kandidat i mbështetur nga Partia Demokratike.

Xhemal Saliasi

Prokurori Xhemal Saliasi që ka kërkuar të garojë për postin e kryeprokurorit të përgjithshëm, momentalisht ushtron funksionin e tij pranë prokurorisë së Vlorës. Megjithëse ka një karierë të gjatë në prokurori dhe ka qënë për gati 10 vite drejtues prokurorie në Berat, Saliasi është një kandidaturë që nuk meret seriozisht nga PD dhe PS dhe nuk mbështetet nga të dyja forcat politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat