Gripi agresiv prek Shqipërinë, fëmijët më të rrezikuarit

Shqipëria

Gripi agresiv prek Shqipërinë, fëmijët më të rrezikuarit

Më: 12 dhjetor 2017 Në ora: 09:29
Fatmir Shahini

Fillimi i stinës së ftohtë të dimrit me temperaturat e ulëta, ka shfaqur edhe format e një gripi agresiv kryesisht tek fëmijët e moshave të ndryshme.

Këtë dimër, gripi paraqitet tek fëmijët në shifra më të ulëta por me agresivitet më të lartë, kështu deklaroi shefi i pediatrisë së fëmijëve në Durrës, mjeku pediatër Fatmir Shahini.

Fëmijët e vegjël janë më të rrezikuar dhe numri i tyre në urgjencë varjon nga 80 deri në 100 në ditë, pavarësisht se një pjesë e fëmijëve shkojnë tek mjeku i familjes për tu vizituar.

Sipas mjekut pediatër, më të prekur nga gripi janë fëmijët që qëndrojnë në kolektiv, në kopshte, çerdhe apo në shkollë, ndaj edhe këshillon prindërit që ti izolojnë për aq sa të kenë mundësi që të mos preken nga gripi.

Zakonisht çdo ditë në pediatri paraqitet një numër i madh fëmijësh me temperaturë, kollë, të vjella dhe diarre. Dehidratimi është problemi i tyre i madh, prandaj fëmijëve duhet tu jepen sa më shumë lëngje, shprehet mjeku Shahini.

Rreth 15 fëmijë në ditë, marrin mjekim 12 orësh në pediatrinë e Durrësit, ndërsa 4 deri në 5 fëmijë në ditë shtrohen në spital, për shkak të komplikacioneve që paraqesin me frymëmarrjen apo edhe temperaturën e lartë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat