Vrasja e Aleksandër Ndokës, çfarë deklaruan punonjësit e lokalit

Shqipëria

Vrasja e Aleksandër Ndokës, çfarë deklaruan punonjësit e lokalit

Më: 12 dhjetor 2017 Në ora: 10:57
Aleksandër Ndoka

Pak para ekzekutimit, Aleksandër Ndoka, si çdo mbrëmje, ishte larguar për në banesë pas mbylljes së lokalit në pronësi të tij me emrin “Apokalips”, që ndodhet në periferi të qytetit.

“Panorama” shkruan se largimi i tij rreth orës 22:30 nga lokali është konfirmuar për policinë dhe nga dëshmia e dhënë prej punonjësve të lokalit.

Distanca nga lokali në shtëpinë e Ndokës është një distancë e vogël dhe nga rindërtimi i skenës së krimit, Prokuroria thotë se autorët kanë qenë duke e pritur kur viktima t’i afrohej banesës.

Ndoka u gjet nga familjarët e tij i pajetë brenda në automjet gjashtë orë më pas, rreth orës 04:25 të së premtes, brenda makinës fuoristradë tip “Mitsubishi”, me targë AA 328 SE.

Vetë familjarët thonë se kanë dëgjuar zhurmë pranë banesës rreth orës kur Ndoka kthehej zakonisht në shtëpi, por kanë pandehur se ishin fishekzjarrë. Por në fakt rezultoi të ishte breshëria e automatikut që i mori jetën 48-vjeçarit.

Në drejtim të automjetit është qëlluar 14 herë në xhamin e anës së majtë ku ishte dhe shoferi dhe 9 prej plumbave kanë prekur 48-vjeçarin në disa pjesë të ndryshme të trupit, duke i marrë dhe jetën.

Në momentin e ngjarjes nuk ka pasur lëvizje në lagje, ndërsa e gjithë zona është në errësirë, pasi mungon ndriçimi dhe kjo i ka favorizuar atentatorët për të kryer krimin lehtësisht.

Dy grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës u angazhuan për kapjen e autorëve, si dhe u ngritën disa pika kontrolli, por policia nuk ka në gjurmët e autorëve të vrasjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat