Rama, Bashës: Hajde ta votojmë bashkë prokurorin, ndryshe e zgjedhim vetë

Shqipëria

Rama, Bashës: Hajde ta votojmë bashkë prokurorin, ndryshe e zgjedhim vetë

Më: 12 dhjetor 2017 Në ora: 13:09
Lulzim Basha dhe Edi Rama

Kryeministri përsërit apelin drejtuar kryetarit të PD-së për zgjedhjen e kreut të Akuzës, në emër të Europës

Lulzim Basha refuzon dhe i kujton se duhet të votohet në kuvend, sipas kushtetutës. PD-ja ngulmon që kryeprokurori të votohet me 84 vota

Kryeministri dhe kryetari I PS-së, Edi Rama, përsëriti dje apelin drejtuar kryetarit të PD-së, Lulzim Basha për zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm. “I lutem shumë Lulzim Bashës, ta dëgjojë këtë mesazh dhe të marrë përgjegjësinë e opozitës në drejtimin e duhur që është drejtimi i çeljes së negociatave për anëtarësim”- deklaroi Rama, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar socialist. Ai tha sërish se maxhoranca i ka votat për të zgjedhur kreun e ri të organit të Akuzës, por kërkon bashkëpunimin e opozitës për një pakt edhe për çeljen e negociatave me BE-në. Sipas Ramës, Shqipëria është shumë pranë negociatave dhe zgjedhja e kryeprokurorit do shërbente si një shtysë e fortë në këtë drejtim që është interesi kombëtar.

“Baza ligjore për kryeprokrurin është e qartë, por për fat të keq ka krijuar sërish një situatë moskuptimi me opozitën, ose nga ana e opozitës, të cilës unë përfitoj nga rasti t’i drejtohem përsëri me thirrjen që ne ta shfrytëzojmë këtë moment për të eksploruar çdo mundësi mirëkuptimi dhe për të dalë me një zgjedhje të mirëkuptuar të Prokurorit të përkohshëm. Ne e kemi qartësisht mundësinë dhe të drejtën që ta zgjedhim Prokurorin e përkohshëm me shumicën që kemi në dispozicion, por ashtu siç kishim mundësinë dhe të drejtën që të hynim në zgjedhje pa i shtrirë dorën në mënyrë të vazhdueshme opozitës, nuk e shfrytëzuam atë mundësi në emër të diçkaje më të madhe që është interesi kombëtar dhe interesi publik.

Sot, përsëri jemi shumica që e shikon këtë çështje jo me syrin e momentit, jo me qëllime të tjera, përpos qëllimit strategjik të vendit tonë që është në radhë të parë i materializuar në çeljen e negociatave me BE. Ky është një moment ku nëse ka vullnet, largpamësi jo vetëm nga ne por edhe nga opozita, ne mund ta shfrytëozjmë si një pikënisje të një procesi bashkëpunimi për të garantuar se Shqipëria, përfaqësuesit e popullit shqiptar në shumicë dhe opozitë, do bëjnë për Shqipërinë gjithçka kanë në dorë për çeljen e negociatave me BE. Jemi më afër se asnjëherë çeljes së negociatave për anëtarësim”, u shpreh Rama, ndërsa iu drejtua me një lutje kreut të opozitës. “I lutem shumë Lulzim Bashës ta dëgjojë mirë këtë mesazh dhe të marrë të gjithë përgjegjësinë e udheheqjes së opozitës në drejtimin e duhur që është çelja e negociatave, janë proces i gjatë, sa më shpejt të çelen aq më mirë është dhe për çdo forcë që aspiron të qeverisë këtë vend duke qenë sot në opozitë”.

Pavarësisht përsëritjes së apelit, kreu i qeverisë tha se në rast mungese dialogu nga pakica parlamentare, maxhoranca do ta zgjedhë me shumicë të thjeshtë kreun e ri të organit të akuzës. “Për të zgjedhur prokurorin e përgjithshëm të përkohshëm, gjë që është mbështetur qartësisht nga partnerët tanë ndërkombëtarë, nuk do të rresht së përsëritur deri në sekondën e fundit ftesën për opozitën që të bëhet pjesë e këtij procesi sepse nuk mundet që afazi të fillojë gjithmonë nga e para sa herë ka një hap për të bërë në zbatimin e reformës në drejtësi.

Nëse opozita nuk kontribuon në interes të vendit, do të zgjedhim me shumicë të thjeshtë kryeprokurorin”, theksoi Rama. Në fjalën e tij përpara kryetarit të PSsë, Ulsi Manja, kreu i komisionit të ligjeve, informoi për procedurat e ndjekura dhe tha se afati për paraqitjen e kandidaturave nga radhët e prokurorëve skadon sot në orën 18.00. Manja tha gjithashtu se Vettingu nuk është kusht për kryeprokurorin e ri, ndërsa i bëri thirrje Kuvendit që të zgjidhë ngërçin e krijuar përsa i takon ngritjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Deri dje, ishte vetëm një kandidaturë zyrtare për të garuar për prokuror të përkohshëm. Kreu i prokurorisë së Durrësit, Ferdinand Elezi ishte deri dje në mesditë i vetmi kandidat zyrtar.

Por sipas të dhënave jozyrtare, nuk mungojnë kandidatët për kryeprokuror, siç janë përfolur,Olsjan Çela, Prokurori i Krimeve të Rënda; Henrik Ligori; Prokurori i Tiranës, Dritan Rreshka; Arta Marku, Prokurore në Shkodër dhe Xhemal Saliaj prokuror në Prokurorinë e Vlorës. Afatet për dorëzimin e aplikimeve përfundojnë sot në orën 18: 00. Veç kandidaturave, një tjetër diskutim që ndan palët e përfshira është edhe interpretimi i Kushtetutës sa i përket kritereve. Në nenin 148/a pika 3, Kushtetuta parashikon që Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve të spikatur, me jo më pak se 15 vjet përvojë pune, me integritet të lartë moral dhe profesional, që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës ose kanë një gradë shkencore në drejtësi. Por kjo pikë nga disa prej ligjvënësve interpretohet se kandidati duhet të ketë eksperiencë 15 vjeçare si prokuror ndërsa për të tjerë, kandidati duhet të ketë 15 vite karrierë si jurist dhe të jetë në detyrë si prokuror.

Meta: Jo me hapa të njëanshëm, por me dialog

Kreu i shtetit, Ilir Meta e cilësoi zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm përgjegjësi ekskluzive të Kuvendit, por shtoi se duhet dialog mes palëve. Sipas tij, zgjedhja e njëanshme e kreut të organit të akuzës, nuk do të ndihmonte në garantimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë. “Për sa i takon çështjes së prokurorit të ri të përgjithshëm sikurse ju e dini kjo është një përgjegjësi ekskluzive e Kuvendit të Shqipërisë, si president dua të nënvizoj përderisa kemi të bëjmë me një cështje të rëndësishme të një institucioni kyç të drejtësisë, që duhet respektuar Kushtetuta dhe fryma e saj dhe është e rëndësishme që të ketë mes aktorëve kryesorë një dialog të shpejtë të përgjegjshëm dhe të bazuar mbi standarde transparente për zgjidhjen e kësaj çështje, pasi çdo hap i njëanshëm nuk do i ndihmonte pavarësisë së institucioneve dhe rritjes së besimit të institucioneve të drejtësisë”, u shpreh Meta. Këto deklarata, Meta i bëri gjatë takimit në Tiranë me homologun malazez, Filip Vujanoviç.

Vasili: Rama po e vjedh prokurorin e përgjithshëm

Lëvizja Socialiste për Integrim akuzon kryeministrin Edi Rama se do të vjedhë Kryeprokurorin e ri. Përmes një postimi në Facebook, kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili tha se opozita është e gatshme për dialog, por për kreun e ri të organit të akuzës duhet të zbatohet Kushtetuta. “Ka konsensus te plote me opoziten dhe qe nga sot le te kthehemi ne Kuvendin e Shqiperise dhe te rregullojme ligjet e bera copecope nga ai dhe sufleret e tij, qe nuk flasin shqip. Ndryshe, ne se e zgjedh vete kryeprokurorin, ky kryeminister shnderrohet perfundimisht ne bandit politik dhe mazhoranca e tij ne nje shumice kriminale antiligj dhe antishtet”, shkruan Vasili.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat