Kryeprokurori, reagon Rama e Basha pas deklaratës së Lu

Shqipëria

Kryeprokurori, reagon Rama e Basha pas deklaratës së Lu

Më: 12 dhjetor 2017 Në ora: 19:56
Lulzim Basha

“Sistemi i ri nuk mund të ketë një prokuror të përgjithshëm që nuk ndjek askënd penalisht. Ky vend nuk mund të hyjë në BE nëse vazhdon të ketë shkallën më të ulët të ndjekjes penale të krimeve të rënda në Europë. I kemi bërë thirrje qeverisë dhe opozitës që të punojnë së bashku për të gjetur një zëvendësues të prokurorit të përkohshëm të prokurorit të përgjithshëm të cilit i mbaroi mandati 5-vjeçar në 7 dhjetor”, deklaroi gjatë ditës së martë, ambasadori amerikan, Donald Lu.

Pas këtij reagimi të ambasadorit Donald Lu, në rend kronologjik reaguan Kryeministri Edi Rama dhe fill pas tij, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Ajo që lexohet në postimin e Edi Ramës është një ritheksim ftese për dialog ndaj kryetarit të Partisë Demokratike.

“LB, është koha për të vënë drejtësinë mbi frikën nga drejtësia; dialogun mbi çdo mjet tjetër politik; negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë nê BE mbi gjithçka që na ndan në parti të ndryshme”, shkruan Rama.

Në reagimin e Lulzim Bashës nuk ka asnjë ndryshim në qëndrim. Kreu i PD-së thekson se demokratët po lexojnë Kushtetutën pikërisht sipas reformës në drejtësi. Drejtësia, siç tha Basha, nuk arrihet përmes pazareve partiake.

“Që Prokurori i Përgjithshëm të luftojë politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin duhet që ai vetë të mos jetë i korruptuar dhe i inkriminuar. Dhe ka vetëm një mënyrë si mund të garantohet kjo gjë: ai duhet t’i nënshtrohet procesit të vetingut, siç e parashikon reforma në drejtësi, e sanksionuar në Kushtetutë. Që Prokurori i Përgjithshëm të mos jetë produkt i politikës, ai nuk mund të përzgjidhet dhe emërohet nga Edi Rama dhe Saimir Tahiri, por nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe tre të pestat e Kuvendit siç e kërkon Kushtetuta. Reforma në drejtësi është në Kushtetutë”, deklaroi Basha.

Basha pohoi mbështetjen pa rezerva për vettingun. PD kërkon ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë në mënyrë që të krijohet menjëherë SPAK-u dhe Byroja e Hetimit, organet që do të hetojnë krimin dhe korrupsionin në nivelet e larta.

Më herët mazhoranca dhe opozita konfirmuan pozicionet e tyre të palëvizura edhe në Komisionin Parlametar të Ligjeve.

“Institucioni kyç që e bën sistemin e drejtësisë të pavarur është institucioni i Prokurorisë. Që hap dosje dhe mbyll dosje” u shpreh Eduard Halimi, Nënkryetar i Komisionit të Ligjeve, PD.

“Vazhdon akoma që ne kërkojmë dakordësi për procesin. Për të pasur një Prokuror të Përgjithshëm të përkohshëm. Me një profil të lartë, me një integritet të lartë profesional dhe moral. Për ne nuk ka rëndësi emri, vetëm procesi për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, u shpreh Ulsi Manja, kryetar i Komisionit të Ligjeve.

Të martën u mbyll afati 5-ditor i aplikimit për ata që aspirojnë vendin e kryeprokurorit të përkohshëm. Ferdinand Elezi, Arta Marku, Arqile Koça, Besnik Muçi, Granit Shahu, Ermira Tafani dhe Artur Selmani janë ata që janë përfshirë në garë.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat