Atentati ndaj Aleksandër Ndokës, familjarët: Nuk kishte asnjë kërcënim. Pista ku po heton policia

Shqipëria

Atentati ndaj Aleksandër Ndokës, familjarët: Nuk kishte asnjë kërcënim. Pista ku po heton policia

Më: 13 dhjetor 2017 Në ora: 07:27
Aleksander Ndoka

Hetimet mbi vrasjen e Aleksandër Ndokës në Lezhë janë thuajse në pikën zero. As dëshmitë e familjarëve të tij nuk kanë ndihmuar grupin e hetimit të fokusohet drejt një piste që do t’i ndihmonte ata drejt identifikimit të autorëve, shkruan “Panorama”. Kur kanë kaluar disa ditë nga atentati që i mori jetën 48-vjeçarit, vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka, identifikimi i autorëve duket gati i pamundur, pasi sipas të dhënave nga grupi i hetimit, ata nuk kanë lënë prova në vend. Përveç gëzhojave të kallashnikovit që u gjetën në vendngjarje, hetuesit nuk kanë administruar asnjë provë tjetër të vlefshme.

Ndërkaq, në lagjen “Nëne Tereza” të Lezhës, ku mendohet se kanë lëvizur autorët, ndodhej vetëm një kamerë sigurie e një biznesi. Kjo ishte shpresa e vetme e hetuesve, por nga këqyrja e saj nuk rezulton asnjë automjet apo person që mund ta lidhë ngjarjen me autorët. 12 personat që u shoqëruan në lidhje me ngjarjen, janë liruar që të gjithë. Ata janë marrë në pyetje, por nuk është administruar asnjë informacion me vlerë që mund të ndihmojë hetuesit për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se pas ceremonisë mortore, në pyetje për ngjarjen janë marrë edhe vëllezërit dhe të afërmit e 48- vjeçarit (nuk konfirmohet nëse është pyetur edhe ish-deputeti). Por ata kanë thënë para grupit hetimor se, nuk kanë asnjë dyshim se kush mund të fshihet pas vrasjes së Aleksandrit.

Sipas tyre, ata nuk kishin asnjë konflikt, dhe viktima vetë nuk kishte shprehur asnjë shqetësim gjatë kohëve të fundit. Madje, sipas familjareve, ai lëvizte lirisht në çdo kohë. Këtë e konfirmon edhe fakti i lëvizjeve të tij në orët e vona dhe i vetëm, si dhe shkujdesja në masat e sigurisë duke qenë se as rruga para banesës nuk kishte ndriçim dhe as vila e tij nuk ishte e pajisur me kamera sigurie.
Burime nga Policia nuk përjashtojnë mundësinë që autorët të kenë qenë vrasës me pagesë, kjo duke iu referuar edhe dinamikës se si ka ndodhur ngjarja. Nga veprimet rezulton se autorët kanë qenë profesionistë, pasi nuk kanë lënë gjurmë në vendin e ngjarjes. Për të hedhur dritë mbi atentatin ndaj Aleksandër Ndokës, Policia po kalon në sitë të gjitha konfliktet e familjes ndër vite, ndërkohe që po analizohen në laborator dhe gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes.

Policia po bashkëpunon ngushtë me Prokurorinë, ndërkohë që veprimet po drejtohen nga drejtori për krimet e rënda, Niko Brahimaj. Ndërkohë, në Drejtorinë e Policisë së Lezhës ishte edhe vetë kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako. Për rreth 1 orë, ai ka zhvilluar një takim me drejtuesit e Policisë vendore në Lezhë ku në fokus të diskutimeve, sipas burimeve, ka qenë vrasja e Aleksandër Ndokës. Drejtori i Policisë së Shtetit mësohet se ka kërkuar informacion mbi hetimet që po kryhen për këtë ngjarje si dhe angazhim maksimal për zbardhjen sa më parë të këtij krimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat