Viktima e Lushnjës, i dënuari u lirua nga Gjykata e Lartë

Shqipëria

Viktima e Lushnjës, i dënuari u lirua nga Gjykata e Lartë

Më: 13 dhjetor 2017 Në ora: 12:37
Almir Llupo

Në tetorin e 9 viteve më parë do të konsiderohej një prej 50 personave më të rrezikshëm në Itali. Ndaj tij kishte shkuar një skedë kriminale nga Shqipëria e madje këtu edhe ishte i dënuar në mungesë. Historia e tij nis në një kohë të hershme, ndërsa e fejuara do ta kallëzonte për mashtrim dhe për shfrytëzim prostitucioni. Por u tha se përveç saj ai kishte patur edhe raste të tjera ku denoncohej për këtë akt të tmerrshëm, dukuri e shoqërisë shqiptare të asaj kohe.

Ikën nga Greqia dhe mësohet se kishte nisur aktivitetin edhe në Belgjikë, por kthimin për t`iu shpëtuar prangave e kishte në Itali. Atje arrestohet. Mediat italiane në atë kohë folën për të sikur të ishte një përbindësh që nuk kishte mundur ta kapte dot policia e asnjë vendi të Europës. Megjithatë ai në Itali kishte mbërritur jo vetëm për tu fshehur pas emrit të tij, ose disa emrave të tij, por edhe për tu kuruar pasi ai kishte patur probleme të mëdha shëndetësore.

Policia dhe prokuroria vendase kishte hedhur dyshime aso kohe se i kërkuari i shqiptarëve dhe i arrestuari i tyre duhet të ishte dhunuar nga mafia e prostitucionit për shkak të territoreve, por në vendin tonë, Krimet e Rënda kishin dhënë një vendim për tri akuza ndaj tij, një prej tyre ishte edhe falsifikim dokumentesh. Pasi është sjellë në vendin tonë në pranga ai është dërguar në Lushnjë në qeli dhe ka vuajtur dënimin deri sa kërkoi të shfrytëzonte një amnisti të 2012 për këtë vepër penale.

Lushnja dhe Vlora ia rrëzuan kërkesën, por Gjykata e Lartë e pranoi e për pasojë i dënuari kishte mundur të dilte nga burgu shpejt. Ishte riarrestuar në korrikun e këtij viti, për drejtim mjeti në gjendje të dehur, por sërish kishte dalë jashtë, derisa mbrëmjen e së hënës, diku afër mesnatës, sërish nën efektin e alkoolit ai ngacmon seksualisht gruan e pronarit të lokalit. Ky i fundit ngjitet në katin e dytë të ndërtesës në të cilën banonte, merr armën çifte dhe qëllon mbi të, duke i marrë jetën me një tek plumb. Për pasojë Almir Llupo, vdes në vend. Policinë, i zoti i lokalit, tashmë i kthyer në vrasës i pret aty, në lokal, e bashkë me të, qëndrojnë edhe të gjithë klientët e pranishëm.

Ngjarja

Një vrasje ka tronditur banorët e fshatit Goricaj të bashkisë së Divjakës, vrasje që kishte kohë që ajo zonë nuk i kishte përjetuar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23.30 në lokalin e Petrit Toromënit, i cili e administronte së bashku me bashkëshorten e tij. Viktima është Almir Llupo 42 vjeç, nga Goricaj. Sipas policisë viktima ka qenë në lokalin e Toromënit duke konsumuar alkool ku në një moment ai ka nisur të debatojë me Petrit Toromënin. Sipas burimeve të policisë dhe dëshmitarëve shkak i zënkës ka qenë ngacmimi që i ka bërë bashkëshortes I.Toromëni, akt ky që mësohet se ka ndodhur në sy të disa personave që kanë qenë në atë orë aty.

Sipas të dhënave bëhet me dije se viktima ka bërë një gjest poshtërues në sytë e të zotit të lokalit duke e detyruar atë të dalë nga lokali dhe të ngjitet në katin e dytë të ndërtesës. Aty thuhet se ai banonte me bashkëshorten dhe fëmijët e tij. Ka marrë armën dhe ka hyrë në lokal. Sërish Llupo ka qëndruar me fjalë të forta dhe fyese, ndërsa ka tentuar të hap derën dhe të dalë përjashta. Në atë moment Toromëni ka qëlluar mbi të, duke e lënë të vdekur në vend. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes sapo është lajmëruar dhe ka gjetur aty autorin e krimit dhe disa persona që kanë qenë në lokal, ndërsa bëhet me dije se dy prej klientëve janë përpjekur ta nisin Llupon drejt spitalit të Lushnjës, po gjithçka ka qenë e kotë. Mjekët më pas kanë vërtetuar se ai kishte shkuar i vdekur në spital.

Petrit Toromëni është shoqëruar në polici. Bashkë me të edhe të gjithë të pranishmit të cilët kanë dhënë versionin e tyre për ngjarjen. Po ashtu të njëjtin version ka dhënë edhe vetë autori, i cili ka shprehur pendesë për aktin. Ai iu ka thënë hetuesve se u ndje i fyer dhe se nuk kishte dashur ta vriste, por ta trembte. Megjithatë burri është lënë në ambientet e paraburgimit dhe të gjitha materialet i kanë kaluar prokurorisë. Mësohet se përveç dëshmitarëve, në pyetje do të merret edhe vetë gruaja e autorit ndërsa policia bëri me dije se versionet që ka dhënë autori dhe personat e tjerë të pranishëm në lokal kanë qenë të njëjta. Po ashtu bëhet me dije se mes tyre nuk ka patur asnjë konflikt të mëparshëm që ka çuar në atë konflikt, por sipas të dhënave gjithçka ka ndodhur nga sherri i momentit ku Llupo në rolin e klientit i ngacmoi bashkëshorten autorit.

Vendimi i Gjykatës së Lartë

“Nga aktet e administruara në dosje rezulton se dënimi prej 12 vjetësh burgim që është duke vuajtur kërkuesi në këtë gjykim, i dënuari Almir Llupo, përbëhet nga dy dënime të ndryshme, përkatësisht 10 vjet burgim dhe 2 vjet burgim të caktuara me vendimet gjyqësore të Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe asaj të Rrethit Gjyqësor Lushnjë, dhe se bashkimi i tyre në një dënim të vetëm prej 12 vjet burgim (mbledhje aritmetike sipas sistemit të ashpërsimit) është bërë me vendim të gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Lushnjë, mbi kërkesën e prokurorit në fazën e ekzekutimit të vendimit (neni 475 i Kodit të Procedurës Penale dhe neni 55/2 i Kodit Penal).

Në këto rrethana, gjykatat nuk kanë pasur pengesë të evidentonin dhe veçonin dënimin prej 2 vite burgim, të dhënë me vendimin nr. 38, dt. 19.03.2008 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, nga dënimi i vetëm prej 12 vite burgim, për rrjedhoje, të njihnin të drejtën ligjore të përfitimit të uljes të këtij dënimi, konform ligjit nr.107/2012 “Për dhënie amnistie” për të dënuarin Almir Llupo”. Kështu arsyetonte Gjykata e Lartë në vendimin e dhënë për amnistimin e njërës nga veprat penale për të cilat ishte dënuar viktima e djeshme. Me kryesues Edmond Islamajn dhe me anëtarë të trupit gjykues Arjana Fullani, Guxim Zenelaj, Artan Zeneli dhe Tom Ndreca, vendimi u mor në shkurtin e këtij viti, duke i dhënë mundësinë Llupos të shkojë drejt lirimit, lirim që tashmë i kushtoi edhe jetën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat