Rama nderon hebrenjtë në Kryeministri

Shqipëria

Rama nderon hebrenjtë në Kryeministri

Më: 13 dhjetor 2017 Në ora: 22:41
Pritja nga Edi Rama

Kryetari i Rabinëve Europianë, Pinchas Goldschmidt, kryesoi një delegacion për t’u takuar me Kryeministrin Edi Rama, dhe bashkëshorten e tij, znj. Lindita Rama, në një ndriçim festiv për Hanukah-n në Kryeminstri.

Takimi realizohet në një kohë, kur presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka firmosur vendimin për njohjen e Jerusalemit si kryeqytetin e Izraelit, duke paralajmëruar kështu zhvendosjen e ambasadës së SHBA-ve nga Tel Avivi.

Nuk dihet nëse kjo vizitë dhe pritja në Kryeministri është paralajmërimi që Shqipëria do të njohë Jerusalemin, duke mbështetur vendimin e Presidentit Trump.

Gjatë Holokaustit, Shqipëria siguroi strehë për një numër të vogël refugjatësh hebre nga Gjermania, Austria, Kroacia dhe Serbia. Popullata shqiptare dhe madje edhe forcat italiane që pushtuan vendin nga 1939, ishin simpatizantë ndaj hebrenjve dhe si rezultat, pothuajse i gjithë komuniteti hebre mbeti i paprekur, raporton faktor.al

Duke komentuar mbi takimin, Rabi Goldschmidt tha se “ky është një takim historik për bashkësinë hebraike, jo vetëm këtu në Shqipëri, por në të gjithë Evropën“.

“Rëndësia e një komuniteti nuk është përcaktuar gjithmonë nga përmasat e saj, kudo që janë hebrenj, është e rëndësishme që ata të mbështeten nga qeveria e vendit të tyre. Ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës ndaj Kryeministrit dhe ekipit të tij për të na mirëpritur“,- tha ai.

Hanukah

Hanukah, Festa e Dritave, zgjat per 8 ditë e netë. Një Shandan (Hanukia) unik me 9 krahë për qirinj, përdoret për këtë festë. Ndezja e qirinjve është akti kryesor gjatë Hanukasë. Qiriu i mesit shërben si qiri ndezës për të tjerët dhe qiriu i parë në të djathtë është qiriu që ndizet në ditën e parë dhe çdo ditë shtojmë nga një qiri të ndezur. Në këtë mënyrë në ditën e tetë do të kemi të nëntë qirinjtë e ndezur që simbolizojnë djegien e lëndës djegëse pas fitores së Makabenjve.

Hanukah është një festë që simbolizon fitoren e Makabenjve mbi ushtrinë greke-siriane të udhëhequr nga Antioku, si dedikim ndaj Tempullit të dytë që u përdhos gjatë pushtimit greko– sirian. Mrekullia e Hanukasë konsiston në faktin se dritat e Hanukias u dogjën për 8 ditë rresht pavarësisht sasisë së vogël të lëndës djegëse që mjaftonte vetëm për një ditë.

Hanukah është një festë e gëzueshme sidomos për fëmijët. Ushqimi tradicional për këtë festë është ushqimi i skuqur ne vaj sidomos petullat që mbushen me recel dhe quhen “Sufganjot”. Të gjithë anëtarët e familjes luajnë me lojën Sevivon dhe rituali i vjetër ku i jipej fëmijëve lekë xhepi është konvertuar në dhënien e dhuratave gjatë kësaj periudhe festive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat