Atentati në Orikum, policia dyshon për një pazar droge të shkuar keq

Shqipëria

Atentati në Orikum, policia dyshon për një pazar droge të shkuar keq

Më: 14 dhjetor 2017 Në ora: 09:14
Policia

Atentati i ndodhur në Orikum, ku mbeti i plagosur një 23- vjeçar, dyshohet se ka ardhur për shkak të prishjes së pazareve të drogës.

Një pistë e tillë po hetohet nga policia pasi në automjetin e Geraldo Hasanajt, 20 vjeç, që ndodhej bashkë me të plagosurin Denis Brahimi u gjet një sasi prej 514 gramësh lëndë narkotike kanabis sativa.

Pikërisht lënda narkotike dyshohet nga policia se është shkaku kryesor i plagosjes së Brahimit. Ngjarja ndodhi rreth orës 17:30 të ditës së martë, pranë një pike karburanti në rrugën nacionale Vlorë-Orikum, kur Brahimi dhe Hasanaj janë takuar me dy të rinjtë e shpallur në kërkim si autorë të plagosjes.

Policia bën me dije se autorët janë G.Ç., 23 vjeç dhe G.B., 33 vjeç, ndërsa ka sekuestruar edhe një automjet tip “Volksëagen”, me të cilën dy të rinjtë i shpëtuan arrestimit. Autorët e plagosjes u larguan në drejtim të Llogorasë në vendin e quajtur “Çipaj”, ku braktisën automjetin, duke u larguar më këmbë.

Policia dyshon se të dy shtetasit të jenë ndihmuar nga persona të tjerë për t’u larguar nga Llogoraja. Ndërsa në vendin e ngjarjes në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një armë tip pistoletë dhe një gëzhojë.

Nga ana tjetër, policia ka arrestuar Deraldo Hasanajn, i cili ndodhej bashkë me 23-vjeçarin e plagosur në momentin e ngjarjes. Në automjetin e Hasanajt, një makinë tip “Ford Fiesta”, është gjetur një sasi lënde narkotike, rreth 514 gramë, çka mendohet dhe shihet nga policia si pista kryesore ku po hetohet për ngjarjen e ndodhur.

Burime nga grupi hetimor kanë saktësuar për Panorama se pista kryesore mbetet ajo e prishjes së ndonjë pazari për lëndën narkotike, çka ka sjellë më pas edhe konfliktin mes 23- vjeçarit dhe dy autorëve të shpallur në kërkim.

Gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e policisë, Geraldo Hasanaj është treguar i rezervuar, por ka saktësuar se Brahimi dhe dy autorët kanë pasur një debat verbal para se të ndodhte plagosja.

Por, nga ana tjetër, Hasanaj nuk ka konfirmuar nëse diçka e tillë të ketë ardhur për shkaqe të drogës apo të ishte një konflikt i çastit. Pas këtij konflikti, konfirmojnë burimet, një prej dy personave ka nxjerrë armën tip pistoletë duke qëlluar në këmbë 23-vjeçarin Brahimi dhe më pas të dy autorët janë larguar me shpejtësi me automjetin tip “Volksëagen”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat