Rama i këshillon: PS sulmon LSI-në për lidhje me Balilin

Shqipëria

Rama i këshillon: PS sulmon LSI-në për lidhje me Balilin

Më: 14 dhjetor 2017 Në ora: 11:30
Edi Rama

Seanca e sotme nisi me një bojkot të opozitës, e cila u rikthye më vonë në Kuvend.

Por ndërkohë, pavarësisht se kryetari i opozitës, Lulzim Basha, nuk është i pranishëm pasi ndodhet në një takim të Partisë Konservatore në Britani, seanca sërish pati momentet e saj.

Deputetët e Partisë Socialiste sulmuan ish-aleatin e tyre, LSI, duke theksuar se ata kanë pasur lidhje me Klement Balilin, të mbiquajtur edhe si ‘Eskobari i Ballkanit’.

Deputeti Erion Braçe publikoi kontrata mes Ministrisë së Bujqësisë dhe familjes Balili, kur kjo ministri drejtohej nga Edmond Panariti i LSI.

Kontrata i jep Balilit 20 hektarë tokë bujqësore gjatë kohës që ai ishte në kërkim.

“Kjo kontratë është një tradhti e madhe ndaj policisë sonë,” tha Braçe.

Pas tij reagoi kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

“Falenderoj Braçen për të gjithë këto fakte të rënda publike, bëhet fjalë për dhënie toke bujqësore një personi të shpallur në kërkim. Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të heshtë, edhe opozita nuk mund të mungojë në këtë sallë sepse në këtë sallë është një ish-Ministër Bujqësie, i cili është firmëtar i kësaj kontrate, është partia e Klement Balilit, LSI, dhe ata duhet të jenë këtu bashkë me opozitën tjetër dhe të japin mendimin e tyre. Nxis Ministrin e Bujqësisë që të nisë menjëherë procesin e auditit dhe kallzimet penale për të gjithë ata zyrtarë që kanë shpërblyer me toka bujqësore Klement Balilin dhe kriminelë të tjerë si ky,” tha Balla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat