Akuzat e Braçes, Panariti: Doni të mbuloni skandalet e drogës

Shqipëria

Akuzat e Braçes, Panariti: Doni të mbuloni skandalet e drogës

Më: 14 dhjetor 2017 Në ora: 21:32
Edmond Panariti

Ish-ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, duke folur nga foltorja e parlamentit, u shpreh i hapur për çdo llojë hetimi lidhur me deklaratat e deputetit të PS-së Erion Braçe, se ka dhënë tokë të kërkuarit nga policia Klement Balilit.

Deputeti i LSI-së tha se këto akuza janë vetëm për politikë, pasi puna e tij është monitoruar nga institucione të tjera.

Fjalimi i plotë

Ka dy herë që këtu thirret në interpelancë Ministri I Bujqësisë, një gjë komplet e pazakontë, në një hark kohor dy javor, dy herë interpelanca për Ministrin e Bujqësisë, I cili për hir të së vërtetës akoma nuk ka njohur objektivat e punës së tij, dhe nuk ka se si ti njoh me dy-tre muaj. Dhe kush është arsyeja përse kërkohet kjo interpelancë? Sot na i sqaruat. Ju në fakt kërkoni që nëpërmjet interpelancës së stisur me Ministrin e Bujqësisë të na involvoni dhe të na përfshini ne, në gjoja, në lidhje me trafikantët e drogës, për të shpërndarë pjesë nga llumi ku jeni zhytur, nga llumi I trafikut që përditë e më shumë po ju tërheq poshtë si një gropë thithëse. Ku përditë e më shumë po dalin fakte kompromentuese për funksionarë të lartë dhe për të gjithë strukturën e piramidës shtetërore të involvuar në mënyrë të drejtpërdrejt në këtë trafik droge. Tashmë po mundoheni të krijoni vektorë, të krijoni rrugica, që të na përfshini dhe ne, në një diçka që ju e dini fare mirë që ne nuk kemi të bëjmë fare. Absolutisht fare. Dhe për tju rikthyer çështjes në fjalë, dëshiroj të ndaj me opinionin publik se si filloi kjo histori. Kjo histori të nderuar qytetarë, ka filluar me një vendim qeverie, vendim të këshillit të ministrave, sipas të cilit një tokë e cila ishte në administrimin e një shkolle të mesme bujqësore, në varësi të Ministrisë së Arsimit, i hiqet, arsyet i di qeveria, dhe i vihet në dispozicion Ministrisë së Bujqësisë për ta administruar, e cila nuk është operator ekonomik. Dhe sigurisht do të hap procedurat e dhënies me qera që investitorë të interesuar të marrin pjesë në garë dhe sipas të gjithë kritereve ligjore dhe procedurave të parashikuara nga ligji, ti nënshtrohen garës dhe të shpallet një fitues. Dhe sigurisht që u shpall një fitues, dhe unë nuk jam këtu as për të bërë segregim, as aparteid, as për të parë biografinë, as ndarje klasore, për të paragjykuar apo gjykuar se kush është fituesi. Megjithatë kjo është çështje proceduriale, unë jam I hapur. Dosjet janë aty, meqënëse i shpallët dhe si objektiv. Merrini dosjet nën sqetull dhe që nesër shkojmë në Prokurori dhe i nënshtrohemi një procesi të qartë transparence të të gjithë procedurave që ka zbatuar Ministria e Bujqësisë, duke filluar që nga zanafilla, që nga VKM-ja, që këtë tokë e kaloi nga administrimi I Ministrisë së Arsimit, tokë si pjesë e pronësisë së një shkolle, dhe ja vuri në dispozicion Ministrisë së Bujqësisë. E cila çfarë do bënte? Do fillonte procedurat, procedurat e shfrytëzimit të kësaj toke, e cila ka qenë një tokë djerrë, tokë e braktisur, tokë e cila nuk u nda me 7501-shin, dhe duhet të dini që është krijuar një ide gati utopike sikur tokat që ka në administrim shteti shqiptar, Ministria e Bujqësisë, janë tokat më produktive.

Të nderuar zotërinj. Rrini me këmbë në tokë. Ato toka kanë qenë toka të refuzuara. Toka të cilat kur u ndanë me ligjin 7501 fermerët nuk pranuan ti marrin në dorëzim, sepse ishin toka pa infrastrukturë vaditëse, ishin toka të kripura, ishin toka të degraduara dhe mbetën. Dhe sigurisht ato toka kush do ti shfrytëzojë? Natyrisht me gjithë dëshirën tonë për t’ia u dhënë fermerëve të varfër, nuk kanë mundësi. Se u tha këtu që janë përjashtuar bujqit e varfër nga procesi I marrjes pjesë në garat për marrjen me qera.  

Ore zotëri ti bujqve të varfër ju hoqe 10 milionë euro nga fondi i subvencioneve të viteve të kaluara dhe i privove atyre nga mundësia për të kultivuar në parcelën e tyre dhe dashke ti që ata të marrin pjesë në procedurën e marrjes më qera të tokave bujqësore, të cilat edhe sikur t’jua falësh nuk i marrin se nuk kanë  as mjete financiare  as mundësi për ti vënë në shfrytëzim. Dhe ato do ti shfrytëzojnë normalisht sipërmarrës bujqësor që I kanë ato mundësi dhe që janë pjesë e një gare të ndershme dhe ju sfidoj që të provoni që kjo garë nuk është e ndershme. Sepse para se të vini ju kanë ardhur  organe të tjera ti zotëri. Ka ardhur auditi i Ministrisë, ka ardhur Kontrolli i Lartë i Shtetit, megjithatë aty janë dokumentat. Dhe unë nuk kam asnjë lloj kompleksi dhe asnjë lloj fobie për tu përballur në qoftë se ju doni ti hyni kësaj historie, biles çudi si nuk e keni filluar deri tani se ne kemi qenë në qeveri, ju e dini, ju e keni ditur. Pritët tani sepse pikërisht është momenti për ta hapur, për ta shfokusuar vëmendjen nga bataku i drogës dhe I trafikut dhe për të involvuar natyrisht edhe persona, institucione, dikastere, të cilat me thënë të drejtën nuk kanë të bëjnë me procesin e kanabizimit të bujqësisë. Bujqësia u kanabizua jo nga Ministria e Bujqësisë të nderuar zotërinj. Ju e dini shumë mirë kush janë aktorët dhe faktorët e kanabizimit. Doni të na përfshini dhe ne, e keni gabim pavarësisht nga dëshira juaj është e pamundur. Procedurat janë aty, proceset, ligjet janë aty. Organet investigative janë aty, nuk i takon deputeteve të parlamentit të nxjerrin dokumentat, kontratat këtu. Derën e prokurorisë e keni aty. Nuk është parlamenti vendi ku do të bëhen hetimet dhe investigimet. Ju e dini fare mirë këtë, por e përdorni si kauzë politike. Por në doni të jeni serioz shkoni në derën e prokurorisë hapni një proces dhe shkoni deri në fund. Dhe ne ju inkurajojmë për këtë qëllim. Tani të kalojmë te çështja tjetër unë kaq kisha për të thënë për çështjen e parë. Përsa i përket marrëveshjes së ullirit. Sigurisht është e rëndësishme. Ne duhet të jemi pjesë e kësaj organizate por duhet të bëjmë shumë kujdes. Unë këtë e kam thënë dhe në komision. Në radhë të parë duhet të bëjmë një analizë kush janë fitimet tona, përfitimet tona për të marrë pjesë në organizatë. Ne nuk duhet të jemi dekor thjesht sepse ekziston një Organizëm Ndërkombëtar i ullirit dhe sigurisht Shqipëria i bën nder të jetë pjesë e këtij organizmi.

Paguajmë jo pak për një shtet të varfër si puna jonë, 23.000 euro në vit. Çështja është se çfarë marrim pas, për shtete të varfëra si puna e Shqipërisë, kur jep 23.000 euro koutë anëtarësimi presupozohet që të marrësh 5 herë më shumë. Bëni bilancin se çfarë keni përfituar. Dhe unë e kam thënë këtë, edhe kur kam qenë Ministër i Bujqësisë. Çfarë ke përfituar ti nga ajo organizatë? Për të mos thënë që mund të kemi efektin e kundërt. A pate ti ndihmën e asaj organizate kur ra infeksioni i ullirit te fqinjët tanë, infeksion shumë i rëndë që shkatërroi ullinjtë e Italisë së Jugut. Mori asistencë nga kjo organizatë. U kërcënuam dhe ne. I bëra dhe unë kërkesa kësaj organizate, të lutem na dërgoni në ndonjë pikë të referencës laboratorike për të bërë analizat e ullinjve tanë, nëse jemi të prekur?! Nuk u duk njeri. A ka regjistruar kjo organizatë varietetet tona autoktone endemike siç janë ulliri kalinjiot, ulliri i zi i Beratit, ulliri i bardhë i Tiranës. Apo ne thjesht do i konfirmohemi vetëm varieteteve që duan ata, varietetet italiane dhe varietetet spanjolle. Dhe do të mundohemi të kuadrohemi vetëm në atë set standardesh që u intereson atyre. Po kush është avantazhi i Shqipërisë? Jemi ne në gjendje të konkurrojmë me varietetet e tyre me prodhimin e vajit? Jo. Do dalim totalisht jashtë loje nëqoftëse do ta konsiderojmë thjesht një shtojcë të olivio kulturës së tyre. pasuria jonë e madhe janë varietetet endemike. Po ata nuk i kanë regjistruar. Ky duhet të ishte një kusht, parakusht për anëtarësimin tonë që të njihen varietetet tona autoktone, të njihen dhe të përcaktohen në një aneks të veçantë karakteristikat e veçanta të vajit të ullirit. Përsa kohë që nuk bëhen këto përse duhet të jemi ne pjesë e kësaj organizate? Përse? Kush është fitimi? E bën dikush këtë analizë? Ne nuk duhet të shkojmë thjesht me idenë që do anëtarësohemi në një organizatë ndërkombëtare se na bën nder që dy tre veta të shkojnë atje të marrin pjesë në seminare dhe të harxhojnë disa ditë në konferenca kur në fakt mund të dëmtojmë interesat e prodhuesve të ullirit dhe të vajit të ullirit shqiptar. Prandaj të nderuar zotërinj, pavarësisht se ne në parim mbetemi për ndërkombëtarizimin e ullirit tonë, të vajit të ullirit tonë dhe si pjesë e forumeve, duhet gjithmonë ti bëjmë pyetjen vetes, duhet një analizë, kush janë përfitimet tona? Për të mos bërë gabimin që bëmë me marrëveshjen e tregtisë së lirë, që po na kthehet në një disfavor të jashtëzakonshëm, diskriminues sepse nuk negociuam kur e nënshkruam, kushte favorizuese për prodhimet tona. Dhe me këtë logjikë duhet të shikojmë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare në fushën e bujqësisë. Jo vetëm në fushën e bujqësisë. Çfarë marrim ne mbrapsht? Kemi ne qejf vetëm të jemi pompoze pjesë apo dhe garniturë sepse ndonjëherë thjesht dhe vetëm për të qenë garniturë? Kur janë tre aktorë aty që e bëjnë lojën. Dhe ti je thjesht për të dhënë një votë, për të krijuar idenë që del si një vendim kolegjial nga 20 apo 30 apo 50 anëtarë. Prandaj kjo është, prandaj kërkohen dhe institucione kërkimore shkencore, specialistët e ullirit të thonë fjalën e tyre në mënyrë që kur ta nënshkruajmë këtë të dimë që marrim diçka pas, dhe jo të lëmë, dhe jo të mos përfitojmë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat