Ligji i ri për strehimin, ja procedurat që duhen ndjekur për të përfituar shtëpi nga shteti

Shqipëria

Ligji i ri për strehimin, ja procedurat që duhen ndjekur për të përfituar shtëpi nga shteti

Më: 15 dhjetor 2017 Në ora: 08:58
Ilustrim

Qeveria ka çuar në Kuvend ligjin e ri për strehimin, i cili parashikon t’ju vij në ndihmë familjeve të cilat nuk paguajnë dot qiranë, apo nuk kanë një banesë të sigurt.

Ligji për strehimin parashikon që familjeve që nuk e përballojnë dot qiranë, bashkitë të paguajnë një pjesë të saj. Një risi është edhe kur shteti do të marrë përsipër përmisimin e kushteve për banesat ekzistuese, por edhe për krijimin e banesave për strehim të përkohshëm. Gjithashtu parashikohet të vijohet për të ndihmuar familjet të marrin kredi me interest ë ulët, për të blerë një shtëpi. Gazeta jus jell sot disa nga ndryshimet që parashikon ligji i strehimit, për t’ju ardhur në ndihmë familjeve në nevojë dhe atyre që nuk kanë të ardhura.

Kufijë e shpenzimit për banesat

Strehimi konsiderohet i përballueshëm nëse familja me të ardhura:

a) mesatare nuk shpenzon më shumë se 30 për qind të të ardhurave të saj mujore për sigurimin e një strehimi të përshtatshëm.

b) të ulëta nuk shpenzon më shumë se 20 për qind të të ardhurave të saj mujore për sigurimin e një strehimi të përshtatshëm.

c) shumë të ulëta nuk shpenzon më shumë se 15 për qind të të ardhurave të saj mujore për sigurimin e një strehimi të përshtatshëm. Në shpenzimet për strehimin nuk përfshihen shpenzimet për shërbime të furnizimit me ujë dhe me energji elektrike. Strehimi i familjeve pa të ardhura sigurohet nga institucionet shtetërore, nëpërmjet njërit prej programeve të strehimit social.

Programet e strehimit

Në programet sociale të strehimit përfshihen: -programi i banesave sociale me qira. -programi për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese, deri në një ndërtim të ri. - programi i banesave me kosto të ulët. -programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi. - programi për krijimin e banesave të përkohshme. -programi i banesave të specializuara. Njësitë e vetëqeverisjes vendore sigurojnë që familjet dhe individët, të cilët nuk kualifikohen si përfitues në njërin program, të kenë mundësi për të kaluar dhe përfituar në një program tjetër, kur plotësojnë kushtet ligjore.

Kush përfiton strehim

Merr statusin e përfituesit nga programet sociale çdo individ që ka mbushur moshën 18 vjeç dhe familjet e regjistruara në zyrat e gjendjes civile në njësitë e vetëqeverisjes vendore që plotësojnë kushtet e këtij ligji. Përfituesit nga programet sociale duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:

a) Nuk kanë në pronësi një banesë ose zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit apo banojnë në banesa jashtë standardeve në fuqi, për të cilat normat e strehimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

b) Kanë mbetur të pastrehë, si rezultat: i. i fatkeqësive natyrore. ii. i prishjes së objekteve të pakualifikuara si banesë. iii. i zhvendosjeve për shkak të investimeve publike dhe nga objektet e përjashtuara nga procesi i legalizimeve. iv. nga zbatimi i akteve administrative dhe zbatimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë.

c) Familjet që kanë një banesë të vjetër, në rrezik shembjeje, ose një banesë që i nënshtrohet një plani rregullues, për shkak të vjetërsisë së saj.

Përfitojnë nga programet e strehimit social të këtij ligji edhe shtetas të huaj, me qëndrim të rregullt në Shqipëri dhe që kanë përfituar nga organet kompetente statusin si “punëtor emigrant” dhe/ose “azilkërkues”.

Kriteret e përzgjedhjes së përfituesve

Njësitë e vetëqeverisjes vendore, në përzgjedhjen e individëve/familjeve përfituese, bazohen në kriteret e mëposhtme:

a) Kushtet e strehimit, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi familjet që:

i. nuk disponojnë banesë në pronësi. ii. banojnë në banesa që paraqesin rrezik shembjeje. iii. banojnë në banesa të mbipopulluara, sipas përcaktimeve dhe normave në fuqi. iv. kanë mbetur ose rrezikojnë të mbeten të pastreha, si rezultat i fatkeqësive natyrore. v. familjet ose individët që humbasin banesën e tyre si pasojë e zhvendosjes ose zbatimit të një vendimi gjyqësor.

b) Kushtet familjare, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi:

i. familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë, ku përfshihen edhe vajzat nëna. ii. të moshuarit, që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në institucionet publike të përkujdesjes shoqërore. iii. familjet me më shumë se katër fëmijë. iv. bashkëshortët, mosha e përgjithshme e të cilëve arrin deri në 60 vjeç.

c) Kushtet sociale, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi:

i. personat me aftësi të kufizuara, në përputhje me përcaktimet e bëra me vendim të Këshillit të Ministrave. ii. individët me statusin e jetimit, që nga çasti i daljes nga qendrat e përkujdesjes shoqërore dhe deri në moshën 30 vjeç. iii. familjet e mbetura të pastreha për shkak të lirimit të banesave ish-pronarëve. iv. emigrantët e rikthyer, punëtorët emigrantë dhe azilkërkuesit. v. familjet e policëve të rënë në detyrë. vi. punonjësit e reparteve të ndërhyrjes së shpejtë (FNSH). vii. punonjësit e repartit RENEA. viii. viktimat e dhunës në familje. ix. viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit. x. anëtarët e komunitetit rom. xi. anëtarë të komunitetit egjiptian. xii. të miturit në konflikt me ligjin, pas ekzekutimit të dënimit. xiii. vajzat nëna. xiv. individët nga komuniteti i lesbikeve, gay-ve, biseksualëve dhe transgjinorëve (LGBT), sipas rezolutës nr.6, datë 7.5.2015, “Për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të personave që i përkasin komunitetit LGBT”.

ç) Kushtet ekonomike, në bazë të të cilave përcaktohen familjet, sipas grupeve të të ardhurave, të përcaktuara në këtë ligj.

Dokumentat për familjet

Në lidhje me përgatitjen e një dosjeje nga ana e njësisë vetëqeverisjes vendore për aplikantët pa të ardhura ose me të ardhura shumë të ulëta, kostoja mesatare vlerësohet, rast pas rasti, në varësi të volumit të dokumentacionit të aplikuesve, por, në çdo rast, kjo kosto nuk do të kalojë vlerën prej 8000 lekë/dosje, duke mbajtur parasysh se dokumentet bazë, pjesë përbërëse të saj, janë:

1. Certifikatë familjare. 2. Fotokopje e ID-së. 3. Vërtetim banor lagjeje në emër të aplikantit. 4. Vërtetim nga DPT-ja se nuk zotëron biznes për të gjithë anëtarët madhorë. 5. Vërtetim nga ZRPP-ja se nuk ka në pronësi banesa për të gjithë anëtarët madhorë. 6. Vërtetim të ardhurash bruto dhe neto të shoqëruara me vërtetimin për derdhjen e kontributeve, nëse janë të punësuar në shtet (vetëm vërtetim page neto). 7. Kartelë punëkërkuesi për anëtarët madhorë të papunë. 8. Vërtetim nga ZRPP-ja për origjinë pasurie për të gjithë anëtarët madhorë. 9. Kontratë qiraje.

Programi i banesave sociale me qira

Paraqet kosto për ndërtimin e banesave sociale, për të cilat kostoja e ndërtimit është 39.587 lek/m2 , referuar kostos mesatare të ndërtimit të miratuar me udhëzimin nr.4, datë 30.9.2015, të Këshillit të Ministrave. Për ndërtimin e BSQ-së me një sipërfaqe rreth 1000 m 2 për një godinë 6-katëshe do të duhen afërsisht 237 522 000 (dyqind e tridhjetë e shtatë milionë e pesëqind e njëzet e dy mijë) lekësh (pa llogaritur vlerën e truallit dhe punimet e infrastrukturës).

Ndërtimi i tyre është menduar të realizohet në partneritet me privatë. Për këtë program paraqiten kosto edhe për subvencionin e qirave si për banesat në pronësi të bashkive ashtu edhe për banesat që merren me qira në treg të lirë nga individi/familja. Për vitin 2017 janë miratuar fonde për bonus strehimi për qiratë në tregun e lire, në vlerën 14 000 000 lekë për rreth 70 familje që kanë aplikuar pranë bashkive.

Programi për përmirësimin e kushteve të objekteve dhe banesave

Ky program deri në vitin 2016 është financuar vetëm për përmirësimin e kushteve të banimit për komunitetin rom dhe egjiptian. Në 2016 u financuan 98 391 000 lekë dhe përfituan 187 familje. Për vitin 2017 fondet e miratuara janë në vlerën 120 000 000 lekë dhe përfituese do të jenë rreth 228 familje. Projektligji e parashikon këtë program jo vetëm për komunitetin rom dhe egjiptian, por edhe për familje, të cilat ndodhen në kushte të pamundësisë ekonomike dhe në situata të njëjta ashtu si edhe këto komunitete.

Për sa u përket kostove financiare, këto do të jenë në bazë të fondeve buxhetore të miratuara në çdo vit dhe të parashikuara në PBA. Në këtë program është parashikuar dhe përmirësimi i kushteve të banimit deri në ndërtim të ri në rastet kur nga verifikimet identifikohet se banesa ka nevojë të ndërtohet rishtas, për shkak të degradimit në masë të madhe. Edhe në këtë rast, kostoja financiare do të llogaritet referuar kostos mesatare të ndërtimit, të miratuar çdo vit me udhëzim të Këshillit të Ministrave.

Programi i banesave me kosto të ulët

Ky program do të vazhdojë të financohet për ndërtimin e banesave me fonde të Entit Kombëtar të Banesave në varësi të trojeve të lira të vëna në dispozicion nga bashkitë. Kostoja si për ndërtimin edhe për blerjen e banesave në treg të lirë do t’i referohet udhëzimit të Këshillit të Ministrave për koston mesatare.

Programi risi

Programi i strehëve të përkohshme, si një risi e projektligjit, nënkupton përshtatjen e objekteve ose pajisjeve që montohen dhe çmontohen lehtë dhe që shërbejnë për strehim të përkohshëm deri në dy vjet. Ky program parashikohet të realizohet me fonde të pushtetit qendror apo vendor ose nëpërmjet donacioneve dhe kredive të institucioneve publike dhe private. Kryesisht është vlerësuar që ky program të realizohet me donatorë.

Tabela

Dokumentat për familjet

1. Certifikatë familjare.

2. Fotokopje e ID-së.

3. Vërtetim banor lagjeje në emër të aplikantit.

4. Vërtetim nga DPT-ja se nuk zotëron biznes për të gjithë anëtarët madhorë.

5. Vërtetim nga ZRPP-ja se nuk ka në pronësi banesa për të gjithë anëtarët madhorë.

6. Vërtetim të ardhurash bruto dhe neto të shoqëruara me vërtetimin për derdhjen e kontributeve, nëse janë të punësuar në shtet (vetëm vërtetim page neto).

7. Kartelë punëkërkuesi për anëtarët madhorë të papunë.

8. Vërtetim nga ZRPP-ja për origjinë pasurie për të gjithë anëtarët madhorë.

9. Kontratë qiraje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat