FMN vlerëson negativisht planin e qeverisë për uljen e borxhit publik

Shqipëria

FMN vlerëson negativisht planin e qeverisë për uljen e borxhit publik

Më: 15 dhjetor 2017 Në ora: 14:25
Ministri i Financave Arben Ahmetaj dhe përfaqësuesja e FMN Anita Tuladhar

Fondi Monetar Ndërkombëtar gjykon në raportin e fundit për Shqipërinë se premtimi i qeverisë për uljen e borxhit publik përgjatë katër viteve të ardhshme "nuk është realist" dhe nuk merr parasysh kostot që mund të lindin nga kontratat koncesionare. FMN këshillon qeverinë të rrisë taksat sërish.

Qeveria shqiptare shpreson që borxhi publik i vendit të ulet në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto nga 71 për qind që është aktualisht në 60 për qind të PBB-së në vitin 2021, por Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se projekti i qeverisë nuk është realist dhe se ai ka pak gjasa të realizohet në rast se qeveria nuk rrit më tej taksat.

Fondi publikoi raportin vjetor për Shqipërinë ditën e mërkurë ku ekspertët e saj shkruajnë se plani zyrtar i qeverisë për uljen e borxhit publik mbështetet “në mënyrë jorealiste në reduktime të konsiderueshme në pjesën e fundit të ciklit elektoral [aktual]”, dhe se “misioni vlerëson se “masa të tjera të përhershme në rendin e 1 për qind të PBB-së” duke filluar nga viti 2018 janë të nevojshme për të arritur objektivin. FMN vlerëson se në mungesë të “masave të tjera të përhershme”, një shprehje që nënkupton rritjen e mëtejshme të taksave me rreth 110 milionë euro, borxhi publik i Shqipërisë në vitin 2021 do të jetë 64% e PBB-së dhe jo 60, siç premton qeveria.

Shqipëria ka rritur me shpejtësi borxhin publik përgjatë katër viteve të fundit, si në vlerë absolute ashtu edhe në përqindje të PBB-së. Në vitin 2013, borxhi ishte 63% e PBB-së dhe u rrit deri në 73% në vitin 2016 pasi FMN dhe qeveria ranë dakord për një platformë për “dalje të butë” nga kriza e deficitit të lartë. Në bazë të kësaj platforme, qeveria duhej të rriste shpenzimet dhe njëkohësisht taksat me shpresë që kjo do të shpërblehet në të ardhmen me rritje ekonomike të fortë pavarësisht se buxheti i shtetit realizon një deficit buxhetor të ulët. Plani nuk shkoi sipas parashikimit të shpresuar. Rimëkëmbja ekonomike e katër viteve të fundit ishte ndjeshëm më e ngadaltë dhe më e ulët se sa u shpresua në vitin 2013, kur u ra dakord për këtë skemë.

Gjithsesi, tashmë supozohet se ekonomia po rikthehet ngadalë në ekujlibër dhe kjo mundëson që qeveria të realizojë një deficit buxhetor gjithnjë e më të ulët. Reduktimi i borxhit si përqindje e PBB-së do të sigurohet përmes rritjes më të shpejtë të PBB-së në krahasim me rritjen nominale të vlerës së borxhit.

Plani për reduktimin e borxhit konsiderohet si element kyç në rritjen ekonomike pasi supozohet se në mungesë të mundësisë për të investuar në borxhin publik, bankat do të shtyhen të investojnë në sektorin real të ekonomisë duke dhënë kredi për biznesin dhe familjet, gjë që duhet të sjellë rritje të ekonomisë.

Por në rast se qeveria nuk e redukton dot borxhin publik në raport me ekonominë, ose nuk e redukton në të njëjtën masë që kërkohet të reduktohet, atëherë borxhi rëndon mbi rritjen ekonomike.

FMN ka edhe një listë të gatshme të taksave që rekomandon të rriten për të realizuar këtë gjë si dhe problemet se pse të ardhurat e qeverisë nuk mund të rriten pa rritur taksat. FMN thotë se Shqipëria nuk është në gjendje të zbatojë siç duhet ligjet fiskale dhe norma e evazionit fiskal të shkaktuar nga moszbatimi i ligjeve është shumë e lartë. Por shkalla e lartë e evazionit fiskal, sipas raportit të FMN-së shkaktohet veçanërisht për shkak se në Shqipëri taksat janë sakaq të larta dhe jofleksibël, shkruan birn. Një në çdo tre lekë të mbledhura nga buxheti i shtetit lidhet me taksat mbi karburantet apo mbi përdorimin e makinave, apo mbi cigaret, të cilat janë taksa me vlerë fikse dhe si të tilla, nuk rriten bashkë me rritjen e ekonomisë. Taksat që janë në përqindje të vlerës, të tilla si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar apo tatimi mbi të ardhurat janë taksa që kanë shkallë të lartë evazioni. Te tatimi mbi të ardhurat personale, shkaku kryesor se pse nuk rriten të ardhurat kur ekonomia rritet, qëndron te fakti se pagat deri në 30 mijë lekë kanë tatim zero. Për këtë arsye, FMN rekomandon rritjen e akcizës për cigaret, rritjen e masës së kontributeve të sigurimeve shoqërore, (gjë që qeveria e ka bërë në mënyrë indirekte), indeksimin e taksave të akcizës dhe taksave kombëtare mbi karburantet me të njëjtën vlerë me rritjen e inflacionit, vendosjen e TVSH-së për shitjen e parë të apartamenteve, vendosjen e TVSH-së së plotë mbi ilaçet e arsimin, rivendosjen e tatimit mbi të ardhurat personale për pagat e ulëta. Rekomendohet gjithashtu rivendosja e taksimit për biznesin e vogël.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat