Varri i harruar e i dhunuar i shqiptarit të madh Faik Konica

Shqipëria

Varri i harruar e i dhunuar i shqiptarit të madh Faik Konica

Më: 15 dhjetor 2017 Në ora: 19:10
Varri, Faik Konica

Diku nëpër ferrat e parkut të Tiranës gjendet varri i njërit prej shqiptarëve më të shquar të shekullit të shkuar. Është varri i Faik Konicës. Shkrimtari Lazër Stani e ka vizituar këto ditë varrin e  Konicës dhe na përcjell me tekst e fotografi se në çfarë situate ndodhet, sesi është fshehur mes ferrave e drurëve dhe i janë shkulur pllakat. Shqiptarët e para viteve ‘90 ia mohuan amanetin për 50 vjet për t’u prehur në tokën mëmë, ndërsa shqiptarët e pas ’90 e kanë lënë në harresë dhe më keq akoma ia dhunojnë varrin. Përmes një mesazhi shoqëruar me fotografi, shkrimtari Lazër Stani na sjell gjendjen, në të cilën ndodhet varri i shqiptarit të shquar Faik Konica.

“Në këto foto është varri i Faik Konicës, i braktisur, i fshehur mes drurëve, i harruar diku në periferi të Tiranës, në atë që quhet parku i madh i qytetit. Dhe me pllakat e varrit të shkulura, të thyera.

Image

Konicës, mendjes më gjeniale të shqiptarëve në shekullin e shkuar, për pesëdhjetë vjet ia mohuan dy metra tokë për varr në atdheun e tij, duke ia lënë amanetin e tij të paplotësuar. Dhe kur amaneti iu përmbush, barbarët ia dhunuan varrin. Nuk e di se çfarë të ardhmeje mund të ketë një komb që nuk nderon njerëzit e tij të shquar, por nderon barbarët, kriminelët, banditët, sharlatanët, plaçkitësit dhe rrënuesit e tij?! Apo ndoshta ne nuk e duam Konicën, sepse ai si askush tjetër ndër shqiptarë, na e shqiptoi të vërtetën tonë të hidhur, prej së cilës kemi frikë si prej mortjes”, shkruan Lazër Stani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat