Ngrihen dyshime, pse shkoi Lulzim Basha në Skoci?!

Shqipëria

Ngrihen dyshime, pse shkoi Lulzim Basha në Skoci?!

Më: 16 dhjetor 2017 Në ora: 08:26
Lulzim Basha

Në seancën e ditës së enjte kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se nuk ishte e vërtetë që Lulzim Basha ishte në Londër siç kishte njoftuar zyrtarisht Partia Demokratike.

Sipas Ballës, kreu i PD-së ishte në Edinburg, aty ku është edhe selia e kompanisë që ka paguar mbi 670 mijë dollarë për lobimin e PD në Shtetet e Bashkuara.

Dje Balla publikoi në Facebook një foto ku duket Lulzim Basha me bashkëshorten.

Sipas personit që ka bërë foton Basha po udhëton nga Edinburgu drejt Londrës.

"Lulzim Basha nuk është sot këtu në Kuvendin e Shqipërisë, dhe pyetja është: ku është Lulzimi? Ku je Lul? E ke vënë emrin për të folur në seancë plenare, por ti nuk je në Shqipëri, je në Edinburg.

Sot Lulzim Basha është në Edinburg, në qytetin ku është bërë gjoja pagesa e 675 mijë dollarëve.

Ç’kërkon Lulzimi sot në Edinburg? Vendin ku kompania “Biniatta Trade LP” ka rezidencën e vet.

Përse ka ikur Lulzimi në Edinburg? Është shumë e rëndësishme,- e kemi thënë prej ditës së parë,- dhe ende nuk kemi rezultate të para nga puna e Prokurorisë, por kemi një fakt të ri që Luli është gënjeshtar.

Nuk ka nevojë për fakte për të vërtetuar që Luli është gënjeshtar sepse, siç ka thënë edhe zonja Jozefinë, Luli të gënjen edhe kur e pyet se sa është ora.

Kam këtu tre dokumente zyrtare. I pari është procesverbali i Kuvendit të Shqipërisë, datë 30 nëntor 2017, ku Lulzim Basha thotë që të gjitha faturat e pagesave i kanë deklaruar në KQZ.

Po KQZ-ja, ç’thotë KQZ-ja me vendimin që mori dy ditë më parë? KQZ-ja thotë: “Nga shqyrtimi i raportit financiar të Partisë Demokratike, këto pagesa nuk rezultojnë të deklaruara”.

Ku e keni Lulzimin? Ku është Lulzimi sot? Pse nuk është Lulzimi këtu, pikërisht dy ditë pasi KQZ-ja vërtetoi se Partia Demokratike ka paguar në total 875 mijë dollarë, fiks lobing. Po si?

Lobing kanë bërë të gjithë: ku 20 mijë, ku 10 mijë, ku 15 mijë dollarë, por 875 mijë nga të cilat 675 mijë janë të paguara nga një kompani guackë në Edinburg, atje ku është Lulzim Basha sot; dhe pronarë të kësaj kompanie guackë, 3 kompani të tjera me qendër në një mini-shtet në Amerikën Qendrore, në Belizë.

I rrëshqiti Saliut sot, sepse është edhe punë moshe, nuk mban më; dhe përmendi offshoret”, tha Balla në parlament.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat