Kryeprokurori i Përkohshëm, 3 kandidatët votohen të hënën

Shqipëria

Kryeprokurori i Përkohshëm, 3 kandidatët votohen të hënën

Më: 16 dhjetor 2017 Në ora: 10:18
Kryesia

Mazhoranca qeverisëse nën drejtimin e Edi Ramës ka vendosur ta çojë deri në fund zgjedhjen antikushtetuese të prokurorit të ri të përgjithshëm edhe pse të përkohshëm, por që nuk i dihet sa është kohëzgjatja e mandatit. Kuvendi i Shqipërisë ka shpërndarë dje rendin e ditës për seancën parlamentare që nis të hënën në orën 10:00 dhe që do të zgjedhë edhe kryeprokurorin e ri të vendit me shumicë të thjeshtë. Në pikën 5 të rendit të ditës është vendosur projektvendi “Për caktimin e Prokurorit që do të ushtrojë përkohësisht funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm” (Rregullore, neni 111, ligji nr. 97/2016, neni 109, votim me shumicë të thjeshtë). Deri të hënën Partia Socialiste do të këtë kohë 3 ditë për ta zgjedhur (nëse nuk e ka bërë) pasuesin e Adriatik Llallës në Prokurorinë e Përgjithshme, mes kandidatëve, Arta Marku, Ferdinand Elezi dhe Ermira Tafani.

Opozita bojkoton dhe kundërshton

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi gjatë bashkëbisedimit me komunitetin shqiptar të Londrës se Edi Rama po vendos për ta marrë nën kontroll drejtësinë me pushtetin absolut të mbretit, duke qenë vetë kryeministër, vetë gjyqtar, vetë xhelat. Basha tha se shqiptarët e kanë vuajtur këtë nën diktaturë dhe se opozita nuk do të pranojë kurrë që Edi Rama ta kthejë Shqipërinë në të njëjtën gjendje, ku një njeri i vetëm kontrollon me dorë të hekurt Parlamentin, Qeverinë dhe Drejtësinë. “Ky është fundi i reformës në drejtësi dhe ky është hapi vendimtar i rrëshkitjes së vendit në diktaturë. Nëse në datë18 dhjetor Edi Rama zgjedh me votat e tij kryeprokurorin, ky është fundi i shtetit ligjor, fundi i demokracisë dhe opozitës i lind detyra të japë përgjigjen e merituar”- tha Basha.

Kreu i opozitës tha se e vetmja rrugë për një drejtësi të reformuar kalon përmes zbatimit të Kushtetutës siç u miratua në 22 Korrik 2016. I pyetur për situatën e kriminalitetit, lidhjet e qeverisë me krimin dhe alternativën e Partisë Demokratike, Basha tha se duke mbrojtur dhe promovuar kriminelët, Edi Rama e ka futur Shqipërinë në listën e zezë. Lulzim Basha tha se Partia Demokratike e ka treguar me prova, si në rastin e heqjes së vizave, se ka vullnet për ta luftuar krimin. “Krimin do ta shtypim dhe Shqipërinë do ta bëjmë anëtare të Bashkimit Europian dhe shqiptarët nuk do të shkojnë më si refugjatë, por do të shkojnë të punojnë siç punojnë polakët, bullgarët, rumunët, me kokën lart me pasaportë shqiptare dhe të kenë të njëjtat të drejta si çdo qytetar europian. Ky është qëllimi im. Ky është objektivi qe i kam vënë vetes”- tha Kryetari Basha.

Nga ana tjetër, Monika Kryemadhi, me anë të një statusi në rrjetin social Facebook ka folur për bllokimin e Këshilli të Lartë të Drejtësisë. Ajo ka hedhur një akuzë të fortë në drejtim të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Ajo shkruan se lekët e drogës blejnë me ligj shoqërinë civile. Sipas Kryemadhit miliona euro do t’i dhurohen shoqërisë civile që ajo të ofrojë ndihmë juridike. Kryetarja e LSI-së thotë më tej se neni i sponsorizuar nga Edi Rama synon qartas bllokimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe për rrjedhojë të SPAK-ut dhe të Byrosë së Hetimit. “Dje kryetrafikanti që drejton qeverinë bleu me një ligj të posaçëm shoqërinë civile.

Miliona euro do t’i dhurohen shoqërisë civile që ajo, sipas planit të hartuar nga Edi Rama, të ofrojë ndihmë juridike për nenin famëkeq 15 të ligjit për “Ndihmën Juridike të Ofruar nga Shteti”. Ky nen që nuk u propozua nga ekspertët, por u përfshi dhe u miratua dhunshëm nga Edi Rama, me qëllim blerjen si shpërblim ndaj shoqërisë civile, për kryerjen me “sukses” të misionit të bllokimit të reformës në drejtësi. Neni i sponsorizuar nga Edi Rama synon qartas bllokimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe për rrjedhojë të SPAK-ut dhe të Byrosë së Hetimit. Me këtë akt kryetrafikanti i qeverisë, jo vetëm vjedh në mënyrë të turpshme paratë e shqiptarëve, por i shton pushtetit të tij edhe për pak ditë agoninë.” – shkruan Kryemadhi.

Muçi: Ku e gjetën kushtin e 15 viteve prokuror?

Pasi u përjashtua si kandidat për postin e kryprokurorit të përkohshëm, ka ardhur dhe reagimi i prokurorit Besnik Muçi. Nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Muçi tha për gazetarët se i plotëson të gjitha kushtet. Duke cituar Kushtetutën, ai ju drejtua dy deputetëve socialistë, Vasilika Hysi dhe Adnor Shameti, duke iu kërkuar t’i tregojnë se ku e gjetëm kushtin për 15 vite eksperiencë, duke i sfiduar se nëse e gjejnë ai do të tërhiqet dhe do të kërkojë ndjesë. “Mbush 15 vite pas 15 ditë prokuror, në të cilat rreth 10 vjet jam prokuror të Krimet e Rënda.

Përmbush kriteret. Kushtet ligjore: Ja cfarë parashikon Kushtetuta, neni 148 paragrafi 1: Prokurori i përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vite punë, që kanë mbaruar shkollën e magjistraturës. Unë jam duke përfunduar doktoraturën. Kam mbaruar shkollën e magjistraturës, në 2001 jam emëruar prokuror, kam qenë drejtor në Drejtorinë e Krimit Ekonomik-Financiar. Unë sot plotësoj rreth 15 vjet si prokuror. Në vlerësimin tim plotësoj kushtet e një juristi të spikatur. I kërkoj Hysit dhe Shametit ku e gjetën kushtin e 15 viteve prokuror? Nëse i gjejnë unë tërhiqem dhe kërkoj ndjesë”, tha Muçi.

Komisioni i Ligjeve miraton 3 kandidatë, “digjen” 4 të tjerët

Komisioni parlamentar i ligjeve miratoi raportin për shtatë kandidatët për Kryeprokuror të Përkohshëm të Republikës, i cili i përcillet Kuvendit të Shqipërisë. Deputeti i PS lexoi emrat e kandidatëve në garë dhe të dhënat për ta, ku ra në sy se katër prej tyre nuk plotësojnë kushtet ligjore, Arqile Koça, Artur Selamni, Besnik Muçi dhe Granit Shahu, për të qenë në krye të Prokurorisë. Ndërsa tre të tjerët, Arta Marku, Ferdinand Elezi dhe Ermira Tafani përmbushin të gjitha kriteret ligjore pasi kanë shkollën e magjistraturës, gradën shkencore dhe 15 vite përvojë pune si prokurorë.

Pas seancave dëgjimore të zhvilluar dy ditë më parë me kandidatët në garë, Ferdinand Elezi, Arta Marku, Besnik Muçi, Arqile Koça, Granit Shahu, Ermira Tafani dhe Artur Selmani, ILDKP ka dorëzuar pranë komisionit dje paradite dokumentacionin e kërkuar sa i takon pasurive të tyre. Ligjet i përcjellin kështu Kuvendit një raport të detajuar dhe do jetë vota e ligjvënësve seancën e të hënës që do zgjedhë pasuesin e Adriatik Llallës të cilit i mbaroi mandati në 7 dhjetor, seancën e të hënës. PD dhe LSI kanë paralajmëruar se nuk do jenë të pranishëm në Kuvend duke e cilësuar zgjedhjen procedurën e zgjedhjes së Kryeprokurorit si puç kushtetues, ndërsa kanë paralajmëruar për hapa të fortë opozitarë kundër qeverisë dhe kryeministrit Rama.

Plotësojnë kushtet ligjore

Ferdinand Elezi – Përmbush kriteret ligjore. S’ka qenë anëtar, bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. S’ka masë disiplinore.

Ermira Tafani – Plotëson kriteret ligjore. S’ka masë disiplinore.

Arta Marku – Ka mbaruar shkollën e magjistraturës dhe ka gradë shkencore. I plotëson kushtet.

Kandidatët që nuk plotësojnë kriteret

Arqile Koça – Nuk ka gradë shkencore, është në proces të marrjes së titullit. S’plotëson kushtet.

Artur Selmani – Përmbush kushtetin për 15-vjet pune në prokurori. S’ka gradën shkencore në drejtësi. ILDKP ka sjellë informacion jo kalues. Nuk ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit. Nuk ka dënime. Nuk ka as magjistrature e as gradë shkencore.

Besnik Muçi – Nuk përmbush kushtin me 15-vjet pune në Prokurori. S’plotëson kriteret.

Granit Shahu: Nuk përmbush kushtin e vjetërsisë prej 15 vitesh punë si prokuror.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat