10 javë aksion informalitet, nga faljet te mbylljet e bizneseve

Shqipëria

10 javë aksion informalitet, nga faljet te mbylljet e bizneseve

Më: 16 dhjetor 2017 Në ora: 17:31
Ilustrim

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar përfundimin e 10 javëvë të aksionit antiinformalitet. Tatimet kanë bërë të ditur edhe disa nga rezultatet kryesore të aksionit si dhe ecurinë e procesit të faljes fiskale, i cili do të vazhdojë deri në fund të këtij viti.

Sipas tatimeve, ka vijuar procesi i fshirjes automatike i detyrimeve për periudhën përpara viteve 2010 dhe kompensimi me kredi si për periudhën përpara vitit 2010 dhe atë 2011-2014.

Si rezultat i këtij procesi shuma e detyrimit të falur është 17.2 mld lekë (rreth 125 milionë euro) dhe përdorimi i kredisë për shlyerjen e detyrimeve në nivel principali është në vlerën 1.7 mld lekë. Më shumë se 28 mijë tatimpagues kanë përfituar dhe ky proces vijon ende.

Ka vijuar sensibilizimi për të mundësuar mbledhjen e detyrimeve të prapambetura, ku gjatë kësaj periudhe numri i subjekteve që kanë reaguar pozitivisht  është 2,977 dhe vlera është 2.4 mld lekë.

Mbyllen 549 subjekte me shkelje

Strukturat e zbatimit kanë vijuar me verifikimet në territor. Tatimet njoftojnë se janë verifikuar 25,311 subjekte ku 20% e tyre kanë rezultuar me shkelje dhe janë penalizuar.

Janë futur në skemën e sigurimeve gjatë dhjetë javëve të para të aksionit 969 punonjës që janë konstatuar të padeklaruar dhe janë mbylluar 549 subjekte të paregjistruar në organet tatimore dhe për shkelje të tjera për moslëshim kuponi për herë të dytë.

Janë regjistruar 4928 subjekte të reja.

Për dhjetë javët e para të fushatës është mundësuar përfundimi i 15,832 kontrolleve (kontrolleve nga zyra, vizita fiskale apo verifikime në terren)

Kontrollet nga zyra përbejnë 69% të totalit.

Tatimet njoftuan edhe se Shërbimi i tatimpaguesit ka asistuar ballë për ballë 66,647 tatimpagues. 10,779 është numri i tatimpaguesve të kontaktuar për ligjin e faljeve.

Mbi 28 mijë tatimpagues janë kontaktuar për të nxitur vetëkorrigjimin.

11,657 është numri i vizitave këshilluese të përfunduara.

Janë organizuar 86 takime me komunitetin e biznesit në territor.

Qëndra e thirrjeve ka vijuar të ofrojë shërbimet në numrin e vënë në dizpozicion për çdo problematikë dhe suport ndaj çdo tatimpaguesi duke asistuar rreth 15,628 telefonues si dhe përdorues të live chat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat