Islami: Rama do ketë fatin e Sanader, Tahiri do të flasë kundër tij

Shqipëria

Islami: Rama do ketë fatin e Sanader, Tahiri do të flasë kundër tij

Më: 17 dhjetor 2017 Në ora: 14:15
Kastriot Islami

“Largimi i tij do të jetë i “butë” apo me ndëshkim, duke mos përjashtuar edhe largimin përmes protestave qytetare”, këtë skenar sheh ish-deputeti i PD-së Kastriot Islami për kryeministrin Rama.

Islami flet për krizën e politikës për postin e Kyeprokurorit, për qëndrimet e ambasadorëve dhe rrugën e PD-së me grupin e ri parlamentar. Duke u ndalur te çështja “Tahiri”, ish-deputeti i PD-së nënvizon se Rama i friksuar nga ndërkombëtarët po e shtyn ish-ministrin drejt ndëshkimit. Islami i quan vëllezër siamezë dhe të zënë shah-mat. 

“Aq më shumë Tahiri egërsohet duke tundur dosjet e shumta që zotëron për Ramën, ministrat dhe familjarë të tyre; nuk përjashtohet edhe shpërthimi i tij kundër Ramës”.

Të hënën pritet që PS-ja të votojë kryeprokurorin e ri. Opozita deklaron se një vendim i tillë është rënie e demokracisë. Çfarë do të ndodhë një ditë pas zgjedhjes së Kryeprokurorit vetëm nga PS?

Maxhoranca do ta miratojë “prokurorin e përkohshëm”. Dhe opozita do të protestojë pa mundur ta ndalojë. Dhe Rama do të vazhdojë rrugën e zullumeve, duke inkasuar edhe prapësinë e radhës për kapjen korruptive dhe klienteliste të të gjithë elementëve të sistemit. Mundet që kjo situatë t’u duket disave e pashpresë; sepse kështu ndodh gjithnjë në një sistem të qeverisur nga një pakicë autoritare apo oligarkësh, pra të pasurish që drejtojnë vendin duke blerë gjithçka. Kështu ka ndodhur gjithnjë, në Shqipëri e gjetiu. Një gjë është e sigurtë, Rama është nisur në tatëpjetë drejt fundit, megjithëse ai dhe shumë të tjerë as e shikojnë dhe as e besojnë. Gabimet e tij që do të pasojnë deri në fund, do të mund të përcaktojnë vetëm nëse largimi i tij do të jetë i “butë” apo me ndëshkim, duke mos përjashtuar edhe largimin përmes protestave qytetare. Zullumi i radhës, pra miratimi me insistim të Ramës, nga maxhoranca, i prokurorit të përkohshëm është një element më shumë në favor të largimit të Ramës me ndëshkim. Shumicës kjo mund t’ju duket e pabesueshme, por do të vijë dita, madje shumë shpejt, që edhe “Kukullat” e Ramës të kuptojnë gabimet që kanë bërë dje, po bëjnë sot dhe do të vazhdojnë të bëjnë nesër e në vazhdim. Zullumi këputet duke u trashur dhe këputja është shumë afër.

Këtë vendimarrje të PS-së e kanë inkurajuar dhe qëndrimet e ambasadorëve. Pse ndërkombëtarët e mbështesin një qëndrim të tillë të PS-së?

Është iluzion, unë që kam parë shumë në këto 27 vjet e kam të qartë këtë lloj iluzioni “optik”. Për më tepër, s’më takon të merrem me qëndrimet e ambasadorëve, por jam i sigurtë, nisur edhe nga eksperienca 27-vjeçare, që Rama po i shton vetes arsye, edhe me “ndihmën” e ambasadorëve, për tu larguar duke u ndëshkuar si “peshku i madh” jo vetëm i korrupsionit, por mbi të gjitha si “peshku i vetëm” që ka kapur dhe mban peng sistemin. Kështu i ka ndodhur ekzaktësisht edhe kryeministrit Adrian Nastases në Rumani; edhe kryeministrit Ivo Sanader në Kroaci. Këta ishin kryeministra shumë të suksesshëm në vendet e tyre dhe që gëzonin mbështetje dhe nga qytetarët e tyre, edhe nga ndërkombëtarët. “Çuditërisht” ata janë arrestuar pasi kanë futur respektivisht Rumaninë në NATO e BE dhe Kroacinë në NATO, pra kur kishin marrë vlerësimin maksimal nga zyrtarët më të lartë të Brukselit dhe Uashingtonit?! Nuk është e vështirë që Brukseli dhe Uashingtoni të kuptojnë lojën makiavelike të drejtuesve ballkanikë duke mbështetur aspiratat e qytetarëve dhe ndëshkuar veprimet e liderve të tyre të korruptuar e të inkriminuar që gjithnjë tentojnë të kontrollojnë gjithçka.

Z.Lu ka pohuar që në muaj janar do kapen peshq të mëdhenj në Shqipëri. Mendoni se do ndodh kjo gjë? Janë politikanë, apo mafioze?

Lexuesit tuaj për të kuptuar se çfarë do të ndodhë me Ramën në Shqipëri, duhet ti referohen rasteve të ndëshkimit të ish-kryeministrave në Rumani e Kroaci. “Peshk i madh” është ai politikan që s’është vetëm i korruptuar, por që më paratë e korrupsionit kontrollon të gjithë sistemin, pra që e ka kapur sistemin për ta përdorur për të mbajtur dhe forcuar pushtetin e tij personal. Rama është pretendenti kryesor për këtë “postin e peshkut të madh”, ndërkohë që ai po përpiqet t’ja kalojë këtë definicion dikujt tjetër; gjë që dallohet lehtësisht nëse analizohet debati dhe retorika politike që ka nisur në fushatën elektorale të 2017. Ministrat edhe anëtarët e klaneve mafioze janë peshq të vegjël ose cironka që do të kapen gjithashtu, por pasi të kapet “peshku i madh” që kontrollon sistemin. Dhe sa më shumë “peshku i madh” e kontrollon sistemin aq më pranë është kapja e tij kjo po ndodh edhe Ramës, por ai nuk e kupton këtë gjë dhe kështu i ndodh të gjithë drejtuesve autoritarë e të korruptuar.

Dosja “Habilaj-Tahiri” shtohet me fakte të reja. Si e keni parë rolin e opozitën? Besoni se kjo çështje kalohet vetëm me deklarata për shtyp? Po për menaxhimin që qeveria po i bën, është Rama i frikësuar?

Tahiri është i “vdekur” politikisht dhe shumë shpejt do të marrë edhe ndëshkimin penal nga drejtësia e reformuar. Nuk mund të ketë shpëtim për Tahirin në asnjë rrethanë; ai do të jetë “peshku i parë” pas “peshkut të madh” që do ndëshkohet rëndë në mënyrë që modeli i tij të mos përsëritet më nga askush. Rama po përpiqet të shpëtojë nga prapësitë që ai ka bërë së bashku me Tahirin por që nuk i dinë vetëm shqiptarët por edhe shumë shërbime inteligjente dhe kancelari perëndimore. Sa më shumë Rama i frikësuar nga ndërkombëtarët e shtyn Tahirin drejt ndëshkimit aq më shumë Tahiri egërsohet duke tundur dosjet e shumta që zotëron për Ramën, ministrat dhe familjarë të tyre; nuk përjashtohet edhe shpërthimi i tij kundër Ramës. Nga ana tjetër, sa më shumë Rama i friksuar nga Tahiri tenton ta shpëtojë atë, aq më shumë fakte e prova të reja do të nxjerrin ndërkombëtarët. Rama dhe Tahiri janë si dy vëllezër siamezë në shah-mat. Opozita është në dijeni të të gjithë këtyre fakteve dhe analizave dhe po vepron me kujdes, sepse fati i Ramës dhe Tahirit, por edhe i 4-5 ministrave të tjerë të qeverisë Rama s’është i lidhur me radikalizimin e opozitës por me veprimet e SPAK e BKH.

PD flet për një front të gjerë opozitar dhe për aksione, për të cilat ju flisni shpesh. Jeni kundër qëndrimit të opozitës që po punon vetëm me deklarata për shtyp? Duhet të dalin shqiptarët në protesta të hënën?

Veprimet e opozitës janë aksione që i përkasin forumeve partiake dhe opozitare për tu vendosur. Aksionet ekstra-parlamentare të opozitës, sidomos në Shqipëri, gjithnjë kanë qenë komplementare të veprimeve parlamentare dhe duhen gjykuar me urtësi si kusht i nevojshëm por jo i mjaftueshëm për të diskretituar Ramën dhe qeverisjen e tij; sepse ndëshkimi penal do të jetë institucional nga SPAK dhe BKH dhe në fund të fundit ndryshimi politik do të vendoset me votë.

Ministri Bushati ka hedhur akuza se PD-ja bën lobime në Bruksel kundër integrimit me mesazhe dhe presione ndaj eurodeputetëve. Duke parë edhe vizitat e shpeshta të z.Basha jashtë vendit, ekziston një variant i tillë?

Qëndrimet e Bushatit janë qesharake aq më tepër që ai në Bruksel njihej si personazhi-simbol, i stigmatizuar si “email-uesi” anti-integrim i porositur nga Rama. Nuk ja vlen të konsumohet kohë me një ministër të dështuar që Rama e mban në qeveri vetëm si pinjoll të ish-nomeklaturës së lartë së regjimit të kaluar.

Pak ditë më parë, Kryeministri Rama ju drejtua vendeve të BE-së për të ndihmuar Shqipërinë për luftën ndaj drogës dhe krimin kur qeveria ka shprehur fitore me kanabisin. E ka kjo qeveri mbështetjen ndërkombëtare?

Rama është çdo ditë e më i pabesueshëm në sytë e kancelarive perëndimore, gënjeshtrat dhe mashtrimet e tij janë tashmë të qarta jo vetëm për shqiptarët por edhe për kancelaritë perëndimore. Lexoni se çfarë thuhet në median europiane dhe amerikane për Ramën. Ndërkohë është normale që retorika e kancelarive të jetë e kujdesshme dhe me gjuhë diplomatike por kjo gjuhë e kujdesshme nuk do të thotë aspak se ata i japin mbështetje Ramës apo qeverisë së tij apo se nuk kanë dijeni që çfarë ndodh me korrupsionin galopant të qeverisë Rama, me lidhjet e krimit me qeverinë Rama, me kultivimin e kanabisit dhe narkotrafikun. Ata nuk kanë më aspak besim se Rama ka vullnet për të luftuar korrupsionin, krimin dhe trafiqet e drogës. Kjo është përforcuar kur kanë dëgjuar shfaqjet teatrale të Ramës që ju kërkon ndihmë ndërkombëtarëve për të luftuar drogën e krimit ndërkohë që deri dje i mohonte ato. Rama çdo ditë po definohet si problemi dhe jo zgjidhja, si e kaluara dhe jo e ardhmja. Si një klloun që iu hedh syve ndërkombëtarëve dhe nuk mban asnjë premtim.

PD është me grup parlamentar të ri. Për aq sa i keni ndjekur, ka prurje të dobishme? Si do ta cilësonit grupin ku pjesë nuk janë zërat kritikë?

Nuk më lejohet mua të debatoj publikisht e jashtë forumeve partiake për problemet e brendshme, eventuale të opozitës, duke mos mohuar nevojën për një debat dhe diskutim të brendshëm që forcon dhe zgjeron veprimin opozitar.

Disa prej tyre janë shprehur se sot nuk ka PD. Ata e lidhin edhe mbledhjet e strukturës për analizën e zgjedhjeve të 25 qershorit që i cilësojnë farsë. Sa e dëmtojnë PD-në, këto goditje nga ish-deputetët?

PD është krijuar si partia e parë opozitare dhe në fakt është themeluesja e pluralizmit në Shqipëri. Gjykoj se këtë rol PD e ka zhvilluar gjatë këtyre 27 viteve dhe duhet jo vetëm ta ruajë por edhe ta çojë më tej. Pra debatet dhe diskutimet, apo edhe mendimet alternative duhet të mbeten pjesë e funksionalitetit të kësaj partie, dhe unë kam besim se këto cilësi të saj jo vetëm do të ruhen por edhe do të zhvillohen më tej.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat