Dhunimi i 3 kishave në Korçë, policia jep detaje

Shqipëria

Dhunimi i 3 kishave në Korçë, policia jep detaje

Më: 20 dhjetor 2017 Në ora: 15:18
Kisha

Policia e Korçës, pas lajmeve të publikuara në media në lidhje me vjedhjen apo dhunimin e 3 kishave në këtë qytet, sqaron se tre ditë më parë, në datë 17.12.2017, gjatë natës, në lagjen Nr.1 në Korçë kanë tentuar për të vjedhur me thyerje arkën e kishës “Shën Sotiri”, vend kulti ku besimtarët dhurojnë vlera monetare. Personat nuk kanë mundur të realizojnë vjedhjen e vlerave monetare që ndodheshin në arkën e kishës.

Policia kreu të gjitha veprimet procedurale. Janë shoqëruar disa persona të dyshuar dhe janë identifikuar autorët e po punohet për kapjen e tyre.
Përsa i përket lajmit për dhunimin e Kishës së Shën Gjergjit dhe të Shën Marisë, sqarojmë se në Polici nuk ka patur asnjë telefonatë, kallëzim apo sinjalizim nga kujdestarët e këtyre kulteve apo nga persona të tjerë përgjegjës.

Policia është njohur nëpërmjet medias dhe menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë kryen verifikimet përkatëse lidhur me këto raste, ku ka rezultuar se në objektin e kultit të “Shën Gjergjit” e ndodhur në lagjen Nr.12 Korçë është vënë re një ikonë, pjesa e poshtme e të cilës ishte shkëputur dhe ndodhej pranë saj. Nga ekspertiza e kryer dhe informacionet e marra rezulton se kjo ikonë, ka qenë e ngjitur më parë (me silikon) dhe dyshohet se nga kushtet atmosferike apo lagështira një pjesë të jetë shkëputur. Nga kqyrja e objektit, nuk janë konstatuar dëmtime fizike, çka përjashton mundësinë e dhunimit nga ndonjë person.

Ndërsa në arkën e Kishës së “Shën Marisë”, ku qytetarët dhurojnë vlera monetare, e ndodhur në lagjen Nr. 9, dyshohet se persona të paidentifikuar mund të kenë tentuar të hapin drynin me një çelës tjetër të papërshtatshëm, çka ka sjellë edhe bllokimin e tij. Arka nuk është hapur dhe nuk janë konstatuar dëmtime fizike të tjera të objektit.

Në prag të festave të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri 2018, Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, ka hartuar një plan qe parashikon marrjen e masave shtesë duke rritur numrin e shërbimeve dhe kontrolleve të Policisë pranë objekteve te kultit, si dhe në ambiente ku ka shumë grumbullime qytetarësh.

Duke falënderuar qytetarët për bashkëpunimin, i ftojmë të denoncojnë tek Nr . falas 129 i Policisë së Shtetit, çdo rast të paligjshmërisë që konstatojnë. Gjithashtu ftojmë mediat të kontaktojnë Policinë e Shtetit për të konfirmuar informacionet, duke i garantuar për transparencë dhe korrektësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat