Lulzim Basha: Tahiri nuk do i shpëtojë drejtësisë

Shqipëria

Lulzim Basha: Tahiri nuk do i shpëtojë drejtësisë

Më: 27 dhjetor 2017 Në ora: 15:21
Lulzim Basha

Lulzim Basha i ftoi shqiptarët të bashkohen me protestat e opozitës për t’i dhënë fund sundimit mafioz të Edi Ramës, i cili ka për qëllim të përdorë çdo mjet për të ruajtur pushtetin dhe pasurimin personal, kundër interesit të shumicës së shqiptarëve.

Kryetari i Partisë Demokratike e kishte bashkimin me shqiptarët lejtmotiv të turit të takimeve me qytetarët, tur të cilin e nisi nga Tirana.

“Kjo situatë është e paqëndrueshme. Kjo nuk mund të zgjasë më. Politikisht, ky do të jetë viti i fundit i zullumit, Edi Rama  dhe banda e tij e kanë vulosur fatin e tyre. Përballje totale në të gjitha frontet dhe protestë pa pushim deri në largimin  dhe mundjen përfundimtare të së keqes”- tha Basha. Kreu i PD shprehu bindjen se vetëm largimi i Edi Ramës është zgjidhja që vendi të dalë nga kriza politike, ekonomike dhe morale. Ai solli si argument marrëveshjen e imponuar para zgjedhjeve të qershorit. 

“Ajo tregoi para shqiptarëve që zgjidhja hibride nuk funksionon. Që pa larguar shkaktarin e kësaj të keqe, nuk do të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme”- u shpreh Kryetari i Partisë Demokratike. Lulzim Basha e zhvilloi takimin e Tiranës në zonën e Kombinatit, prej nga kishte një paralajmërim për Saimir Tahirin dhe Edi Ramën. “Nuk ka prokuror të përkohshëm, nuk ka prokuror pa veting, nuk ka prokuror politik që shpëton Sajmir Tahirin nga drejtësia. Mbajeni mend, shënojeni dhe ndajeni këtë lajm, këtu, në zonën e tij elektorale me çdo qytetar. Sajmir Tahiri, nuk do t’i shpëtojë drejtësisë, sikundër fati i shefit të tij politik është i vulosur”- tha Basha.

Kreu i Partisë Demokratike tha se beteja e nisur nga opozita në mbrojtje të demokracisë dhe interesit të shqiptarëve, është një betejë e shumicës së ndershme kundër pakicës se korruptuar dhe të kriminalizuar. “Këta janë një pakicë absolute, që u bënë milionerë me paratë e drogës, që u bënë milionerë me konçesionet korruptive. Shqiptarët nuk kanë përfituar nga kjo. Një pakicë absolute që hanë e pinë nga mëngjesi deri në darkë me krimin dhe drogën. Shumica e shqiptarëve janë të ndershëm. Ne përfaqësojmë këtë shumicë absolute. Le ta thërrasim, le ta bashkojmë, le ta përballim, le ta përmbysim pakicën që i ka marrë frymën vendit”- u shpreh Basha.

Apeli i Lulzim Bashës për shqiptarët është të mos pajtohen me të keqen. “Beteja për Kushtetutën është betejë për demokracinë, është betejë për drejtësinë, është betejë për ekonominë dhe ajo sapo ka nisur e ne do ta çojmë deri në fund”-u shpreh Kryetari i Partisë Demokratike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat