Vlerësimi i BE-së për integrimin e Shqipërisë: Viti 2018, mundësia e "artë"

Shqipëria

Vlerësimi i BE-së për integrimin e Shqipërisë: Viti 2018, mundësia e "artë"

Më: 3 janar 2018 Në ora: 20:59
Ilustrim

Në një vlerësim rajonal për BIRN, Komisioni Europian thotë se po punon për një strategji të re për Ballkanin dhe nxit vendet të përqafojnë mundësinë për të përparuar në perspektivën e tyre Europiane.

Zëdhënësja e Komisionit Europian Maja Kocijancic thotë se viti 2018 mund të jetë viti i mundësive për Ballkanin Perëndimor dhe viti kur vendet e rajonit mund të hedhin hapa të pakthyeshëm në shtegun e integrimit të tyre në BE.

Gjithsesi, Kocijancic i tha BIRN se, për të arritur këtë objektiv, vendet  në fjalë duhet t’i bëjnë reformat një prioritet, në veçanti për sundimin e ligjit, drejtësinë dhe të drejtat themelore.

“BE-ja nuk do të bëjë kompromis me kriteret e anëtarësimit. Çfarëdolloj progresi serioz është i kushtëzuar me reforma efektive,” shpjegoi ajo.

Megjithëse shumica e vendeve kanë bërë progres drejt anëtarësimit në BE, Kocijancic shtoi se shumë reforma mbeten në rrugë e sipër, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, drejtësisë dhe të drejtave themelore.

Vendet e rajonit janë në faza të ndryshme.

Mali i Zi dhe Serbia kanë nisur bisedimet për anëtarësim në BE ndërsa Maqedonia dhe Shqipëria kanë marrë statusin e vendit kandidat.

Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova janë shumë më pas por shihen si vende me potencial për të qenë kandidatë për anëtarësim në BE në një pikë në të ardhmen.

BE-ja vijon të ketë një rol të drejtpërdrejtë mbështetës në Bosnjë, përmes misionit ushtarak EUFOR/Althea. Mes viteve 2003 dhe 2012, BE pati në Bosnjë edhe një mision policor.

Në Kosovë, BE vijon të ketë misionin EULEX, i dizajnuar për të mbështetur gjykatat e Kosovës për arritjen e sundimit të ligjit.

Kocijanic tha se BE po punon tashmë për një kuadër të ri për të gjithë rajonin.

“Për të ruajtur momentin pozitiv në përgjithësi, si dhe për të trajtuar sfidat e përbashkëta, Komisioni e gjen të nevojshme që të japë një kuadër të veçantë dhe të dedikuar për mbështetjen e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE,” tha ajo.

Në këtë kontekst, ajo tha se Komisioni po punon për një strategji që do të miratohet në shkurt 2018.

Përveç kësaj, në prill 2018, BE do të prezantojë raportin e vet të përvitshëm mbi Zgjerimin, i cili do të përfshijë raportime të detajuara mbi vendet përkatëse.

“Këto [raporte] do të paraqesin progresin e vendeve drejt plotësimit të detyrimeve për anëtarësim dhe do të vlerësojë shkallën e përgatitjes së tyre për t’u bashkuar me BE-në,” tha Kocijancic.

Rajoni i Ballkanit është gjithashtu prioritar në axhendën e BE-së për shkak se tri vende anëtare nga Ballkani, Bullgaria, Kroacia dhe Rumania, do të mbajnë presidencën e Këshillit të Europës në vitet 2018 dhe 2019 gjatë bisedimeve të rëndësishme për daljen e Britanisë, Brexit.

Ndërsa Kocijancic nuk tha se çfarë ekzaktësisht do të thonë dokumentet e Komisionit të BE-së mbi secilin vend më 2018, BIRN ka marrë inputet e vendit dhe vlerësimet nga zyrtarët e BE-së.

Shqipëria:

BE beson se Shqipëria ka treguar progres të qendrueshëm në të pesë prioritetet kyçe të kërkuara për të lëvizur përpara në procesin e integrimit të BE-së – reforma në administratën publike, reforma në drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit dhe të drejtat e njeriut.

“Tashmë Shqipëria po zbaton reformën në drejtësi dhe në veçanti vetingun e gjykatësve dhe prokurorëve. Ky proces po monitorohet nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit udhëhequr nga Komisioni Europian,” tha Kocijancic.

Imputet nënvizojnë se, siç e ka thënë së fundmi Presidenti i BE-së Jean-Claude Juncker: “Nëse vijohet në shtegun e reformave, Komisioni synon të rekomandojë hapjen e bisedimeve për anëtarësim për këtë vend në gjashtë muajt e ardhshëm”.

Bosnja dhe Hercegovina:

Në lidhje me Bosnjën, Komisioni po përgatit aktualisht një Opinion mbi aplikimin për anëtarësim në BE.

“Ne shohim përpara për të marrë përgjigjet e pyetësorit tërësor të cilin Komisioneri Johannes Hahn ia tha autoriteteve të vendit në Dhjetor 2016. Ne gjithashtu presim që autoritetet e Bosnjës dhe Hercegovinës të respektojnë angazhimet që kanë firmosur për të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme për të përparuar vendin e tyre drejt BE-së,” vërejtën zyrtarët e BE-së.

“Është koha që udhëheqësit e vendit dhe politikanët të kapërcejnë ndasitë entike dhe të punojnë bashkërisht në përfitimt ë të gjithë shtetasve.”

Kosova:

Kocijancic tha që BE pret që Kosova “të angazhohet tërësisht në axhendën e vet për BE: të shtyjë përpara reformat e prapambetura prej kohësh, veçanërisht për sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik, siç është përcaktuar në Axhendën Europiane të Reformës”.

Progresi në dialogun e udhëhequr nga BE me Serbinë, puna drejt normalizimit tërësor të marrëdhënieve, shtoi ajo, do të jetë me rëndësi vendimtare që Kosova të lëvizë përpara në rrugën drejt Europës.

“Ne nxisim qeverinë që të plotësojë kërkesat e mbetura për liberalizimin e vizave, për të plotësuar pritshmëritë e ligjshme të shtetasve,” tha ajo.

Mali i Zi:

BE-ja pret që Mali i Zi të mbetet i angazhuar për objektivin e vet strategjik të integrimit në BE dhe të përshpejtojë dhe zbatojë reformat e nevojshme, në veçanti sundimin e ligjit, i cili vijon të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të bisedimeve.

“Si vendi më i përparuar në bisedimet për anëtarësim, do të jetë e rëndësishme për Malin e Zi që të ulë tensionet dhe të riangazhohet në debatin politik në parlament,” tha BE.

Serbia:

Progresi në Dialogun me Kosovën, puna drejt normalizimit tërësor të marrëdhënieve, konsiderohen me rëndësi kyçe që Serbia të lëvizë përpara në procesin e vet të anëtarësimit në BE.

Serbia cilësohet se ka bërë progres të mirë, ku 12 kapituj të bisedimeve janë hapur dhe dy prej tyre janë mbyllur përkohësisht.

“BE është angazhuar që të ruajë momentin pozitiv dhe të hapë shumë kapituj të rinj më 2018. I takon Serbisë të përcaktojë ritmin e bisedimeve, në veçanti duke bërë progres thelbësor dhe real drejt sundimit të ligjit”.

Maqedonia:

Në lidhje me Maqedoninë, BE-ja tha se ajo pret që qeveria dhe opozita “të vijojnë të zbatojnë marrëveshjen e tyre politike [Marrëveshjen Przino] si dhe Priritetet e Reformave Urgjente, për të risjellë vendin e tyre në shtegun drejt BE-së, në mënyrë që Komisioni të mund të rekomandojë hapjen e bisedimeve për anëtarësim”.

Zyrtarët e BE-së shtuan se Brukseli pret që qeveria të vijojë të forcojë marrëdhëniet me fqinjët./BIRN

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat