Shkëlqim Miri kërkon për herë të tretë lirimin nga qelia, vuan nga probleme shëndetësore

Shqipëria

Shkëlqim Miri kërkon për herë të tretë lirimin nga qelia, vuan nga probleme shëndetësore

Më: 6 janar 2018 Në ora: 15:53
Shkëlqim Miri, gjyqtari i Apelit Tiranë

Pasi kaloi natën e ndërrimit të viteve në masën “arrest në burg”, gjyqtai i pezulluar i Apelit Tiranë, Shkëlqim Miri, kërkon të lirohet. Gjyqtari i akuzuar për “korrupsion” ka apeluar vendimin e 29 dhjetorit 2017, që la të pandryshuar këtë masë sigurie.

 Kërkesa e Mirit është motivuar me problemet shëndetësore që po kalon.

Shkëlqim Miri, gjyqtari i Apelit Tiranë, i arrestuar në nëntor të vitit të kaluar kërkon lirinë në Apelin e Krimeve të Rënda. Ai po hetohet për akuzën e “korrupsionit”, pas dyshimeve të Prokurorisë për marrjen e një rryshfeti prej 30 mijë euro në këmbim të një vendimi të favorshëm.

Përmes avokatit, gjyqtari i pezulluar Miri ka apeluar vendimin e 29 dhjetorit 2017 të Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda. Në këtë datë, gjyqtarja Daniela Shirka nuk pranoi kërkesën e tij për lehtësim të masës së sigurisë “arrest në burg” për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Në ankimin e depozituar në Apel, pretendohet se vijimi i masës shtërnguese mund të sjellë dëme të pakthyeshme në shëndetin e gjyqtarit dhe se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për vazhdimin e kësaj mase ekstreme.

Gjyqtari Miri qëndron i izoluar prej 10 nëntorit 2017, ditë kur policia gjeti në banesën e tij një shumë prej gati 30 milionë lekësh të rinj.

Për shkak të problemeve me shëndetin gjyqtari Miri ai e vuajti këtë masë fillimisht në Spitalin e Burgjeve e mandej në një spital privat në kryeqytet. Në seancën e 29 dhjetorit Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda u njoh me raportin e dy ekspertëve të Mjekësisë Ligjore të cilët ekzaminuan gjendjen shëndetësore të gjyqtarit. Para gjykatës ekspertët pohuan se gjyqtari Miri vuante nga një sëmundje e rëndë dhe se gjendja e tij ishte përkeqësuar. Por sipas mjekëve, atij nuk i rrezikohej jeta nëse qëndronte nën mbikëqyrje spitalore. Kjo kërkesë është e treta në radhën e kërkesave të Mirit për lirim nga qelia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat