Shitjen e policave të sigurimit për automjetet, AMF penalizon disa agjentë

Shqipëria

Shitjen e policave të sigurimit për automjetet, AMF penalizon disa agjentë

Më: 10 janar 2018 Në ora: 16:51
Ilustrim AMF

Që prej datës 1 dhjetor 2017 shitja e policave të sigurimit të detyrueshëm motorrik (MTPL) bëhet nëpërmjet raportimit të tyre në kohë reale përmes regjistrit elektronik të sigurimeve të detyrueshme motorike.

Por gjatë një inspektimi të kryer nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare pranë disa pikave të shitjeve të policave të sigurimit MTPL  u konstatua se ka pasur shitje të këtyre policave të padeklaruara online.

Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare vendosi pezullimin e ushtrimit të veprimtarisë për një periudhë 6-mujore për një agjent në sigurime dhe katër punonjës të shoqërive të sigurimit, ndërsa i është ndaluar ushtrimi i veprimtarisë një agjenti tjetër në sigurime.

Në vendimin e bordit theksohet se kontratat e sigurimit të detyrueshëm MTPL duhet të shiten vetëm nëpërmjet regjistrit elektronik online dhe nënshkrimi i tyre të bëhet vetëm nga ndërmjetësit në sigurime ose nga punonjës të shoqërive të sigurimit, të licencuar nga Autoriteti.

AMF i bën edhe njëherë thirrje konsumatorëve që të kontrollojnë online policën e tyre të sigurimit MTPL në faqen e internetit të Autoritetit, duke plotësuar të dhënat e kërkuara.

Në rast se polica nuk gjendet, ata duhet të njoftojnë Autoritetin, ose strukturat e tjera ligjzbatuese për të mos rënë pre e abuzimeve. Autoriteti informon se do të zhvillojë në mënyrë periodike inspektime në terren.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat