Prokuroria drejt dështimit me pajisjen përgjuese

Shqipëria

Prokuroria drejt dështimit me pajisjen përgjuese

Më: 12 janar 2018 Në ora: 13:47
Haki Çako

Çështja e sherrit për pajisjen që ç`orientoi gjithë vendin një vit më parë, duket se po shkon drejt pezullimit. Ashtu ndodh në të gjitha çështjet e mëdha në vendin tonë, pasi prokuroria vonohet në mbledhje të dhënash konkrete, aq më tepër kur bëhet fjalë për çështje ku ngatërrohen probleme të mëdha të politikës në vend. Kështu është edhe rasti i Imsi Catcher, një aparaturë që s`dihet se ku është, që prokuroria ende nuk ka mundur të gjejë një ekspert të vendos mbi ato informacione që ka patur në lidhje me përdorimin e saj, ku dhe pse, ndërsa ia kanë shkruar edhe palës italiane.

Këta të fundit, ndoshta të zënë më shumë me hetimet për dosjen “Katania”, nuk kanë kthyer përgjigje ende për të. Afatet përfundojnë në majin e këtij viti, ndërsa personat që u ndëshkuan për të thuajse u lëvizen nga radhët ku drejtonin. Ish-drejtuesi i policisë së shtetit, tashmë është larguar nga detyra në të cilën ishte kur ndodhi ajo që u konsiderua edhe ngjarja skandal me përgjimet!

Asnjëherë nuk u mor vesh se kush u përgjua dhe se cilat ishin përfitimet e përdorimit të asaj pajisjeje sidomos në ambientet e një burgu në Tiranë. Por ajo që u bë me dije aso kohe ishte fakti që pajisja u përdor e madje me dijen i të zyrtarë të lartë të ministrisë së Brendshme. Përdorimi i saj, solli një betejë të ashpër institucionale, ndërkohë që hetimet u ndaluan tek sjellja në gjykatë e personave që kishin tagrin të vendosnin për lëvizjen e pajisjes. Haki Çako dhe dy vartës të tij, u pezulluan. Dolën para gjykatës, shkruan shekulli.

Dhanë versionet e tyre, versione që i pranoi gjykata. Çako u kthye në detyrë, ndërsa personi që kishte direkt përgjegjësi për pajisjen, kohë më pas, u largua fare nga Shqipëria. U tha se pajisja ishte vetëm për trajnimin e një skuadre policore. Por jo zyrtarisht Prokuroria pranoi se mjeti ishte përdorur edhe në disa ambiente të tjera, përveç një burgu. Sipas të dhënave pajisja përgjuese lëvizej me makinë titullari, ndërsa në qeli u tha se u përdor për një vrasës me pagesë dhe për një person tjetër, me probleme të mëdha me ligjin dhe i përfshirë në sherr të madh edhe politik.

Kërkesa

Prokuroria e Tiranës mësohet se ka shtyrë edhe 3 muaj të tjerë afatet hetimore për skadnalin “Imsi-Catcher”, një çështje kjo që qëndron e hapur prej dy vitesh nga njësia Task-Force për veprën e “shpërdorimit të detyrës”. Shkak për zgjatje të kohës hetimore është bërë heshtja e palës italiane që nuk ka kthyer ende një përgjigje nëse do ta pranojë apo jo ekspertizën në pajisje. Për këtë arsye sipas burimeve, prokurorët kanë përsëritur me letërporosi kërkesën për të ekspertuar pajisjen Imsi Catcher në mënyrë që të zbardhin dyshimet e tyre a u përdor apo jo kjo aparaturë për të kryer përgjime të paligjshme në Shqipëri apo ajo u përdor vetëm për trajnimin e policisë.

Siç thonë burimet, fillimisht prokurorët kanë marrë në maj 2017 në të cilën italianët konfirmuan se pajisja Imsi Catcher ndodhet në Tiranë në ambientet e ambasadës italiane. Pas datës 23 maj 2017 pala italiane ka heshtur. Por prokuroria e kaloi me një justifikim profesional që përderisa territori i ambasadës konsiderohet tokë italiane, prokurorët nuk mund të sekuestrojnë dhe as të ekspertojnë pajisjen pa dëshirën e italianëve. Prej kësaj kohe prokuroria shqiptare ka përcjellë dy kërkesa referuar të drejtës ndërkombëtare, ku kërkohet që prokurorët të jenë të pranishëm se bashku me një specialist shqiptar për të kryer ekspertizën.

Italianët

Mediat italiane i kushtuan shumë rëndësi atij skandali. Madje në atë skandal u përfshin edhe komponentë diplomatik. Ata vijuan të shkruanin për ditë me radhë për sa i përket ekzistencës së asaj pajisjeje, forcës së saj përgjuese, mënyrës se si kishte kaluar në port pa u kontrolluar nga askush (në fakt, aso kohe radarët më shumë rrinin të fikur se sa në punë edhe pse ishim dhe jemi vend anëtar i NATO-s) ndërkohë u bë me dije se përgjimet ishin bërë me urdhrin e ish-ministrit të Brendshëm. Nga të dhënat e asaj kohe u thanë edhe disa vende të rëndësishme që ishte parë të qëndronte për orë me radhë mjeti që mbartte pajisjen përgjuese, por gjykata nuk pranoi të vijonte gjykimin, mbase për të evituar përplasjen e madhe politike dhe sulmin që partia në pushtet dhe qeveria po i bënin në mënyrë frontale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat