"Vëllai përdorues heroine tentoi vetëvrasjen, babai u operua nga tumori", 18 vjeçarja rrëfen dramën familjare

Shqipëria

"Vëllai përdorues heroine tentoi vetëvrasjen, babai u operua nga tumori", 18 vjeçarja rrëfen dramën familjare

Më: 14 janar 2018 Në ora: 17:12
Albina Kokaj

Vajza më e vogël, Albina na tregon vështirësitë e familjes së saj.

Në këtë sezon të ri të “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare”, do të trajtohet rasti i familjes Kokaj. Albina tregon se babai është operuar nga tumori në gojë, ndërsa vëllai i vetëm i saj është përdorues i heroinës dhe para disa muajsh tentoi vetëvrasjen. Ajo sot ka një mesazh për vëllain dhe të atin.

Albina Kokaj: Familja ime përbëhet nga 6 persona; motra e madhe, vëllai, motra tjetër dhe unë. Edhe mami dhe babi. Babi im është 61 vjeç dhe para 4 vitesh diagnostikohet me tumor, ku detyrohet të operohet dhe duke hequr kështu 2/3 e buzës. Një vit më vonë, ai duhet të operohet sërish që të hapë gojën, sepse goja kishte mbetur shumë e vogël. Por nuk është kjo arsyeja e vetme që unë jam këtu. Unë dua të kem vëllain tim përballë meje, Pjetrin që ne e thërrasim Titi. Ai është 23 vjeç ndërsa unë jam 18. Vëllait dua t’i tregoj që ne jemi forca e tij për çdo gjë. Vëllai ka qenë përdorues i heroinës i rregullt, që në moshë fare të vogël 18 vjeç. Si fillim si çdo bashkëmoshatar i tij, ai donte të provonte këtë ndjesinë që të jepnin lëndët narkotike, por mund të them që kur bëhesh pjesë e një rruge të tillë, duhet të përballesh edhe me kthesat e saj, me udhëkryqet. Ne e pikasëm që përdorte heroinë rreth 2 vite më parë nga fjalët e njerëzve. Thonin që duhet t’i qëndroni më pranë vëllait sepse ai ishte parë në qendër duke përdorur ca lëndë që nuk janë të ligjshme. Por, përpjekjet e familjes sime për të kanë qenë të shumta, sidomos babi. Babi do të japë jetën për vëllain tim. Po mami nuk e shfaq aq shumë. Babi gjithmonë është munduar t’i flasë, ta bëjë të kuptojë që kjo nuk është një rrugë e drejtë për të. Edhe ndoshta, unë mendova se duke qenë këtu përballë meje, ai do reflektonte pak që ta linte të shkuarën pas dhe të jetonim një të tashme dhe të ardhme të lulëzuar.

Ardit Gjebrea: Një baba përdor të gjitha format. Unë di disa raste dhe të reagimeve të ndryshme të familjeve me fëmijët e tyre që përdornin këtë gjë. Ka patur reagime të buta, ka patur reagime të forta. Ka patur kërcënime, ka patur momente kur vet babai i ka thënë djalit do ta provoj dhe unë drogën  bashkë me ty dhe i biri është tmerruar nga kjo gjë. Ka patur momente kur babai e ka nxjerrë djalin nga shtëpia. Cila ka qenë historia e familjes tuaj.

Albina: Babai është munduar gjithmonë që ta mbajë afër vëllain, edhe ka pasur raste kur i thanë që ‘nëse ty të bën të ndihesh mirë kjo gjë, atëherë unë do bëhem shoku jot, të përjetojmë çdo gjë bashkë’. Por reagimi i vëllait ka qenë ‘çfarë e do ti drogën’. Edhe atëherë babai është munduar gjithmonë që ta marrë me të mirë se e keqja nuk është se funksionon. Njeriu duhet të kuptojë më të mirën. Edhe gjithmonë është munduar që ti gjejë ilaçe që ai të kurohet. Në datën 13 Maj familja jonë pëson një goditje, ku vëllai tenton të vetëvaret. Dy ditë më parë nga 13 Maji, ai pësoi një aksident me makinë ku ai shpëtoi fatmirësisht. Por mbrëmjen e 13 Majit kemi qenë unë dhe mami personat që e kemi gjetur vëllain në atë gjendje, të varur në një ndërtesë afër shtëpisë. Zoti ka bërë mrekulli, sepse kur e çuam në spital doktorët thonin që të ngremë duart lart nga Zoti sepse ne nuk kemi ç’të bëjmë. Kishte vetëm 15% jetë, aspak më shumë. Kemi qenë 48 orë përballë derës së reanimacionit ku po prisnim një mrekulli ose më të keqen. Fatmirësisht, lutjet e shpirtit të mamit, të motrave të tij edhe të babit u dëgjuan nga Zoti dhe sot ai është mes nesh.

Ardit Gjebrea: Për cilin motiv e kreu këtë akt? Keni biseduar ndonjëherë në shtëpi?

Albina: Nga depresioni. Ka tentuar shumë herë që të gjejë punë, por puna në zonën e Shkodrës nuk është. Është e pakët, duhet eksperiencë pune, të ketë shkollë. Ndërsa ai nga shkolla hoqi dorë që në ‘9-vjeçare’ dhe nuk e vazhdoi më tej. Edhe kjo ishte një nga arsyet, sepse nuk gjej punë, të kem para mjaftueshëm për të siguruar çdo nevojë që unë kam.

Ardit Gjebrea: Si i siguronte paratë vëllai, sepse që të blesh heroinë kushton apo jo?

Albina: Duke qenë se babai i plotëson çdo nevojë vëllait, çdo kërkesë, normalisht është një djalë i vetëm, ai kërkonte para që të dilte me shoqërinë. Por në të vërtetë paratë shkonin tjetërkund.
Ardit Gjebrea: Në çfarë faze është tani vëllai?

Albina: Vëllai tani po përmirësohet. Ka shumë dëshirë që të mos jetë më pjesë e kësaj rruge. Më shumë se çdo gjë është që të bëjë babin të ndihet krenar. Ashtu siç babi ndihet krenar me ne motrat, edhe me atë do të ndihet krenar.

Ardit Gjebrea: Kam një pyetje…sa vite ka vijuar ai në këtë rrugë dhe prej sa vitesh ai ka këtë reflektim që do të largohet nga kjo gjë?

Albina: Drogën e ka vazhduar rreth 5 vite, por reflektimin më të madh që të heqë dorë e ka data 13 Maj, kur ai rilindi dhe njëherë.

Ardit Gjebrea: Momenti që ai shpëtoi ishte momenti që ai vendosi do kthejë rrugë.

Albina: Po, sepse ai e pa sa e vuajtën mami dhe babi. Babi nga ajo ditë la veten shumë pas dore nuk kujdeset më për të, për veten, vetëm për vëllain. Dhe ne kemi frikë se tumori atij po i avancon sërish. Edhe pasi t’i japë mesazhin vëllait, unë dua që t’i jap mesazh edhe prindërve të mi që duhet të kenë më shumë përkujdesje për veten e tyre.

Ardit Gjebrea: Ti sot konkretisht, çfarë do ti kërkosh vëllait?

Albina: Sot unë dua t’i them vëllait që ai forcë në shpirtin e tij që ta lërë të shkuarën pas, ta hedhë pas krahëve si një ëndërr e keqe.

Stafi i emisionit udhëtoi drejt Bajzës së Malësisë së Madhe për t’i thënë familjes Kokaj se për ta ka një mesazh, dikush ka menduar dhe për këtë arsye janë të ftuar të shkojnë tek “E Diela Shqiptare” për të parë surprizën. Vëllai i Albinës, Pjetri pranoi ftesën e Ardit Gjebreas dhe shkoi në emision për të parë surprizën.

Ardit Gjebrea: Si mendon, kush është këtu?

Pjetri: Shpresoj ta shikoj…

Pjetri apo siç e thërrasin ndryshe Titi, pranon të shikojë personin që ndodhet në anën tjetër të murit. Në ekanin përballë tij shfaqet motra, Albina, e cila i ka bërë këtë surprizë dhe që do t’i japë një mesazh.

Ardit Gjebrea: Do ta dëgjosh mesazhin e saj?

Pjetri: Jam kurioz shumë ta dëgjoj mesazhin.

Albina: Dua të të them këtu në publik se ti je drita e syve tanë edhe ne do të bënim gjithçka në këtë botë për ty. Shumë herë ti je shprehur se unë nuk mund t’i bëj prindërit të lumtur. Askush nga ne nuk e gjen atë forcë brenda nesh. Ne nuk e dimë se ajo forcë ekziston, deri sa ne vendosim ta shfaqim këtë forcë. Unë e di se ajo forcë është brenda teje. Unë dua të të them ty që ta lëmë pas çdo të shkuar. Përveç kësaj unë do doja të kërkoja ty që pasi të vish këtu pranë meje t’i kërkojmë prindërve tanë që të kujdesen më shumë për veten, sidomos babi. Sepse ti e di se sa shumë ai vuan për ty. Ti di çdo sakrificë që ai ka bërë për tt, çdo lot që ai ka derdhur, edhe mami gjithashtu, pavarësisht se ajo nuk e shfaq atë që ndjen, është tip më i mbyllur, ti e njeh shumë mirë. Do doja t’i kërkonim babit që ai të kujdeset më shumë për vete, të bënte vizitat e nevojshme në doktor, sepse ne kemi shumë nevojë për të. Ashtu siç kemi nevojë për ty.

Ardit Gjebrea: E kush nuk do të donte të kishte një motër si kjo.

Pjetri: S’di çfarë të them, kam mbetur pa fjalë. Nuk e prisja të ishte pikërisht kjo.

Ardit Gjebrea: Motra na tregoi me problemet që ti ke patur. Edhe me përdorimin e atyre substancave. Si kanë nisur?

Pjetri: Dëgjo, jeta ime ka qenë si një film i dhimbshëm edhe i trishtë. Jeta t’i sjell ato gjëra ndoshta edhe prej problemeve, prej pamundësive. Duhet të flasësh gjatë edhe ky emision është shumë i shkurtër.

Ardit Gjebrea: Do bëjmë diçka. Do të jap më shumë minuta dhe do ulemi këmbëkryq dhe do flasim sepse dua ta kuptoj këtë fenomen. Pranon?
Pjetri: Pak vështirë e kam të flas, por do flas aq sa mundem.
Ardit Gjebrea: Jam shumë i lumtur. Si e nise këtë rrugë?
Pjetri: Në fillim e kam vazhduar nga ato më të lehtat, si për shembull tek hashashi.
Ardit Gjebrea: Kush ta dha?
Pjetri: E gjeta vet. S’kishte nevojë të ma jepte dikush, ishte kuriozitet që e doja ta provoja.
Ardit Gjebrea: Nga u njohe? Sepse diku e dëgjon…
Pjetri: Normal, e kam dëgjuar se si të tjerët e pinë, si bëhet… Në fillim nuk dija si ta rregulloja edhe isha vetëm kur e mora. Atëherë koha kaloi, unë rashë në dashuri me atë ndjesi që më jepte ngaqë më largonte dhe nga të gjitha mendimet e këqija dhe ndihesha më mirë.
Ardit Gjebrea: Cila ishte ndjesia e keqe që t’i doje t’i largoheshe?
Pjetri: Probleme që nuk ia del dot vetëm
Ardit Gjebrea: Çfarë të mundonte ty? Sa vjeç ishte atëherëm 17-18?
Pjetri: Po.
Ardit Gjebrea: Çfarë problemesh mund të kishe ti 17 vjeç?
Pjetri: Po unë shkollën nuk e vazhdova ngaqë unë ngela në shkollë edhe nuk isha i barabartë me shokët e tjerë. Vendi ku rrimë ne është vend i vogël edhe ato pak vende pune që janë, janë të zëna. Dhe të rrish gjithë ditën, normalisht që të mundon, nuk ke çfarë bën. Edhe ai ishte si të thuash një ngushëllim. Ishte fillimi. Më pas shkova te të tjerat që janë më të rënda për arsye se një djalë në moshën time 23 vjeç normalisht që mendon që si mund ta ndihmoj unë familjen. Atëherë është dhe pjesa tjetër se çfarë do bëj unë për jetën time. Edhe qenë në këtë vend unë them nuk kam shpresë se është vend me shumë pak shpresa. Gjithmonë kam pasur mendimin që të iku diku. Babai im është i sëmurë edhe vazhdon punon akoma çfarë të mundet. Ndërsa unë jam i ri edhe nuk kam forcën që të bëj ato gjëra që duhet të bëj.
Ardit Gjebrea: Dhe ti gjete ngushëllimin aty.
Pjetri: Nuk gjeta ngushëllim. Fillimisht u ngushëllova, por më pas më bëri të varur.
Ardit Gjebrea: Ishe dhe i përkëdheluri i shtëpisë siç na tregoi motra. Babi nuk ta prishte për asgjë.
Pjetri: Ai nuk ma ka prishur kurrë.
Ardit Gjebrea: Po ti pse duhet t’ia prishje qejfin babit?
Pjetri: E kam bërë pa dëshirën time.
Ardit Gjebrea: E di. A ka një moment që ti lufton për të vënë poshtë diçka që të ka vënë ty poshtë? Kur ka qenë ky moment që ti the boll më?

Pjetri: Ai moment ka qenë kur unë vendosa t’i jepja fund çdo gjëje. E ke parasysh atë qiriun që sa e ndez vazhdon dhe digjet. Kur shkon në fund e sheh se është duke mbaruar edhe nuk e duron atë dhimbje.
Ardit Gjebrea: Qiririn tonë e djeg Zoti, nuk e djegim dot ne. Ne s’e dimë kur është fundi i atij qiriri. Nuk mund ta fikim vet. Këtë e fik vetëm ai që është lart.
Pjetri: Po të ishte në pozitën time atëherë do ta kishe kuptuar.
Ardit Gjebrea: Çdo njeri ka vështirësi, mos kujto që dhe unë e kam pasur jetën të lehtë. Ti mendon që të gjithë ne që jemi këtu, nuk kemi momente të vështira në jetë? Por, mendojmë për ata njerëz të cilët na e dhanë jetën. Dhe nuk mund të jemi aq egoistë sa të mendojmë për veten tonë dhe në fund të lëmë dhimbjen e atij që vjen pas.
Pjetri: Kur e shef se të tjerët po vuajnë më shumë se unë…unë vuaj me dhimbje, kurse ata vuajnë shpirtërisht. Ajo dhimbja e atyre mund të jetë më e keqe se sa dhimbja ime. Dhe mendova që të vuajnë njëherë, por jo gjithmonë.
Ardit Gjebrea: E thua ti këtë gjë…Mendon që është ky moment në jetën tënde për të gjetur forcë?
Pjetri: Normalisht jam përpjekur për ta bërë.
Ardit Gjebrea: Mos më bëj të vij në Shkodër dhe të kërkojmë bashkë lart e poshtë punë për ty.
Pjetri: Mund të vish, por nuk gjen, janë të zëna.
Ardit Gjebrea: Të premtoj që do dalim bashkë në Shkodër dhe do kërkojmë punë. Çfarë pune mund të bësh?
Pjetri: Kam mësuar shumë prej babait tim që të bëj punë hidraulike.

Pasi Arditi premtoi të ndihmojë Pjetrin për të gjetur punë në Shkodër, tani është momenti që në studio të vijnë edhe prindërit e Titit dhe Albinës, z.Fran dhe znj.Marinta. Motër e vëlla tashmë janë përqafuar dhe ranë dakord që ai të harrojë të kaluarën dhe nisë një jetë të re. Ata janë gati të mirëpresin prindërit e tyre, të cilët nuk e kanë idenë që pas murit përballë tyre ndodhen dy fëmijët.

Ardit Gjebrea: Çfarë prisni ju sot?
Z.Fran: Nuk e di.
Ardit Gjebrea: Mos ka ardhur ndonjë t’ju kërkojë gocën ose çunin sot?
Z.Fran: Nuk e di…
Ardit Gjebrea: Si mendoni znj.Marinte, do bëni ndonjë krushqi sot?
Znj.Marinte: S’e besoj…
Në ekranin përballë tyre shfaqen dy fëmijët e tyre, Albina dhe Pjetri, të cilët kanë një mesazh për ta.
Albina: Babi, mami…E di se dëshira juaj nuk është të jeni pjesë e kamerave, nuk ndiheni mirë sepse nuk jeni mësuar. Ka një arsye shumë të fortë që sot ju kemi këtu. Nuk duam lotë, lotët i kemi lënë pjesë të së shkuarës. Të shkuarën e kemi hedhur prapa krahëve. Ajo nuk do të jetë më pjesë e jona, ndoshta do të kujtohet thjeshtë si një ëndërr e keqe. Asgjë më tepër. Sot jam me Titin, t’ju falenderojmë për çdo sakrificë që keni bërë. Gjithashtu ne morën një premtim nga Titi se e shkuara nuk do të rikthehet. Në jetën tonë të tashme dhe të ardhme do të mbjellim vetëm lule gëzimi, asnjëherë më lot. Gjithashtu do doja t’ju kërkonim së bashku me Titin që babi të kujdesej më shumë për veten.

Pjetri: Në fakt dua të shtoj edhe unë diçka. Kur ma ke thënë njëherë që nuk jam në gjendje t’i bie mbrapa vetes sepse keni problemet tuaja, jam ndjer keq atëherë kur s’kam mundur të bëj diçka për ty. Dua të të kërkoj publikisht që ti duhet të kujdesesh për veten tënde dhe të tjerat rregullohen.
Z.Fran: Edhe unë kam thënë që kur të jeni ju mirë, vet jam mirë.
Pjetri: Po ne e dimë se ti s’je mirë.
Z.Fran: Çdo gjë rregullohet, por duhet të jeni ju mirë që ne të jemi mirë.

Djali Pjetri u zotua se nga ky moment do të hapet një kapitull i ri për të, por dëshira më e madhe e tij është që babai të kujdeset më shumë për veten, për vet faktin se para disa kohësh është operuar në gojë. Së fundmi, z.Fran nuk është kuruar dhe ekziston rreziku që tumori mund të jetë rikthyer.
Pjetri: Djali i tij 24 vjeç (flet për veten) nuk mund ta ndihmojë në këtë moment….është diçka e rëndë për mua.
Ardit Gjebrea: Pa merak, ka një çun tjetër, më ka mua, do ta çoj unë ta kuroj. Do shkojmë së bashku. Te spitali Hygeia ka mjekë shumë të mirë dhe do të kujdesem unë, do të flas me drejtoreshën znj. Maria që është një super zonjë, që të kujdesemi për babain tuaj.
Pas këtij lajmi të mrekullueshëm për familjen Koka, prindërit dhe dy fëmijët u përqafuan duke shpresuar për një të ardhme të re që tashmë i pret plot lumturi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat