Tensione në Kuvendin e Shqipërisë, ndërpritet seanca

Shqipëria

Tensione në Kuvendin e Shqipërisë, ndërpritet seanca

Më: 15 janar 2018 Në ora: 20:17
Kuvendi i Shqipërisë

(E plotësuar) - Normaliteti në seancën e ditës së sotme në Kuvend ka zgjatur vetëm pak minuta, pasi deputetët e opozitës rrethuan foltoren.

 Pas fjalës së Taulant Ballës, kreu demokrat Lulzim Basha kërkoi të reagonte, por kjo nuk u lejua nga Gramoz Ruçi, ndërsa deputetët e opozitës rrethuan foltoren.

Pas 5 minutave të pushimet të kërkuara nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi seanca ka rinisur sërish. Ndërsa më tej, Kuvendi miratoi me 71 vota programin e punës 15 janar-23 shkurt.

Ka nisur pasditen e sotme sesioni i dytë i legjislaturës së 9-të. Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi u shpreh se shqiptarët kanë pritshmëri të larta në pritje të hapjes së negociatave.

“Gjatë këtij sezoni pritet të miratohen KLP, KLGJ dhe reforma elektorale. Inkurajoj të gjitha grupimet të japin kontributin për miratimin e këtyre akteve”, tha Gramoz Ruçi.

Ndërkohë i pari që e mori fjalën ishte kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, i cili u shpreh se deputetët janë rikthyer në një sallë që është lënë me një shije të hidhur.

“Rikthehehmi në një sallë që e kemi lënë me një shije shumë të hidhur. Në seancën e fundit të këtij Kuvendi u shkel Kushtetuta. Kapja e drejtësisë nga ana e mazhorancës për disa dosje që i kërcënojnë”, tha Vasili.

Ndërkohë Taulant Balla, teksa u referua seancës së fundit në Kuvend u shpreh se opozita ofron një vizion dhune që nuk ka asgjë të përbashkët me Europën ku duam të bëhemi pjesë.

“Sot kuvendi fillon sesionin e dytë të legjislaturës por seanca përmbyllëse e vitit të kaluar ishte shfaqja më e turpshme antiparlamentarizmit faturën për të cilën më lejoni t’ua them, opozita ja la faturën për të paguar popullit shqiptar. Kjo nuk është hera e parë që me veprimet e saj, ajo që ka për detyrë të ofrojë një vizion të ndryshëm nga të bërit shtet, ofron një vizion dhune që nuk ka asgjë të përbashkët me Europën ku duam të bëhemi pjesë. Shqipëria është sot më afër se kurrë çeljes së negociatave çka do të bënte një hap epokal në historinë e Shqipërisë. Nuk e meriton aspak as baltën, as tymin, as dëshpërimin e kësaj opozite që prej dy vitesh udhëhiqet nga frika nga reforma në drejtësi. Të gjithë e mbajmë mend sesi në datë 18 dhjetor në mënyrë të kordinuar brenda dhe jashtë opozita u orvat të bllokonte me pahir këtë reformë në momentin shumë ligjor të caktimit të prokurorit të përgjithshëm të përkohshëm. Pse SHBA dhe BE mbështetën procesin, pse ishin të parët që reaguan duke mbështetur vendimmarrjen e Kuvendit menjëherë atë ditë? Pse përgëzuan Kuvendin për ecjen përpara të procesit të reformës në drejtësi, ndërsa kushdo tjetër syresh këtu që njihet për arsyet kuptimplota që ka për t’iu kundërvënë reformës në drejtësi nuk përdor mekanizmat kushtetues”, tha Taulant Balla.

Në fjalën e tij në seancën e ditës së sotme Parlamentare, kreu i PD, Lulzim Basha u shpreh se mazhoranca shkeli Kushtetutën më 18 dhjetor për të mbrojtur “peshqit e mëdhenj”.

“Kthehemi pas 1 muaji në vendin e krimit. Mazhoranca e kapur nga krimi kreu krimin kushtetues, kapi prokurorinë dhe që prej datës 18 dhjetor janë fshehur kolonat e demokracisë. Ky krim kushtetues i paralajmërua nga opozita, sepse rruga e nisur nga Kryeministri është rruga e aleancës me krimin për të marrë dhe mbajtur pushtetin. E vetmja mënyrë për të garantuar paprekshmërinë e kriminelëve është kapja shkelja e ligjit, e vetmja rrugë është kapja e shtetit para se të shkatërrohen. Menjëherë pas këtij akti, Tahirit ju hoq masa shtrënguese e ndalimit jashtë shteti. Orest Sota u lirua, nga ana tjetër po bëhen përpjekje për të ndaluar hetimet në adresë të Vangjush Dakos dhe Qazim Sajdinit dhe klanit të tij. Mark Frrokut dhe antarëve të grupit “Xibraka” ju ul dënimi në mënyrë lehtësuese dhe çështje të tjera të trafikut të drogës kanë marrë premisa të forta për mbylljen e çështjeve të tyre”, u shpreh Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat