Grabitja në Hipotekë, autori neutralizoi rojën

Shqipëria

Grabitja në Hipotekë, autori neutralizoi rojën

Më: 16 janar 2018 Në ora: 09:26
Ilustrim

Dhjetëra qytetarë, që prisnin në radhë në ambientet e një institucioni publik, janë bërë dëshmitarë të një grabitjeje që ndodhi dje në mes të ditës në Tiranë.

Objekt i grabitjes ishte agjencia e një banke të nivelit të dytë, që operon në ambientet e brendshme të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Një person i vetëm, i maskuar me kapuç dhe shall, nën kërcënimin e armës ka arritur të neutralizojë rojën e Hipotekës dhe është futur në ambientet e brendshme.

Duke u drejtuar armën punonjësve pas sportelit, ai i ka detyruar që t’i dorëzojnë një shumë parash brenda pak sekondash. Më pas, i vetëm është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes, duke dalë i qetë në unazë, në rrugën “Asim Vokshi”.

Burime nga Policia thanë se paraprakisht, nga përllogaritjet e kryera nga punonjësit e agjencisë bankare, dyshohet se shuma e grabitur të jetë rreth 300 mijë lekë të rinj.

Policia ka mbërritur brenda pak minutash në vendin e ngjarjes, por pa arritur të ndalojë autorin. Janë sekuestruar kamerat e sigurisë së disa bizneseve private dhe institucioneve shtetërore, të cilat do të shërbejnë për identifikimin e autorit të ngjarjes. Policia, në njoftimin zyrtar, tha dje se ishin grabitur zyrat e Postës Shqiptare brenda Hipotekës.

Por menjëherë erdhi reagimi i Postës, që hodhi poshtë versionin e Policisë. Sipas Postës, paratë e grabitura i përkasin bankës së nivelit të dytë që operon aty.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat