ISHMP sekuestron 300 shpendë të egër

Shqipëria

ISHMP sekuestron 300 shpendë të egër

Më: 17 janar 2018 Në ora: 17:52
Shpendë të egër

Vetëm pak ditë pasi Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi paralajmëroi nga laguna e Kune- Vainit, ku kryhej Censusi Kombëtar i Shpendëve, për ndëshkim të subjekteve që kapin, tregtojnë apo balsamosin shpendët e rralla, është konkretizuar me sukses aksioni i Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve.

Inspektorët e mjedisit në qarkun Korçë në bashkëpunim me policinë e shtetit dhe doganën në pikën kufitare të Kapshticës kanë sekuestruar ditën e sotme 300 individë faqekuq gardelina, të cilat do të tregtoheshin në shtetin fqinjë.

Shpendët, po transportoheshin në mënyrë të paligjshme me një autobus të linjës Tiranë -Athinë dhe u gjetën në një nga bagazhet e autobusit gjatë aksionit të zhvilluar rreth orës 14.00.

Inspektorët e mjedisit kanë bërë ndalimin në flagrancë të dy drejtuesve të mjetit, me inicialet Dh.B dhe E.V bllokimin e autobusit dhe sekuestrimin e shpendëve. Çështja i është referuar prokurorisë për ndjekje penale ndaj dy shtetasve.

Shpendët e sekuestruar bëjnë pjesë në listën e kuqe të IUCN  dhe kanë statusin mbrojtës në Konventën e Bernës, ku janë llojet strikte të mbrojtura të faunës së egër. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat