"Qeveria ka rënë në hall të madh, Rama ka frikë nga arrestimet..."

Shqipëria

"Qeveria ka rënë në hall të madh, Rama ka frikë nga arrestimet..."

Më: 18 janar 2018 Në ora: 20:29
Dhurata Çupi

Dhurata Çupi, deputete e PD-së, tha në studion e Syri.net se veprimet e fundit të Kryeministrit Edi Rama janë të fundit në funksion të kapjes së sistemit të drejtësisë.

Çupi tha se Rama ka një tendencë të hapur për kapjen e të gjithë sistemit, përfshi këtu edhe KLP dhe KLGJ.

“Ne i kemi qëndruar parimeve kushtetuese dhe respektimit të drejtave të njeriut. Po Çfarë ka ndodhur? Presioni i parë ndaj organeve të vetingut ishte ai i shkurtimit të fondeve. Për KLP dhe KLGJ shumica e kandidatëve nuk plotësonin kriteret, madje as kushtet formale ligjore që parashikon ligji. Por jo vetëm kriteret, por edhe numri i kandidatëve”, tha Çupi.

Deputetja e PD-së tha se opozita nuk ka asnjë arsye pse të ketë frikë nga reforma në drejtësi, pasi ne kemi 5 vjet në opozitë. “Ne jemi të hapur dhe e kemi deklaruar se jemi të hapur ndaj çdo hetimi, por qeveria ka hallin e saj, pasi milionat shkojnë te ata”, tha Çupi.

Duke iu referuar ndryshimeve të propozuara nga PS për rregulloren e Kuvendit, deputetja demokrate theksoi se Kuvendi nuk mund të marrë rolin e një gjykate. “Pse duhet të na vijnë provat neve në Kuvend, provat çohen në Gjykatë”, tha ajo.

Sipas saj, referuar asaj që propozohet, atëherë prokuroria duhet të dekonspirojë provat në Kuvend, të cilat i shërbejnë hetimit.

“Pse kërkojnë që votimi të bëhet në mënyrë të hapur? Që të mbahen peng deputetët”, tha ajo.

Çupi theksoi se reforma në drejtësi ka rënë që nga momenti që në postin e Kryeprokurores u zgjodh një kandidate e pavetuar.  Sipas saj, për shkak të këtyre veprimeve edhe ndërkombëtarët janë të bindur se reformës në drejtësi i është vënë shkelmi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat