Shitet për 5 milionë dollarë uzina e bitumit të ARMO-s

Shqipëria

Shitet për 5 milionë dollarë uzina e bitumit të ARMO-s

Më: 19 janar 2018 Në ora: 13:24
Ilustrim

Uzina e prodhimit të bitumit të rafinerisë ARMO, e cila ndodhet në Fier, është shitur së fundmi në ankand për 5 milionë dollarë. Sipas shkresës së depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit nga përmbaruesit privatë në 15 janar, blerësi është AL.Global Oil, i cili ishte i vetmi që kishte paraqitur ofertë, pasi kishin dështuar tre ankande radhazi për shitjen e uzinës, shkruan monitor. Më herët, sipas korrespondencës së ankandeve, përmbaruesit nuk kishin arritur të shisnin uzinën me gjithë pronat e saj, e vlerësuar fillimisht me 20.6 milionë euro, por që pas tre ankandeve vlera kishte zbritur në 3.5 milionë euro. Ankandi i parë ishte zhvilluar në tetor dhe i treti në fillim të dhjetorit.

Në 9 janar, përmbaruesi TDR u propozoi palëve kreditore, Albpetrol, Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj, Dega e Doganës Fier dhe Bankën Raiffeisen, se pas dështimit të tre ankandeve për shkak të mungesës së interesit, ligji parashikon që “Kur kreditorët që kërkojnë të marrin sendin kundrejt kredisë ianë disa, përmbaruesi gjyqësor deklaron blerës kreditorin që brenda 3 ditëve nga propozimi iep çmimin më të lartë se çmimi i caktuar për ankandin e ri”. Por, disa ditë më pas është paraqitur oferta e AL.Global Oil prej 5 milionë dollarësh, e cila është pranuar nga përmbaruesi, i cili ka vendosur që të kalojë në pronësi të shoqërisë pronat e pranuara prej tij. Blerësi është një kompani e krijuar në vitin 2016 dhe aksionerë të saj janë Arjan Dhimertika, Qazim Qazimi dhe Ridgers Mema.

Ndërsa në bordin mbikëqyrës të kompanisë janë dy sipërmarrës të njohur në fushën e naftës, Shefqet Kastrati i grupit më të madh të naftës në vend, “Kastrati” dhe Frident Kuqi i “Europetrol Durrës Albania”, operatori i dytë më i madh i naftës në vend. ARMO, e krijuar në vitin 1999 si kompani shtetërore, ka dy rafineri, atë të përpunimit të naftës në Ballsh dhe të bitumit në Fier. Rafineria e naftës deri pak javë më parë ishte në përdorim nga kompania offshore IRTC, e cila së fundmi e braktisi atë duke lënë rreth 60 milionë euro të papaguara dhe punonjësit pa paga. Këta të fundit filluan protestat. Në vitin 2008 ARMO u privatizua nga grupi Taçi Oil, që mori në kontroll 85% të aksioneve të ARMO nëpërmjet kompanisë Anika Mercuria Rafinery Associated Oil, AMRA Oil, për 128 milionë euro. Grupi Taçi është tashmë i falimentuar dhe pronari i saj Rezart Taçi është në ndjekje penale për evazion fiskal.

 

Në vitin 2013, azerët e Heaney Assets Corporation blenë paketën e aksioneve të AMRA Oil. Azerët e përdorën për pak kohë kompaninë dhe më pas u tërhoqën. Në 2014-2015, përmes qiradhënies ARMO-n e shfrytëzuan Deveron Oil Albania, TPD-Trading Petrol & Drilling.

Pas një periudhe disamujore ku aktiviteti mbeti pezull në shtator 2016 erdhi ITRC, që e mbylli si gjithë të tjetër, me një fund pa lavdi. 15% të aksioneve të ARMO-s janë ende në pronësi të shtetit, por nga institucionet shtetërore historikisht ka munguar transparenca se çfarë po ndodh me një nga kompanitë më të rëndësishme në vend. ARMO ka një mal me detyrime ndaj shtetit dhe të tretëve, ku vetëm ndaj shtetit detyrimi në total (pa llogaritur fshirjet nga amnistia) i ka kaluar 250 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat