Skandali, i dënuar prej vitesh, por punon në gjykatën e Shkodrës

Shqipëria

Skandali, i dënuar prej vitesh, por punon në gjykatën e Shkodrës

Më: 19 janar 2018 Në ora: 14:55
Ilustrim

Ministria e Drejtësisë kërkon hetim disiplinor për kryetarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Shkodrës, Arben Zefi. Sipas informacioneve të bëra publike nga ministria kjo kërkesë ka ardhur nga denoncimet e disa avokatëve të qytetit të Shkodrës në lidhje me disa shkelje në mos ushtrimin e detyrës së tij, më konkretisht nuk është bërë përcjellja e një vendimi në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. “Nga hetimi i ndërmarrë ka rezultuar se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në shkelje të ligjit, nuk ka përcjellë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve shkurtimin e vendimit penal të formës së prerë për dënimin e shtetasit Artan Dragani, aktualisht kancelar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale të parashikuar nga neni 290/1 i K.Penal.”-shkruan Ministria e Drejtësisë.

Ndërsa më tej kërkon të merren masa për Artan Draganin, pasi ka bërë deklarim të rrem në formularin e vetë deklarimit. Shtetasi Artan Dragani mban postin e kancelarit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër dhe rezulton te jetë dënuar më parë pasi ka aksidentuar për vdekje një grua .“Për pasojë, në Regjistrin e Gjendjes Gjyqësore, ky shtetas rezulton në mënyrë të paligjshme si i padënuar nga gjykatat penale shqiptare.

Ndërsa për kancelarin e kësaj gjykate, Ministrja e Drejtësisë i ka kërkuar Departamentit të Administratës Publike të marrë masat e parashikuara nga ligji, pas konstatimit të faktit se ka bërë deklarim të rremë në formularin e vetë deklarimit.” Edhe pse e bërë publike vetëm ditën e djeshme, Ministria e Drejtësisë i është drejtuar kryetarit Arben Zefi që në dhjetor të vitit të shkuar, ndërsa ky i fundit i ka kthyer përgjigje ministrisë me anë të një shkrese ku i shpjegon se rasti në fjalë ka ndodhur më herët, që në vitin 2012. Sipas gjyqtarit ngjarja ka ndodhur kur ai nuk ishte fare në detyrë, pasi emërimi i tij si kryetar i kësaj gjykate është bërë në vitin 2014.

“Nga verifikimi i librit të protokollit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër rezulton se nuk është dërguar shkurtimi i vendimit penal nr.523(7957) datë 01.11.2012 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër pranë Gjendjes Gjyqësore Tiranë.”-shkruhet në shkresën e dërguar ministrisë nga kryetari i gjykatës Arben Zefi. Më tej shton se pasi ka marrë detyrën në vitin 2014 ka vërejtur mangësi nga ana e Kryesekretarisë, në dërgimin e vendimeve penale në Zyrën e Regjistrit Gjyqësor në Ministrinë e Drejtësisë. “Më marrjen e detyrës si kryetar i Gjykatës në nëntor të vitit 2014, kam konstatuar  mangësi të theksuar nga Kryesekretaria e Gjykatës duke mos u zbatuar neni 481 të Kodit të Procedurës Penale (në atë kohë pa afate të përcaktuara) për dërgimin e vendimeve penale në Zyrën e Regjistrimit Gjyqësor në Ministrinë e Drejtësisë.”

Gjithashtu, Zefi në shkresën e tij bën dije ministren Etilda Gjonaj se për të njëjtën periudhë është konstatuar edhe arkivimi i një dosje penale të kthyer për gjykim nga Gjykata e Lartë pa kaluar në gjykim. “Më lejoni e nderuar që t’u informoj se në periudhën në fjalë është konstatuar (më datë 10.03.2016) edhe arshivimi i një dosje penale të kthyer për gjykim nga Gjykata e Lartë pa kaluar në gjykim. (A.L, i dënuar për kryerjen e veprës penale “Trafikim të narkotikëve” sipas neneve 111 e 112 paragrafi 1,2 të Kodit Penal të Republikës Italiane me 12 vjet dhe 8 muaj burgim.”-shkruan ai, ndërsa thotë se për këtë rast është vënë në dijeni Këshilli i Lartë i Drejtësisë, po ashtu edhe ministria dhe është larguar nga detyra kryesekretari gjykatës. Në përfundim të shkresës Arben Zefi thotë se duke marrë parasysh këto shembuj, raste të tilla mund të jenë të shumta dhe institucioni po punon për t’i evidentuar.

 

Kush është Arben Zefi

Arben Zefi ka ndjekur dhe përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës në vitet 1993- 1994. Fillimisht me vendimin 13, datë 24.11.1993 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë është emëruar ndihmësgjyqtar në Gjykatën e Rrethit Shkodër dhe më pas me vendimin nr. 5 të ‘94 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Shkodër. Vjetërsia në punë si gjyqtar është 24 vjet si gjyqtar. Ndërsa nuk rezulton që ndaj këtij gjyqtari të jetë dhënë masë disiplinore më parë. Në nëntor të vitit 2014 Arben Zefi u emërua si kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Zefi zëvendësoi në atë post Arbër Çelën, i cili ndenji vetëm një vit në krye të gjykatës.

Por Arben Zefi, nuk ishte një emër i panjohur për drejtësinë në Shkodër, pasi prej vitesh ishte pjesë e trupës se gjyqtarëve të Shkodrës, me një karrierë të gjatë në togat e zeza, duke numëruar shumë vendime, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Shkodrës. Gjithashtu ai njihet edhe për vendimet e ngjarjeve të rënda që kanë tronditur Shkodrën, duke qenë kryetar i trupës gjykuese ndaj disa autoreve të vrasjeve të ndodhura në qytetin e Shkodrës. Duke kujtuar këtu të arrestuarit e personave që qëlluan në drejtim të helikopterit të ministrisë së rendit në operacionin anti-drogë në Dukagjin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat