Forcohen masat në burgun e Shënkollit, të dënuarit refuzojnë ushqimin

Shqipëria

Forcohen masat në burgun e Shënkollit, të dënuarit refuzojnë ushqimin

Më: 20 janar 2018 Në ora: 13:55
Burgu i Shënkollit

Shteti duket se ka vendosur të bëjë betejë me të burgosurit e Shënkollit. Madje me të dënuarit e një seksioni të cilët u kapën duke festuar Natën e Krishtlindjes në qeli. Në fakt ata nuk u zbuluan nga asnjë mekanizëm shtetëror por ata hodhën vetë foto në rrjetet  sociale ku gëzonin festën e tyre. Por edhe më herët, të dënuarit që vuajnë dënimet aty kërcënuan me protesta për shkak se një i ri humbi jetën dhe nuk kishte ambulancë ta dërgonte në spital. Ata reaguan ashpër ndërkohë që asnjë masë nuk u mor që atyre t`iu plotësohej kërkesa për të vënë atë ambulancë në dispozicionin e tyre. Por në lidhje me çështjen e vetëvrasjes së 20-vjeçarit në dushet e njërës nga godinat e Shënkollit, drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk reagoi, ndërsa kur u publikua fotoja e tyre duke festuar me raki, u ndërhy. Jo vetëm të burgosurit që gjendeshin në atë foto u degdisen nëpër burgje të tjera dhe ë gjithë trupa policore e burgut u pezullua dhe ndaj tyre nisi masa disiplinore. Mirëpo është mësuar se ditën e djeshme të burgosurit e një sektori sërish kanë reaguar ashpër ndaj masave që janë marrë kundër tyre. Ata pretendojnë se po paragjykohen dhe se masat e ndërmarra ndaj tyre janë në shkelje të të drejtave të tyre. Mirëpo menjëherë pas reagimit të tyre dhe protestës ka reaguar Ministria e Drejtësisë duke bërë një deklaratë ndërsa drejtori i burgut mësohet se ka bërë një takim me të revoltuarit!

Reagimet

Dje u bë me dije se të dënuarit në burgun e Lezhës kanë kundërshtuar masat e forta të ndërmarra nga Drejtoria e Burgjeve duke refuzuar ushqimin. Ministria e Drejtësisë deklaron se zbatimi i këtyre masave ka sjellë reagime nga të dënuar të veçantë të një seksioni, duke refuzuar ushqimin me pretendimin se janë ndaluar të lëvizin jashtë orarit të veprimeve nga njëra dhomë në tjetrën. Por veprime të tilla, sipas Ministrisë së Drejtësisë janë të kundërligjshme, cenojnë sigurinë e institucionit dhe bien në kundërshtim me ligjin. Nisur nga situata e krijuar, Drejtuesi i Drejtorisë së Përgjithshme dhe Drejtuesi i Burgut në Lezhë zhvilluan një takim me personat e dënuar. Pas takimit Ministria e Drejtësisë raporton se situata është normalizuar. Ministria  e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklarojnë se janë të vendosur të reformojnë sistemin e burgjeve duke zbatuar me rigorozitet Rregulloren e Përgjithshme të Burgjeve, Skemën e Sigurisë, dhe të gjitha akteve ligjore e nënligjore që normojnë punën në sistemin e burgjeve, duke respektuar parimet themelore të të drejtave të njeriut. Këto masa në fakt janë marrë vetëm për Lezhën, ndonëse edhe në Tiranë janë dy burgje të së njëjtës siguri që nuk iu nënshtrohen këtyre masave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat