E përjashtuan nga LIBRA për shkelje të rënda, Hafizi reagon dhe sulmon Blushin

Shqipëria

E përjashtuan nga LIBRA për shkelje të rënda, Hafizi reagon dhe sulmon Blushin

Më: 21 janar 2018 Në ora: 11:01
Mimoza Hafizi

Ish-deputetja dhe njëkohësisht themeluese e LIBRA-s, Mimoza Hafizi ka reaguar mëngjesin e sotëm në lidhje me përjashtimin e saj nga partia që nisi.

Me një status në Facebook, Hafizi shprehet se ishte informuar nga mediat, për përjashtimin e saj nga LIBRA për thyerje të etikës.

Ja çfarë shkruan në Facebook, Mimoza Hafizi:

Mbrëmë vonë mora vesh nga mediat se Komisioni i Etikës Libra më paska përjashtuar nga Partia! Plot një javë më parë!!!

Deklaroj se nuk kam shkelur për asnjë çast asnjë normë statutore dhe etike të partisë. Mund t’i mbroj kudo argumentet e mia, edhe përpara Komisionit të Etikës. Komision i cili është mbledhur për të më përjashtuar pa më lajmëruar, pa më dhënë fjalën, pa dëgjuar e pa patur avokatinë time. Në shkelje të çdo norme etike dhe juridike, që respektohet qoftë formalisht edhe në vende e organizime diktatoriale.

Por mora vesh se në mbledhjen e përjashtimit tim kanë marrë pjesë vetëm 2 nga 5 anëtarët legalë të Komisionit. Z. G. K., anëtar që nga prilli 2017, i cili ka zëvendësuar Zj. J. M. të dorëhequr në atë kohë, nuk është thirrur. Z. Dh. B., është thirrur por nuk ka shkuar në mbledhje. Ma konfirmoi se po të kishte shkuar, do kishte votuar kundër këtij vendimi. Edhe Entela Kadriu, zonjë me personalitet të admirueshëm, kontributore me shumë vlera tek Libra, anëtare e këtij Komisioni, ma konfirmoi se nuk është thirrur. E kujtoj këtë zonjë në qëndrimin e vendosur dhe arsyetues që mbajti në mbledhjen e Komisionit të Etikës në maj 2017, për të mos përjashtuar nga listat e kandidatëve për deputetë një djalë të ri nga Saranda, për të cilin Libra është shprehur publikisht dhe ka qenë krenare për koherencën e saj. Dhe ky vendim në saje të Entelës. Para një jave, kur Komisioni duhej të vendoste me unanimitet përjashtimin tim, Entela nuk u thirr. Kush pra paska vendosur për përjashtimin tim? Me matematikën e një partie përjashtuese, 40%=100%? Ky është unanimiteti?

Përjashtimi im nga Libra është akt nul si nga forma, ashtu dhe nga përmbajtja juridike. Ai fyen të gjithë Librat. Por ai shkëlqen më fort me imoralitetin e vet politik në ditën e fundit në Libra të z. Blushi. Një njollë më shumë, të cilën ai zgjodhi ta merrte me vete pikërisht në ditën e vetëlargimit.

Udhë të mbarë Ben! Ti ike nga Libra në fund-Janar 2018 me argumentet e qershorit 2017. Nëse vota e shqiptarëve me 25 Qershor të tronditi dhe “populli të zhgënjeu” aq shumë sa vendose të ikësh, ç’pate që vazhdove edhe 7 muaj të tjerë ta ngatërrosh e ta hutosh këtë organizatë? E ktheve Libran në një roman të denjë thriller për nga konfliktet, intriga, përçarjet, përjashtimet, fyerjet. E ktheve në një kaos antiligjor dhe në shkretëtirë njerëzore, E zhbëre në një grup mjerisht të vogël.

Çfarë bëre këta 7 muaj Ben? Këtë duhet t’ia kishe sqaruar anëtarëve Libra në ditën e ikjes. E kishe detyrim!

E pra, unë nuk mund ta lë Libran. As se ti don të më përjashtosh, as nuk mund të jap dorëheqjen. Se po ta lë, e kam të vështirë të shoh në sy ata qindra e qindra vetë që i takova ditë pas dite e muaj pas muaji për t’i bindur të jenë pjesë e një ëndrre e shprese. Ata njerëz që bënë e dhanë çfarë mundën për këtë organizatë. E që sot pyesin me të drejtë: A mos Libra ishte një gënjeshtër? A ishte thjesht një makinë e ngritur për karierën e një njeriu? Që kur nuk e arrin, meriton të braktiset e të shkatërrohet?

Libra duhet të vazhdojë! Me parimet e para. Vetëm kështu populli do ta çmojë e do ta votojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat