Falimentojnë spitalet e rretheve, prindër dhe fëmijë radhë të gjata në pediatri

Shqipëria

Falimentojnë spitalet e rretheve, prindër dhe fëmijë radhë të gjata në pediatri

Më: 22 janar 2018 Në ora: 13:51
Pamje nga pediatria

Sezoni i gripit ashtu si çdo vit tjetër edhe këtë herë ka bërë që në Urgjencën e Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” të krijohen radhë të gjata me pacientë të vegjël të cilët presin të marrin kujdesin shëndetësor. Ndonëse premtimet kanë qenë të shumta për reformimin e shëndetësisë, nga viti në vit sërish qytetarët janë të detyruar të kalojnë momente të tilla, ku janë të detyruar të presin orë të tëra për të bërë një vizitë. Kjo jo për faj të mjekëve, por siç thonë edhe vetë pacientët sepse nuk funksionojnë siç duhet qendrat që ata kanë pranë shtëpive dhe nuk kanë besim në shërbimin që do të marrin atje.

Ndërsa ambienti në Urgjencën e Pediatrisë në QSUT është “pushtuar” nga qytetarë nga Tirana, por jo vetëm, korridori i vogël i urgjencës duket se ka më shumë njerëz se sa molekula oksigjeni. Një situatë aspak normale dhe mbi të gjitha shqetësuese, pasi në një kohë kur virozët janë të përhapura, ambiente të tilla duhet të kenë më shumë hapësira. Në urgjencë janë vetëm dy dhoma vizitash  ndërsa në pritje për të marrë kujdesin shëndetësor janë shumë fëmijë, e nga ana tjetër prindërit nervozohen për këtë.

Një prej tyre thotë se ka rreth një orë që është në pritje dhe akoma nuk ka mundur të bëj vizitën. Dhe duket se e gjithë kjo situatë shkaktohet pasi besimi i qytetarëve te qendrat më të afërta shëndetësore është i ulët, një gjë të tillë e ka konstatuar edhe qeveria Rama 1, por që nuk ka bërë asgjë për ta ndryshuar. Kjo situatë rëndohet edhe nga largimi i mjekëve dhe mungesa e profesionistëve për spitalet e rretheve. Edhe vetë qytetarët të cilët të pyetur nga “Shekulli” tregojnë se nuk kanë besim në shërbimin që marrin në zonat e tyre dhe kjo bën që të vijnë në QSUT. “Ne jetojmë në Tiranë prej kohësh, por për fundjavë ishim në Lushnjë.

Nga djali që e kam 6 muajsh kemi ardhur me urgjencë në Tiranë. Në qendrën shëndetësore që është pranë shtëpisë nuk shkova fare, se aty një mjeke është dhe ajo nuk është gjatë gjithë kohës. Por edhe të spitali i Lushnjës që isha, nuk më jepte askush siguri. Më sorollatën jo në katin e parë, jo në katin e dytë. Njëherë më thanë nuk është asgjë do t’i zbres temperatura, pastaj më thanë ta fusnim në terapi që t’i shpëtonim trurin a ku di unë. Deri në momentin që morëm një vendim bashkë me burrin që të vinim në Tiranë, se aty më dukej se po ta preknin djalin do ma bënin më keq. Ka qenë një ditë nga ato që t’ia tregoj dheut.”-tha një qytetare nga Lushnja e cila për një shërbim më të saktë zgjodhi të vijë në QSUT.

Një tjetër qytetar i cili rrëfen se kishte më shumë se 1 orë që priste për të vizituar vajzën e tij 5-vjeçare, thotë se kjo gjendje është e përvitshme, apo që ndodh në çdo sezon virozësh. “Edhe në pranverën e vitit të shkuar kam pritur këtu shumë gjatë, ishte pothuajse e njëjta situatë.-tha ai. Ndërsa i pyetur se pse erdhi në QSUT kur mund të kishte shkuar te mjeku i familjes tha: “Te kush mjek aman?! Ne edhe se kemi kulturë këtë, por as nuk kemi besim. Unë aty shkoj vetëm për vaksinat, se për të tjerat nuk kam besim.” Duket se edhe mjekët vetë apelojnë që pacientët të shkojnë në fillim te mjeku i familjes që të shmangen radhë të tilla.

“Edhe mjeku më tha se duhet të kisha shkuar te mjeku i familjes, por unë njëherë kam shkuar aty dhe kam marrë ilaçe kot, jo më të çoj fëmijën.”-thotë një tjetër  qytetar që pas 30 minutash ia kishte dalë të mbaronte punë. Por një situatë e tillë pak muaj më parë ndodhi edhe në Urgjencën e QSUT, kur i gjithë stafi i mjekëve paralajmëroi se do të jepte dorëheqjen nëse situata e mbingarkesës nuk zgjidhej. Edhe sipas tyre këtë e shkaktonte fakti që qytetarët për një problem shkojnë menjëherë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, duke anashkaluar mjekun e familjes. E nga ana tjetër qytetarët justifikohen me faktin se nuk gjejnë shërbimin që duhet në zonat e tyre dhe prandaj vijnë në Tiranë.

Premtimet për shëndetësinë

Që në programin vitit 2013-2017 qeveria Rama 1 e konsideronte shërbimin e kujdesit shëndetësor parësor si me shumë probleme dhe të lënë në harresë, e pavarësisht premtimeve për më shumë vëmendje, duket se asgjë nuk ka ndryshuar.

Kanë kaluar plot 5 vite nga këto premtime dhe gjendja vazhdon të jetë e njëjtë. “Konstatohet se shërbimi i kujdesit shëndetësor parësor tek ne, tradicionalisht, mbetet i nënvleftësuar, si shtojcë e shërbimit shëndetësor spitalor dhe ndeshet me probleme te rënda. Aktualisht zgjidhen vetëm 25% të problemeve shëndetësore të popullatës dhe këto të fundit, me cilësi të pamjaftueshme.”-shkruhej në programin e qeverisë Rama 1.

E ndërsa në programin e qeverisë për këto katër vite vazhdohet ende me premtimin për një shëndetësi falas që i përfshinë të gjithë dhe që kujdesi shëndetësor do të merret sa më pranë vendbanimit, por pa treguar asnjë strategji si do të arrihet.

“Të vetëdijshëm se mbulimi universal bëhet i prekshëm për qytetarët nëse shoqërohet me qasje në shërbim dhe cilësi universale, ne do të investojmë në infrastrukturë institucionesh shëndetësore, teknologji biomjekësore dhe burime njerëzore me qëllim që kujdesi shëndetësor bashkëkohor të ofrohet sa më pranë vendbanimit të qytetarëve.”-shkruhet në programin e qeverisë “Rama 2”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë: Shqipëria në prag epidemie nga gripi

Organizata Botërore e Shëndetësisë në raportin për përhapjen e gripit në vende të ndryshme të botës, e konsideron Shqipërinë në prag epidemie të gripit. Sipas statistikave të publikuara për muajin e parë të vitit 2018, numri i të prekur nga gripi shkon rreth 15 mijë persona, ndër ta, të prekur nga virus i tipit AH1N1 dhe të tipit B. Ndërsa nga raporti Institutit të Shëndetit Publik rezultojnë rreth 11 mijë raste infeksione respiratore, ndërkohë që në urgjencën e infektivit në QSUT rastet variojnë nga 15-30 persona në ditë. Shtimi i rasteve konfirmohet edhe nga mjekët të cilët po përballen me një fluks të madh të pacientëve.

Duket se grup mosha më e prekur është ajo e fëmijëve, por të rrezikuar mbeten edhe të rriturit. Ndërkohë që prej dy javësh Urgjenca Pediatrisë në QSUT përballet me fluks vizitash. Këto statistika sipas ekspertëve janë normale për sezonin, por sërish qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm. Me herët shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino në një deklaratë për shtyp tha se janë analizuar mostrat e para për virusin e tipit AH1N1, ndërsa rekomandoi qytetarët të vaksinohen që të parandalojnë prekjen nga gripi. “Kemi analizuar mostrat e para me virusin e tipit AH1N1. Janë tre mostra të analizuara në laborator.

Nga analizat po vëmë re që po qarkullojnë viroza të tjera që shkaktojnë infeksione në rrugët respiratore. Qytetarët janë ende në kohë të bëjnë vaksinën anti-grip. Jemi në pragun epidemik.”-tha ajo. Ndërkohë sipas mjekëve gripi nuk duhet të neglizhohet dhe që në shenjat e para të tij qytetarët duhet të konsultohen me mjekun e familjes. Mjeku i familjes duhet të vlerësojë me seriozitet të gjitha shenjat me të cilat çdo i sëmurë dyshohet i infektuar me virusin e gripit. Përdorimi i medikamenteve kundër gripit si Tamiflu apo të tjerë është i përshtatshëm vetëm me rekomandimin e mjekut dhe kur ai e shikon të arsyeshme.

Një gjendje gripale mund të bëhet problematik në persona që janë shumë të ndjeshëm për shkak të kushteve fiziologike siç mund të jenë fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe gratë shtatëzëna. Si këto grupe fiziologjike por jo të sëmura që bëhen të ndjeshme ndaj virusit dhe në grupe të caktuara popullatash janë edhe personat me sëmundje kronike. Sipas mjekëve përveç vaksinimit disa nga mënyrat efikase të parandalimit të përhapjes së virusit janë edhe disa veprime të përditshme si larja e shpeshtë e duarve dhe të mos qëndrojnë gjatë në ambiente të mbyllura.

Kjo sepse gripi transmetohet si me sperkla ashtu edhe nëpërmjet sekrecioneve që mund të kenë mbetur te sendet. E ndërsa  gjatë kësaj kohe prindërit duhet të tregojnë kujdes ndaj fëmijëve të tyre, kjo pasi një tjetër sëmundje që prek moshën e vogla siç është fruthi, ka prekur disa fëmijë. Në shërbimin e pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, kohët e fundit u raportuan rreth 17 raste fëmijësh të prekur nga fruthi. Ndërsa gjendja tani konsiderohet në kontroll.

Spitalet në rrethe në emergjencë për stafe

Qendrat spitalore në rrethe po vuajnë pasojat e mungesës masive të stafeve dhe mjekëve specialistë. Sipas një shkrimi të publikuar nga Monitor, në vitin që lamë pas, situata duket se është rënduar edhe më tej. Kjo pasi spitalet rajonale bën shpallje masive për vende të lira pune. Spitali i Përmetit shpalli njoftimin për 12 vende të lira vetëm për mjekë.

Qendra spitalore në Përmet kërkonte të punësonte dy mjek kirurgë, pediatër, obstetër, mjek për ORL, kardiolog, mjek për terapi intensive, radiolog, mjek për bankën e gjakut, etj. Në situatë të ngjashme janë edhe spitalet në qytetet të tjera, sidomos ato periferike. Qendra spitalore rajonale e Vlorës gjatë vitit të shkuar nxori shpalljen në Buletinin e Prokurimeve publike për 15 mjekë dhe 21 infermierë.

Por, duket se mungesat më të mëdha janë në spitalin e Sarandës. Shpallje për vende të lira pune kanë bërë edhe spitalet e tjera, teksa në disa prej tyre prej vitesh punojnë me mungesa të theksuara në staf. Shërbimi i radiologjisë vijon të jetë problem ne shumicën e spitaleve te rretheve. Një nga shkaqet kryesore të boshatisjes së spitaleve ne rrethe është edhe emigracioni. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, migrimi i madh i brendshëm nga zonat rurale në zonat urbane ka ndikuar në keq konfigurimin e rrjetit të ofruesve të kujdesit shëndetësor ndaj nevojave të popullsisë, ka argumentuar dikasteri i shëndetësisë në një raport të posaçëm për emigracionin. Kjo lëvizje ka ndikuar edhe në ndryshimin e raporteve të mjekëve dhe infermierëve me popullsinë.

Numri i mjekëve për banorë është në nivelet më të ulëta në Evropë, ndërkohë që numri i personelit infermieror është i krahasueshëm edhe me disa vende të Bashkimit Evropian. Numri i mjekëve për 10 mijë banorë është 12.7. Ministria e Shëndetësisë vë në dukje se megjithëse Shqipëria vazhdon të investojë për formimin dhe edukimin e personelit infermiror, një pjesë e tij po largohet nga vendi, të tërhequr nga njohja e diplomës dhe ofertat e punës për paga më të mira në vendet e Evropës Perëndimore, si: Itali, Gjermani etj.

Shpërndarja jo e njëtrajtshme e personelit mjekësor sjell pabarazi në aksesin ndaj shërbimeve të kujdesit shëndetësor. Megjithëse popullata gjatë këtyre viteve në zonat urbane është më e madhe se ajo e zonave rurale, nevojitet një shpërndarjeje më e mirë e mjekëve të përgjithshëm. Në disa zona ka rritje të ngarkesës për mjek kundrejt normës së mbulimit të popullatës. Braktisja nga ana e personelit shëndetësor të zonave të vështira rurale, si dhe lëvizjet e brendshme të popullsisë vështirësojnë planifikimin e nevojave të burimeve njerëzore në këtë sektor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat