Dështon reforma në energji, BB: Nuk u reduktuan humbjet

Shqipëria

Dështon reforma në energji, BB: Nuk u reduktuan humbjet

Më: 22 janar 2018 Në ora: 21:03
Edi Rama

Banka Botërore thotë se reforma në energji nuk arriti objektivat e uljes se humbjeve të energjisë në rrjet, ndaj i sugjeron qeverisë rishikimin e planit për rimëkëmbjen financiare të sektorit energjetik.

Banka Botërore thotë se reforma në energji nuk arriti objektivat e uljes së humbjeve të energjisë në rrjet. Në raportin e fundit mbi projektin e rimëkëmbjes energjetike, Banka Botërore nënvizon se programi i investimeve të Operatorit të Shpërndarjes nuk ka dhënë efekte uljen e humbjeve.

“Programi i shpenzimeve kapitale të kompanisë së shpërndarjes së energjisë, OSHEE nuk ka dhënë rezultat tek humbjet, duke devijuar nga programi vjetor në 28 për qind kundrejt 26 për qind dhe 22 për qind që ishte objektivi respektivisht për vitet 2016 dhe 2017”, thotë BB.

Në tre vitet e fundit OSHEE ka bërë mbi 20,8 miliardë lekë, ose 150 milionë euro investime vetëm në rrjetin e shpërndarjes. Por, këto shpenzime, të cilat paguhen nga qytetarët nuk kanë qenë efektive për të ulur humbjet.

Sipas Bankës Botërore, niveli i humbjeve teknike në rrjetin e shpërndarjes nuk ka ndryshuar pothuajse fare që nga fillimi i programit, kur kompania e shpërndarjes kaloi në administrim shtetëror.

15,3 për qind ka qenë baza kur ka nisur monitorimi dhe tre vite më pas ky nivel është 15 për qind, ndërkohe deri në fund të 2019, Shqipëria duhet të arrijë një nivel të humbjeve teknike prej 12,6 për qind.

Banka vlerëson se vit pas viti është bërë progres në disa pjesë, por situata financiare është përkeqësuar në 2017 si pasojë e importeve të larta.

Sipas të dhënave të Bankës e gjithë ulja e humbjeve ka ardhur nga pjesa jo teknike, që lidhet me ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme, por edhe ky objektiv duket larg.

Në këto kushte, Banka Botërore i rekomandon Qeverisë dhe agjencive të tjera zbatuese të programit, rishikimin e planit për rimëkëmbjen financiare të sektorit energjetik, për të cilin banka shprehet e gatshme të japë mbështetjen e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat