Kokëdhima: Tre kushtet që ZGJIDHJA të bashkohet me PD-në në frontin opozitar

Shqipëria

Kokëdhima: Tre kushtet që ZGJIDHJA të bashkohet me PD-në në frontin opozitar

Më: 25 janar 2018 Në ora: 13:29
Kreu i ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima

Kreu i ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, në një deklaratë për shtyp ka bërë me dije se partia që ai drejton nuk do të marrë pjesë në protestën e thirrur nga PD-ja.

Kokëdhima thekson se ka tri kushte për t’u bashkuar me Partinë Demokratike në një front të gjerë opozitar kundër qeverisë së krimit, drogës dhe korrupsionit të Edi Ramës.

“Ftojmë qytetarët e Shqipërisë, anëtarët, mbështetësit dhe simpatizantët e ZGJIDHJA-s, t’u bashkohen banorëve të Verrisë kundër inceneratorit të vdekjes dhe për lirimin e demonstruesve të arrestuar”, thuhet në deklaratë.

Deklarata e plotë

ZGJIDHJA mbështet çdo protestë paqësore. Partitë e vjetra, veçanërisht PS dhe PD janë në bashkëpunim e marrëveshje me njëra-tjetrën, bëjnë sikur zihen e luftojnë, por në fakt mbajnë e alternojnë njëri-tjetrin në pushtet. Kërcënojnë se do i burgosin qeveritarët e korruptuar të palës tjetër, por sa vijnë në pushtet, sigurojnë njëri-tjetrin që të mos u hyjë gjemb në këmbë. Populli është përdorur, gënjyer, mashtruar, shtypur, vjedhur, pushuar nga puna, diskriminuar, ofenduar, lënduar, gjobitur, dënuar, rrahur e vrarë, varfëruar e shkelur dhe është detyruar të braktisë vendin dhe atdheun e vet.

Këto parti janë pa demokraci e standarde, janë sh.p.k-të e kryetarëve të tyre, organizata kriminale që kanë rrënuar e shkatërruar plotësisht shtetin, ekonominë, arsimin, drejtësinë, shëndetësinë, mbrojtjen jokolektive, institucionet, zgjedhjet, liritë politike, ekonomike dhe njerëzore, pasuritë natyrore, peizazhin, mjedisin; gëzimin, vlerat dhe dinjitetin e popullit, besimin se ky vend bëhet, shpresën e njerëzve te e sotmja dhe e ardhmja e shtetit dhe e kombit tonë.

ZGJIDHJA nuk do t’i bashkohet protestës së 27 janarit, mbështetësit e saj nuk do marrin pjesë në të. ZGJIDHJA ka tri kushte për t’u bashkuar me Partinë Demokratike në një front të gjerë opozitar kundër qeverisë së krimit, drogës dhe korrupsionit të Edi Ramës:

1) PD të distancohet qartazi dhe haptazi nga të gjitha aktet e saj antikombëtare dhe antipopullore të kryera në të shkuarën e afërt kur qeverisi Shqipërinë.

2) PD të distancohet prerazi dhe përfundimisht nga çdo marrëveshje e fshehtë dhe pazar me Edi Ramën për të mbajtur peng zgjedhjet dhe për të mos lejuar demokratizimin e tyre.

PD ta kushtëzojë pjesëmarrjen në parlament vetëm me kryerjen urgjente të reformës zgjedhore gjithëpërfshirëse, e cila duhet t’i çlirojë përfundimisht zgjedhjet shqiptare nga komisionerët e PD-së dhe të PS-së, të garantojë votim dhe numërim elektronik në qendrat e votimit dhe të gjitha standardet europiane të zgjedhjeve të lira. I vetmi vend në botë ku zgjedhjet administrohen nga dy parti dhe jo nga shteti, është Shqipëria. Reformën zgjedhore duhet ta udhëheqë prezenca e OSBE-së në Tiranë.

3) Qeverisja e mirë e Shqipërisë do të fillojë kur sovraniteti politik t’u merret kryetarëve të partive të vjetra dhe t’u kthehet qytetarëve të zakonshëm dhe taksapaguesve shqiptarë. PD të deklarohet sinqerisht në mbështetje të projektit të ZGJIDHJA-s për demokratizimin e qeverisjes dhe të shoqërisë shqiptare.

Pa plotësuar këto tri kushte, nuk do ketë bashkëpunim me partitë e vjetra. Ne do t’i luftojmë deri në fund ato si armiq të lirisë dhe të së drejtës legjitime të popullit tonë për të ndërtuar mirëqënien dhe jetën e merituar.

Ftojmë qytetarët e Shqipërisë, anëtarët, mbështetësit dhe simpatizantët e ZGJIDHJA-s, t’u bashkohen banorëve të Verrisë kundër inceneratorit të vdekjes dhe për lirimin e demonstruesve të arrestuar,

T’u bashkohen naftëtarëve të Ballshit dhe të Fierit që janë flakur rrugëve të vjedhur, të braktisur e të sëmurë,

T’u bashkohen studentëve të fakulteteve të Tiranës kundër diskriminimit ekonomik dhe tarifave të larta të studimeve, kundër tarifave për gjuhët e huaja dhe dyfishimit të tarifave për provimet e mbartura.

Shqipëria bëhet! Ne jemi “Zgjidhja”!

Bashkohuni me ZGJIDHJA-n! Faleminderit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat