Basha: Beteja do të vijojë në rrugë dhe në sheshe, çdo ditë

Shqipëria

Basha: Beteja do të vijojë në rrugë dhe në sheshe, çdo ditë

Më: 29 janar 2018 Në ora: 13:26
Lulzim Basha

Kryetari i PD-së shprehet se beteja kundër Ramës deri në krijimin e një qeverie anti-mafia do të vijojë çdo ditë në rrugë dhe në sheshe duke paralajmëruar tubime të tjera dhe se protesta e të shtunës ishte një mesazh i qartë, se shqiptarët nuk e pranojnë një qeveri të kriminalizuar dhe që ka ardhur në pushtet me votat e drogës

Një ditë pas protestës së opozitës së bashkuar para Kryeministrisë, kryetari i PD, Lulzim Basha nga selia blu në një deklaratë për mediat u shpreh se beteja kundër Ramës deri në krijimin e një qeverie anti-mafia do të vijojë çdo ditë në rrugë dhe në sheshe duke paralajmëruar tubime të tjera. Lideri i PD theksoi se protesta e pardjeshme ishte një mesazh i qartë, se shqiptarët nuk e pranojnë një qeveri të kriminalizuar dhe që ka ardhur në pushtet me votat e drogës. “Mesazhi i protestës së djeshme është i qartë; shumica e refuzon qeverinë e bandave dhe drogës. Duam qeveri antimafia, zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes reformës zgjedhore.

Dita e djeshme është një betejë e fituar nga shqiptarët, që u ngritën mbi dallime partiake. Ky ishte bashkimi më i madh në 27 vite për të refuzuar padrejtësinë. Fitorja e kësaj beteje është një ogur i mirë për luftën e përditshme në të cilën është angazhuar opozita, ne do të vijojmë këtë luftë ditë për ditë, në rrugë dhe në sheshe, në cdo hapësirë institucionale. Shqipëria do të bëhet një vend evropian me drejtësi të barabartë për të gjithë. Ky është mesazhi i shpresës, fitorja e betejës së djeshme. Angazhimi do të vijojë deri në realizimin e krijimit të një qeverie antimafia’ përfundoi kryetari i PD. Protesta e djeshme ishte e para për këtë vit nga opozita e bashkuar, ndërsa duket se përshkallëzimi i tubimeve është strategjia e re e PD dhe LSI-së. Protesta e 27 janarit para Kryeministrisë u mbyll me incidente të vogla.

Fjala e plotë e Bashës

“Sot dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për atë vërshim masiv popullor për protestën e djeshme nga qindra mijëra bashkëqytetarë. Dua ti falenderoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë protestë, gjithësecilin për tyre, familjarët e tyre, miqtë dhe shokët e tyre, por edhe ata që na mbështetën nga larg. Bashkimi i djeshëm i shqiptarëve është mesazhi më i qartë se shqiptarët nuk e pranojnë më këtë gjendje. Ky mesazh ka ardhur përmes një proteste masive popullore të paprecedentë në 27 vite, një bashkimi gjigand vullnetesh i cili u shpreh përmes vlerave, parimeve dhe standardeve demokratike dhe europiane, dhe i tregoi botës mbarë se në Shqipërinë që ata e njohin si Shqipëria e krimit, e drogës, e korrupsionit të Edi Ramës, ka po kështu dinjitet.

Ka vlera, ka respekt për demokracinë, edhe për ligjin. Ka një popull europian, ka një popull të vlerave, ka një popull demokrat që e do demokracinë, e do drejtësinë e barabartë për të gjithë, e do lirinë dhe është i gatshëm të punojë, të luftojë për ta arritur atë. Mesazhi i protestës së djeshme është është mesazhi i qartë se shumica dërmuese e shqiptarëve e refuzojnë qeverinë e bandave, qeverinë e krimit, qeverinë e drogës, që janë shkaku i varfërisë, i padrejtësisë, i papunësisë, i çlimeve të larta, i taksave të larta, i rrënimit të shëndetësisë dhe arsimit, i gjendjes ku ndodhen sot studentët dhe pensionistët, të rinj e të reja, të moshuar, intelektualë, të papunë dhe fermerë.

Është po kështu mesazhi i fuqishëm se shqiptarët kanë vendosur të mos ulin më kokën. Të mos ta pranojnë më këtë të keqe port ë ngrihen kundër saj. Është një mesazh i fuqishëm mbështetje për opozitën dhe kauzën dhe objektivin tonë për një qeveri antimafia e cila do të shkëpusë lidhjet e krimit me pushtetin dhe do të organizojë përmes një reforme zgjedhore zgjedhje të lira dhe të ndershme ku shqiptarët të shprehin vullnetin e tyre të pacënuar nga krimi, nga bandat dhe nga shitblerja e votës.

Prandaj edhe njëherë nga zemra dua ti falenderoj. Dita e djeshme është një betejë madhështore e fituar nga shqiptarët që u ngritën mbi dallimet partiake. Dua ti falenderoj të gjithë papërjashtim. Jo vetëm mbështetësit e opozitës dhe partive politike të opozitës. Jo vetëm qytetarët e paangazhuar politikisht por edhe ish votuesit e qeverisë që u bashkuan dje në bashkimin më të madh në 27 vite për të refuzuar qeverinë e bandave dhe të krimit, për të refuzuar padrejtësinë dhe varfërinë dhe për tju bashkuar kauzës tonë popullore. Fitorja e kësaj beteje është një ogur i mirë për luftën e përditshme në të cilën është angazhuar opozita dhe në të cilën jemi bashkë sot këtu me shumicën e shqiptarëve.

Ne do ta vazhdojmë këtë luftë ditë për ditë, në të gjitha format dhe mënyrat. Çdo hapësirë institucionale, në rrugë dhe në sheshe, bashkë me qytetarët për të arritur fitoren e kësaj kauze pa të cilën nuk mund të ketë të ardhme, pa të cilën nuk mund të ketë Shqipëri europiane. Jemi të vendosur, jemi të qartë, jemi besim plotë  dhe të inkurajuar nga mesazhi i shpresës që dhanë dje shqiptarët. Shqiptarët e bashkuar në protestë dhanë një mesazh revolte, refuzimi, mospranimi papajtueshmërie me qeverinë e krimit dhe po kështu një mesazh shprese se Shqipëria mund, duhet dhe do të bëhet një vend europian me mundësi për të gjithë, me drejtësi të barabartë për të gjithë, me një qeveri që i shërben njerëzve dhe jo një grushti oligarkësh dhe kriminelësh.

Ky është mesazhi i shpresës. Kjo është fitorja e betejës së djeshme. Kjo është shtysa e jashtëzakonshme dhe mesazhi i shpresës që merr opozita dhe marrin shqiptarët për të vazhduar angazhimin tonë deri në realizimin e këtij qëllimi afatshkurtër politik që është një qeveri antimafia që do ti hapë rrugë zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes një reforme zgjedhore dhe natyrisht përmes zbatimit të reformës në drejtësi sipas Kushtetutës së Shqipërisë. Edhe njëherë ju falenderoj nga zemra të gjithë ju burra dhe gra, të rinj dhe të reja, studentë, pedagogë, intelektualë, profesionistë, fermerë, të papunë, të moshuar, të cilët me bashkimin tuaj të paprecedentë në 27 vite, dje hapët një horizont shprese për të gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët. Një horizont të së ardhmes e cila duhet dhe do të ndërtohet sipas vlerave të shumicës dërmuese të shqiptarëve që u përfaqësuan dje në protestën e 27 Janarit”.

Kreu i Ballit dyshime për protestën

Kryetari i Partisë ‘Balli Kombëtar Demokrat’ Artur Roshi një ditë pas protestës ngre pyetjen nëse ka moral kjo opozitë. Ai thotë se e djathta tradicionale si “klasë e përmbysur” nuk e dëgjoi zërin që e përfaqësonte. “A ka moral opozita të deformojë përfaqësimin e të djathtës konservatore tradicionale me njerëz që nuk kanë lidhje me të? Morali mund të mos hyjë në punë për të ardhur në pushtet sepse keq qeverisja po ndihmon për të ardhur në pushtet, por morali të krijon besim strukturor sot dhe qeverisje të qëndrueshme nesër. Protestuesit i përshëndeti edhe një socialist me logjikën se edhe socialistët janë kundër Ramës.

Po Rama që ka në qeverisje edhe drejtorë që kanë qenë kandidat për deputetë të PD, mund të thotë se qeveris bashkë me PD dhe demokratët janë pro tij? Ndjehem i çuditur nga emocioni i pushtetit, jashtë pushtetit që ka përfshirë njerëzit afër zotit Basha” shprehet, aleati i Bashës. Artur Roshi ishte pjesë e tubimit që opozita zhvilloi pardje, por jo në listën e kryetarëve të partive opozitare që folën në podium para protestuesve, ndërsa ky duket se është njëri nga shkaqet që kryetari i Ballit Kombëtar ka vërshuar me kritikat ndaj Bashës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat