Si u ekzekutua me 4 plumba 41-vjeçari, prita që i bënë poshtë pallatit

Shqipëria

Si u ekzekutua me 4 plumba 41-vjeçari, prita që i bënë poshtë pallatit

Më: 30 janar 2018 Në ora: 08:27
Ilustrim

Dalin detaje te reja nga ekzekutimi në pritë qe i mori jeten dje 41- vjeçarit, që ishte kthyer në Shqipëri prej pak ditësh.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:40, në krah të Pediatrisë, në afërsi të rrugës “Kongresi i Manastirit”, në Tiranë.

Sipas Policisë, viktima është shtetasi Devi Kasmi dhe banonte në pallatin para të cilit ndodhi ngjarja, në një rrugicë të errët me emrin “Petro Cani”. Mësohet, se viktima e kishte ndryshuar emrin disa vite më parë, nga Dëfrim në Devi.

Burimet thanë se ndaj 41-vjeçarit është qëlluar 5 herë me armë zjarri, të dyshuar pistoletë, ndërsa 4 nga plumbat që e kanë goditur në trup i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Sipas Policisë, në atentat dyshohet të kenë marrë pjesë dy persona, të cilët kanë lëvizur me një motor të shtrirë dhe në kokë kanë pasur skafandra.

Njëri prej tyre ka qenë në drejtim të motorit, ndërsa personi tjetër pas tij, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të 41- vjeçarit Kasmi. Atentatorët i kishin zënë pritë viktimës poshtë pallatit dhe në momentin që ai ka zbritur shkallët dhe është drejtuar për të hipur në makinën e parkuar aty, kanë hapur zjarr duke e lënë të vdekur në vend.

Më pas, ata janë larguar nga rrugica e errët, duke dalë në rrugën “Kongresi i Manastirit” dhe kanë vijuar rrugën në drejtim të godinës së SHISH.

Në vendin e ngjarjes është formuar grupi hetimor, i drejtuar nga prokurori i gatshëm, që kanë nisur ngritjen e pistave të para për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes. Ndërsa në disa kryqëzime dhe rrugë hyrëse e dalëse të Tiranës, janë ngritur pika kontrolli, në funksion të shoqërimit të personave të dyshuar.

NGJARJA

Policia e Tiranës njoftoi dje se rreth orës 18:40, në Sallën Operative ka ardhur një telefonatë, se në rrugën “Kongresi i Manastirit” ka të shtëna me armë. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta Policie ku ka rezultuar se, në një rrugicë që lidhet me rrugën “Kongresi i Manastirit”, anën e pasme të Morgut të Tiranës, është vrarë me armë zjarri shtetasi Devi (Dëfrim) Kasmi, 41 vjeç.

Policia tha se janë ngritur pika të shumta kontrolli, si dhe po krihet zona për të bërë të mundur identifikimin dhe ndalimin e autorëve. Ndërkohë, grupi hetimor në vendngjarje, i përbërë nga oficerë të Krimeve Kundër Jetës, ekspertë kriminalistë dhe nën drejtimin e prokurorit, kanë fiksuar dhe mbledhur çdo provë që mund të çojë në identifikimin e autorëve.

Nga ana tjetër, pas identifikimit të plotë të viktimës, ka nisur verifikimi për të mësuar ndonjë konflikt të mundshëm, aktual apo të mbarur, në mënyrë që të ngrihen pistat kryesore ku do të përqendrohen hetimet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat