Pakti detar, MPJ: Marrëveshje që mundëson ndarje të drejtë e të pranueshme për palët

Shqipëria

Pakti detar, MPJ: Marrëveshje që mundëson ndarje të drejtë e të pranueshme për palët

Më: 30 janar 2018 Në ora: 18:16
Ilustrim

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas debatit të hapur në lidhje me procesin e diskutimeve në tërësi më Greqinë, e më posaçërisht për çështjen e delimitimit të hapësirave detare.

Përmes një deklarate për mediat, MPJ sqaron se delimitimi i hapësirave detare është në interes të të dy vendeve si për sa i përket përcaktimit përfundimtar të kufijve të ushtrimit të sovranitetit dhe të drejtave sovrane në këto hapësira, po ashtu në drejtim të shfrytëzimit ekonomik të tyre.

Ministria shprehet se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e rrëzoi marrëveshjen e nënshkruar mes dy vendeve në vitin 2009 dhe në mungesë të një marrëveshje mes tyre, që prej vitit 2013 palët kanë kryer një sërë diskutimesh ekploratore për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për këtë çështje.

"Në këto diskutime qëndrimi i palëkundur i palës shqiptare ka qenë dhe mbetet lidhja e një marrëveshjeje për delimitimin e hapësirave detare bazuar në parimet e Konventës për të Drejtën e Detit ku të dy shtetet janë palë, praktikën ndërkombëtare, vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese dhe legjislacionin e brendshëm që do të mundësojë një ndarje të drejtë dhe të pranueshme për të dy palët" deklaron MPJ.

Ministria e Jashtme thekson se është ky qëndrim i palëkundshëm, pika e nisjes për ekspertët që do të negociojnë me palën greke për këtë çështje.

"Çdo interpretim tjetër nga aktorët politikë është qëndrim dashakeq që synon të relativizojë, apo më keq, mohojë gabimet trashanike të së shkuarës" përfundon deklarata.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat