Gati ligji që lehtëson procedurat për lojërat e fatit

Shqipëria

Gati ligji që lehtëson procedurat për lojërat e fatit

Më: 2 shkurt 2018 Në ora: 17:16
Ilustrim

Qeveria do të përgatisë brenda dy muajve të ardhshëm një projektligj, i cili nxit edhe më shumë përhapjen e kumarit në shoqërinë shqiptare. Njoftimi është bërë publik në Programin e përgjithshëm analitik, të projekteve që do të paraqiten për shqyrtim në Këshillin e Ministrave, gjatë vitit 2018.

Sipas dokumentit, brenda katër mujorit të parë të këtij viti, Këshilli i Ministrave do të miratojë një projektligj - Për disa ndryshime në ligjin 155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Projektligji synon implementimin e reformës së derregullimit në sektorin e lojërave të fatit.

“Objekti i këtij drafti është të lehtësojë kërkesat dokumentare të shërbimeve të ofruara ndaj biznesit dhe publikut nga Ministria e Financave si dhe përcaktimi i procedurave të shkatërrimit të pajisjeve të konfiskuara,” thuhet në programin analitik të qeverisë.

Shqipëria është një nga vendet me përhapjen më të madhe të industrisë së bixhozit në rajon. Kur erdhi në pushtet, qeveria e majtë nisi një operacion të ashtuquajtur “Fundi i Marrëzisë”, i cili sipas saj do të reduktonte përhapjen e lojrave të fatit dhe efekteve negative që ato kanë në shoqëri.

Por në të vërtetë aksioni rezultoi një instrument për të shtënë në dorë industrinë lojërave të fatit nga biznese të lidhura me qeverinë. Si rezultat pikat e basteve dhe lojërat e fatit jo vetëm që nuk u reduktuan, por u përhapën edhe më shumë.

Aktualisht të dhënat zyrtare tregojnë se industria e kumarit në Shqipëri qarkullon mbi 120 milionë euro në vit ose 1 për qind të Prodhimit Kombëtar. Me draftin e ri, hapja e pikave të basteve, kazinove dhe salloneve të lojërave të fatit do të lehtësohet edhe më shumë duke rënduar efektet shkatërruese që kumari ka tek familjet.

Nxitja e bixhozit përmes lehtësimit të procedurave edhe kritereve ligjore shton edhe më shumë dyshimet se pas kësaj industrie janë biznese të lidhura me qeverinë, të cilët janë dhe përfituesit kryesorë nga nxitja me ligj e kumarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat