Strategjia për Ballkanin, BE diskuton të martën edhe për Shqipërinë

Shqipëria

Strategjia për Ballkanin, BE diskuton të martën edhe për Shqipërinë

Më: 5 shkurt 2018 Në ora: 12:12
Foto ilustrim

Strategjia e shumëdiskutuar e Komisionit Europian për kthimin e besimit tek procesi i zgjerimit ndaj Ballkanit Perëndimor miratohet të martën në takimin e kolegjit të komisionerëve në Strasburg.

Paskësaj, kryetari i komisionit, Jean Claude Juncker, do ta paraqesë atë personalisht para deputetëve të Parlamentit Europian, ndërsa shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federika Mogherini, dhe komisioneri i zgjerimit, Johanes Hahn, kanë detyrën t’ia prezantojnë para gazetareve.

Fakti që paraqitja e strategjisë i është besuar zyrtarëve më të lartë të bllokut dëshmon rëndësinë që ka ajo për Komisionin Europian. Deklaratat e para të Junckerit pas marrjes se detyrës i prenë rrugën optimizmit mbi perspektiven e zgjerimit.

Juncker asokohe do ta bënte të qartë së politikat e shtrirjes së bllokut nuk do të gjenin hapësirë gjatë mandatit të tij. Por në sfondin e frikës së rritjes së ndikimit rus në rajonin e trazuar, krizës së emigracionit, rrëshqitjes se Turqisë drejt autoritarizmit dhe synimit për të forcuar integrimin europian pas largimit të Britanisë në vitin 2019, situata ka ndryshuar e kjo reflektohet qartë tek eventi i së martës, i konsideruar si moment kyç në lidhje me marrëdhënien e re që mund të krijohet mes Brukselit dhe Ballkanit perëndimor.

Përmbajtja e pjesës e të madhe të draftit dihet tashmë. Ka mbetur të saktësohen afatet kohore se kur mund të hyjnë në BE shtetet më të avancuara. Sido që të realizohet formulimi, në fund do të jetë e qartë ideja e paralajmëruar tashmë se Serbinë dhe Malin e Zi do të mund t’i bashkohen bllokut deri në 2025-sën, ndërsa të tjerët deri atëherë do të duhet të kenë të avancuar në “rrugën e tyre europiane”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat