Raporti: Shqipëria nuk hyn në BE para 2025, reforma në gjyqësor është vonuar

Shqipëria

Raporti: Shqipëria nuk hyn në BE para 2025, reforma në gjyqësor është vonuar

Më: 6 shkurt 2018 Në ora: 18:30
ilustrim

Kompania ndërkombëtare e vlerësimeve financiare “Standard&Poor;’s” ka vlerësuar me notën “B+” financat shqiptare duke dhënë në parashikim të qëndrueshëm.

Kjo u bë e ditu në raportin më të fundit të kësaj kompani të publikuar në muajin shkurt 2018. Në raport thuhet se “Standard&Poor’s” pret që qeveria “Rama 2” të vazhdojë reformat që pati nisur qeveria “Rama 1”. “Ne presim, që qeveria e rizgjedhur e Shqipërisë të vazhdojë duke çuar përpara reformat strukturore. Partia Socialiste doli fituesja e vetme e zgjedhjeve të vitit të kaluar dhe formoi një qeveri nën udhëheqjen e kryeministrit të mëparshëm Edi Rama. Ne presim vazhdimësi politikash dhe përpjekje të vazhdueshme për reformat strukturore, ndërsa qeveria vazhdon të kërkojë anëtarësim në Bashkimin Evropian”, nënvizohet në raport.

Në analizën e “Standard&Poor’s”, intergimi i Shqipërisë në BE me shumë të ngjarë do të ndodhë pas vitit 2025, shkruan faktor.al duke iu referuar raportit.

“Për sa u përket përgatitjes për të hyrë në Bashkimin Evropian, qeveria ka bërë përpjekje të konsiderueshme për fuqizuar sundimin e ligjit si edhe luftën kundër ekonomisë së paligjshme. Megjithatë, ne mendojmë se anëtarësimi i mundshëm në BE me shumë gjasa nuk do të ndodhë përpara gjysmës së dytë të viteve 2020”, theksohet në raport.

Në raportin e “Standard&Poor’s” vihet në pah rëndësia e reformës në gjyqësor në ekonominë shqiptare, por gjithashtu vihet në pah edhe vonesa në zbatimin e saj. Sipas analizës së “Standard&Poor’s”, reforma në gjyqësor pritet të japë rezultate konkrete këtë vit.

“Ne presim që përpjekjet e qeverisë për reforma do të përqendrohen tek ekonomia, administrata publike, sektori energjetik dhe në veçanti në gjyqësor. Reforma gjyqësore që u miratua vitin e kaluar ka për qëllim të krijojë një gjyqësor më të pavarur dhe duhet të përmirësojë mjedisin e biznesit të vendit, për shembull, duke rritur efektin e zbatimit te ligjeve për pronën dhe të ofrojë procese më të dobishme të zgjidhjes së rasteve të falimentimit. Edhe pse reforma është vonuar pak, ne presim rezultatet e para , në formën e çështjeve gjyqësore që i vështrohen gjykatave përkatëse, mund të arrihet këtë vit. Reforma të mëtejshme strukturore nevojiten për të fuqizuar strukturën institucionale ende të dobët të Shqipërisë, në këndvështrimin tonë. Në përgjithësi, vendi ka një ekonomi të paligjshme të konsiderueshme, me korrupsion të përhapur dhe me sundim pak te efektshëm të ligjit”, thuhet në raport.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat